PS-ja “vdes” Kushtetuesen
Nga Qamil Xhani.
-Kryeministri Edi Rama pasi ka futur nën kontroll e varësi pushtetin ekzekutiv, parlamentar, të medias, por kap edhe drejtësinë. Dhe për ta uzurpuar drejtësinë “varrosi” dje edhe Gjykatën Kushtetuese, duke e bllokuar në marrjen e vendimeve.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në Reformën e shumëpërfolur në Drejtësi, i përbërë nga tre vajza, ku dy prej tyre sapo kanë mbaruar fakultetin, pra ky institucion i ri i reformës në drejtësi, dje dha vendimin e parë për pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo. Vendimi edhe pse ende i pazbardhur nga KPK u justifikua me mosrakodrimin e pasurisë së gjyqtarit dhe si akti i parë i vettingut. Pavarësisht argumenteve të avokatit të Fatos Lulos, pezullimi i djeshëm shkon përtej fatit personal të një gjyqtari. Indirekt dje anëtarët e komisioneve të reformës në drejtësi kanë futur në kolaps institucionin më të lartë të gjyqësorit, Gjykatën Kushtetuese.
Kjo gjë u bë me qëllim të caktuar nga mazhoranca, e cila ka futur nën kontroll krejt organet e Vettingut. KPK-ja pavarësisht vendimit të saj, i cili nuk gjykohet dot për momentin derisa të vendosë Apelimi, porse duket kryekëput si një vendim i marrë në zyrat e PS-së për të bllokuar Kushtetuesen.
Sipas ligjit, Gjykata Kushtetuese duhet të ketë 9 anëtarë. Që të marrë vendime duhet të ketë të paktën 6 anëtarë. Gjatë muajve të fundit nga ky institucion kanë dhënë dorëheqjen ose u ka mbaruar mandate, tre gjyqtarë; Besnik Imeri, Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi. Me pezullimin e djeshëm të Fatos Lulos, Gjykata Kushtetuese ka vetëm pesë anëtarë. Njërit prej gjyqtarëve të mbetur i ka mbaruar mandati, por nuk ka hapësirë ligjore për rizgjedhje. Ndërsa një tjetër, ka mbushur moshën e pensionit. Praktikisht, me pesë gjyqtarë ky institucion nuk mund të marrë më vendime dhe është në detyrë vetëm formalisht. Gjithë çështjet që janë në proces dhe që duhet të shqyrtoheshin mbeten në vendnumëro, ndërsa për çështjet e tjera nuk mund të merren në dorëzim për mungesë kuorumi.
Taktikë djallëzore e PS-së!
Gjykata Kushtetuese cilësohet si “roja” e Kushtetutës dhe është institucioni final ku merren vendime që kanë të bëjnë me thelbin e ligjeve dhe akteve të qeverisë, Parlamentit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Nga pikëpamja juridike është institucioni që garanton vendimin final që ka të njëjtën vlerë detyruese ndaj qeverisë dhe institucioneve të tjera si Kushtetuta. Më saktë Gjykata Kushtetuese është Kushtetutë e gjallë lëvizëse, e cila vepron sipas Kushtetutës së miratuar.
Nga dje vendi nuk ka më Gjykatë Kushtetuese dhe kjo nuk është një ngjarje që erdhi si rrufe në qiell të hapur. Çështja e mungesës së anëtarëve të Kushtetueses është ngritur që dy vite më parë nga vetë anëtarët e saj. Gjatë debateve për reformën në drejtësi juristë dhe ekspertë të politikës e parashikuan bllokimin që do t’i bëhej pikës më të rëndësishëm të pushtetit gjyqësor. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur të hapë procedurën e zgjedhjes së dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe ky proces duket se do të dojë një kohë të gjatë, pasi me futjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë procesin e Vetingut. Nga ana procedurale anëtarët e rinj të Kushtetueses zgjidhen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Por kandidaturat në këtë këshill ende nuk kanë kaluar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (Vetingun).
Një histori e lojës së PS-së dhe kryeministrit Rama, që tashmë po kap krejt drejtësinë në dorë.
Çështja ka ardhur në këtë pikë që as juristët nuk i japin dot zgjidhje dhe kjo ka një shpjegim që nuk lidhet me ligjet, por me politikën. Për të gjetur fajtorin mjafton të bëhet analiza se kujt i intereson bllokimi i kësaj gjykate. Kushtetuesja është e vetmja që rrëzon vendimet e qeverisë apo ligjet e parlament. Është hallka e fundit ku mund të kundërshtosh ligjërisht qeverinë. Me daljen jashtë loje të kësaj gjykate është shkrirë një nga shtyllat që mban në këmbë dhe kontrollon gafat apo krimet ligjore të qeverisë.
Situata bëhet edhe më shqetësuese duke parë vendimet që pritet të merren këto javë. Në proces negocimi është marrëveshja për kufirin detar dhe zonat ekomomike me Greqinë. Një akt i tillë, nëse nuk është në favor të Shqipërisë, mund të kundërshtohet vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Por kur ky institucion nuk mblidhet, mundësitë e kundërshtimit të këtij pakti nga qytetarët ose subjektet politike janë zero. Dhe këtë e kanë përllogaritur me dinakëri kryeministri dhe PS-ja.
Kryeministri ka futur gjithë pushtetet nën kontroll, përveç atij presidencial. Edhe Kushtetuesen nuk e futi dot nën varësi, por e “varrosi” për muaj.
Në foto: Autori i shkrimit Qamil Xhani