Pse hesht PD për Akademinë?
Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë kanë rihapur debatin për reformimin këtij institucioni të rëndësishëm. Por si në të gjitha rastet kur hyn politika me vendime të shpejta dhe të pamenduara, nga një debat me etikë institucionale dhe shtetërore çështjen e reformimit të Akademisë e kanë kthyer në një sherr me akuza. Situata u acarua jo nga idetë sesi duhet reformuar ky institucion, por nga ndërhyrja e Kryeministrit. Pasi qeveria “Rama” heshti për 4 vjet dhe nuk e përmendi në asnjë rresht të axhendës së saj çështjen e Akademisë, ditën e zgjedhjeve në këtë institucion, Kryeministri kërcënoi me ndërprerje fondesh dhe nxjerrjen jashtë nga godina të akademikëve. Pavarësisht problemeve që ka Akademia, të cilat i pranojnë dhe vetë anëtarët e saj, Kryeministri nuk mund të komunikojë me akademikët njëlloj si me vartësit e tij.
Sigurisht që Akademia ka nevojë për një reformë të thellë dhe për ndryshime të prekshme. Ka nevojë për koncepte të reja dhe kthimin e saj në një institucion që funksionin sipas modeleve perëndimore. Por mënyra sesi ndërhyri Kryeministri në këtë debat ka rrezik të prodhoj një akademi në varësi të mazhorancës dhe jo në varësi të kritereve shkencore. Këtë ide e përforcon një dokument i publikuar dje nga zv/kryetari i LSI-së, Luan Rama. Projekti i qeverisë “Rama 2” i hartuar disa muaj para se të niste debati për zgjedhjen e Akademisë parashikon që institucioni më i rëndësishëm i shkencës të kalojë në varësi të Ministrisë së Arsimit. Një institucion i ri në varësi të kësaj ministrie që do të quhet Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor, do të përfshijë dhe Akademinë e Shkencave, Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe disa institute për kërkim shkencor.
Ky dokument nxjerr zbuluar Kryeministrin dhe qëndrimin me dy standarde. Pra, kreu i qeverisë nuk ka qenë i shqetësuar për cilësinë e zgjedhjeve në Akademi dhe as për produktin e këtij institucioni. Kur Edi Rama deklaroi se do të ndërpriste fondet për akademikët, ka pasur në mendje planin që shkrinte këtë institucion në varësi të Ministrisë së Arsimit. Ky projekt i ri që është zbuluar dje është edhe më shqetësues, sepse vendosja e akademikëve nën varësinë e Ministrit të Arsimit e kthen këtë institucion në një drejtori. Për mënyrën sesi funksionojnë ministritë në vendin tonë është e kotë më pas të flasësh për pavarësi apo aq tepër kërkim shkencor. Ajo që është më shqetësuese lidhet me faktin se ky projekt i qeverisë është i pakonsultuar, nuk është bërë publik dhe po shkatërron akademinë aktuale, pa treguar se çfarë do të vijë pas saj.
Reformimi i Akademisë së Shkencave, në çdo shtet, do sillte një debat të madh publik mes njerëzve të shkencës dhe elitës politike si vendimmarrëse ligjore. Është një debat nga ku forcat kryesore politike nuk mund të shmangen, sepse dhe nisma e Kryeministrit është në thelb politike. Por ndryshe po ndodh në Shqipëri. Përballë nismës së Kryeministrit është vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërsa Partia Demokratike duket sikur nuk ekziston. Në gjithë këto ditë nuk ka asnjë reagim nga selia e PD-së. Nuk ka asnjë ide nga profesorët që janë pjesë e kësaj partie politike dhe ç’është më e pakuptimtë nuk ka asnjë qëndrim nga kryetari Lulim Basha. Në selinë e partisë më të madhe në opozitë nuk është folur as për zgjedhjet brenda Akademisë, nëse duheshin bërë apo jo, si dhe nuk është thënë asgjë se çfarë duhet të bëhet më institucionin më të rëndësishëm shkencor në vend. Edhe nëse çështjet akademike u duken të komplikuara, në selinë blu ka ish-ministra të Arsimit që kanë bërë katrahurën në Akademi dhe mund të flasin se ku gabuan dhe si duhet bërë reforma. Por as këtë nuk e kanë bërë. Në vend të një qëndrimi, edhe formal, për këtë çështje, selia e PD është e shqetësuar për “dekomunistizmin” e vendit dhe është rikthyer në tezat e fillimit të viteve ’90. Ironikisht ky proces ku PD është angazhuar pas 27 vjetësh, tashmë mund të kryhej nga historianët dhe akademikët. Ndaj heshtja e PD-së duket jo vetëm e pakuptimtë politikisht, por edhe e rrezikshme. Sepse një forcë opozitare nuk është vetëm për të sharë, por edhe për të dhënë variante sesi mund të kryhen disa reforma. Lulzim Basha as reagon për sjelljen e kryeministrit dhe as jep variantin e vet të zgjidhjes së problemeve.
Selia blu nuk reagon as në rastet e konflikteve të pushtetit ekzekutiv me mediat tradicionale të pavarura, qoftë edhe për të përfituar vetë politikisht. Nuk kuptohet se çdo PD me Gramoz Ruçin dhe Fatmir Xhafën, tashmë pas 27 viteve, kur nuk ka më komunizëm as në ato parti që vetquhen komuniste!
Heshtja e një partie politike e cila ka personalitete akademike në gjirin e saj tregon se ende nuk dihet se si do jetë opozita e PD-së: E zjarrtë, e vagët, apo flirtuese.
Qamil Xhani