PS rrëzon listat e hapura

 

Partia Socialiste ka rrëzuar një nga propozimet kryesore të aleatit të saj, Lëvizjes Socialiste për Integrim për reformën zgjedhore. Bashkëkryetari socialist në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore Taulant Balla, tha dje se kërkesa për futjen e listave të hapura në zgjedhjet e vitit 2017 as që mund të shtrohet për diskutim. LSI-ja ka propozuar që në nisje të debatit për ndryshimin e ligjit elektoral, si pikë kryesore futjen e listave të hapura, si një mënyrë që votuesit të njohin emrin e kandidatit që zgjedhin dhe të mos votojnë vetëm logon e partisë. Nisma e LSI është përkrahur nga pothuajse gjithë partitë politike, me përjashtim të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Dje bashkëkryetarët e komisionit, Taulant Balla nga PS dhe Oerd Bylykbashi nga PD zhvilluan një takim me një grup të shoqërisë civile të cilët kanë propozuar disa rekomandime për Kodin Elektoral. Pjesë e këtyre rekomandimeve ishte dhe kërkesa e LSI-së, për të cilën deputeti Balla u shpreh kategorik se ishte e pazbatueshme. “Unë e kam thënë qartë dhe prerë, që prej ditës së parë, se nuk është në mandatin e këtij komisioni të shqyrtojë rekomandime që nuk bëjnë pjesë në rekomandimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2015. Është çështje e administrimit që komplikon procesin dhe nuk bën pjesë në çështjet që do të diskutojmë në këtë komision”- u shpreh deputeti i PS-së. Teksa i mbylli derën  listave të hapura, Balla  mbështet  propozimin për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe krijimin e kushteve për votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

 Më me kujdes në lidhje me propozimin e LSI, për listat e hapura, u tregua PD-ja. Bashkëkryetari i komisionit,  demokrati  Oerd Bylykbashi, shprehu gatishmërinë për ta bërë diskutuar propozimin e listave të hapura në tryezën e reformës zgjedhore, por theksoi se politika përballet me mungesën e kohës për të bërë reformë të plotë. Në fakt kohën e kanë vonuar kastile PS dhe PD.

Qëndrimi përjashtues i PS-së për propozimin e LSI-së nuk ka kaluar pa reagimin e përfaqësuesve të kësaj force politike. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha dje komisioni duhet të jetë i hapur për çdo ide të re. Ai tha se listat e hapura nuk janë vetëm një propozim i LSI-së, por një ide e përkrahur edhe nga shoqëria civile dhe partitë e tjera politike. Pavarësisht qëndrimit kundër të PS-së, Vasili la të hapur mundësinë e diskutimeve përkatëse në komisionin e reformës. “Komisioni duhet të jetë i hapur për t’i dëgjuar të gjitha, për të përmirësuar sa më tej kualitetin e zgjedhjeve, edhe kualitetin moral, edhe kualitetin e përfaqësimit. Listat e hapura të propozuara nga ne kanë pasur një qëllim, përmirësimin e kualitetit të përfaqësimit në nivelin më maksimal të tij dhe besoj se është një iniciativë shumë e mirë dhe shumë pozitive. Cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i komisionit, këtë do ta tregojnë debatet dhe diskutimet në të”,- tha ai.

Nga ana tjetër, kreu i deputetëve të LSI-së duket se pati dhe një këshill për dy partitë kryesore në komisionin e reformës. Ai tha se “nuk mund të ketë kushte të pakapërcyeshme. Tavolina duhet të jetë gjithmonë e hapur për të diskutuar idetë e partive të rëndësishme parlamentare, pasi tavolinat e mbyllura nuk sjellin ndonjë progres”.

Listat e hapura që propozohen nga LSI dhe thuajse gjithë partitë e vogla parlamentare dhe jo parlamentare ka si qëllim ndryshimin e modelit aktual. Listat e mbyllura të cilat u përdoren në zgjedhjet e viteve të fundit kanë bërë që deputetët të zgjidhen sipas renditjes që bën kryetari dhe jo direkt sipas votës se qytetarëve. E thënë thjesht, listat e mbyllura i “fshehin” deputetët, pasi qytetarët votojnë siglën e partisë për çdo qark dhe jo emrin e politikanit që do të administrojë problemet që mund të ketë zona e tyre. Pra me listat e mbyllura kryetarët e partive vendosin ata që duan personalisht e jo siç duan votuesit. Ndërkohë që listat e hapura, praktikisht u japim mundësi votuesve të dinë se kush do jetë deputeti i zonës së tyre.

Edhe pse bëhet fjalë për një detaj në dukje teknik, ndryshimi është shumë i madh pasi e bën parlamentin më përfaqësues të interesave të qytetarëve dhe jo të interesave dhe miqësive të kryetarëve siç është aktualisht. Debati mes PS dhe LSI vetëm sa ka nisur për këtë pikë. Pritet që kur çështja të shtrohet zyrtarisht në komisionin e reformës, qëndrimet për këtë çështje të bëhen edhe më të forta.

LSI ka një kartë të fortë, edhe si presion. Mund të jetë një ndër kushtet që të firmos koalicionin me PS-në në zgjedhjet e radhës 2017. PS-ja pa LSI-në nuk e mban pushtetin. Aq me tepër që përtej Atlantikut ka fituar Donald Trump, të cilin PS-ja e sikterisi duke e denigruar. Pas janarit kur të hyjë në Shtëpinë e Bardhë do ti kujtohet Presidentit Trump në kohën e lirë se dikush nga Shqipëria doli në CNN!

SHKARKO APP