Pse Rama beson tek shteti i frikës?

Kryeministri Rama ka bërë një lapsus të pandërgjegjshëm, duke shprehur më mirë se çdo herë tjetër idenë se si mendon ta ristrukturojë shtetin. Duke folur me rastin e përurimit të një platform online që u mundëson qytetarëve të denoncojnë korrupsionin, si për të treguar se reformat e tij po funksionojnë, Rama ka lëshuar togfjalëshin: “frika po e ruan vreshtin” .

Në pamje të parë duket sikur një mendësi e tillë nuk përbën ndonjë faj. Në bisedat tona të përditshme kjo është një shprehje që përdoret me një lloj shpotie dhe cinizmi të njejtë me atë të fshatarëve që i mbushin fushat me dordolecë në mënyrë që të ruajnë të mbjellat nga shpendët që i shfarosin ato.

 

Por në rastin e kryeministrit një mendësi e tillë është shumë më e komplikuar sesa kaq, sepse duket sikur ajo shpreh një mentalitet qeverisjeje. Me të njejtin togfjalësh mund të shpjegoheshin gjithashtu, fushatat e policisë rrugore për të mbytur qytetarët me gjoba.

Në të njëtën mënyrë mund të shpjegoheshin rastet e fukarejve që mbushin burgjet për mospagim energjie, raste të cilat shkuan deri në ekstreme të tilla sa edhe një nënë të përfundonte në qeli së bashku me fëmijën e saj.

Në të njejtën mënyrë mund të shpjegoheshin ndërhyrjet brutale të INUK, madje shpesh herë edhe pa pritur afatet ligjore.

Për të gjitha këto aksione kritikat kanë qenë të mëdha. Policia rrugore i nisi masat për vjeljen e gjobave pa pasur më parë një sistem për mbledhjen  e tyre. Shumë qytetarë mbetën dyerve të postave dhe sporteleve të policisë (të denja për t’u zbuluar nga arkeologët), sepse paratë e tyre nuk mbërrinin në destinacion. Po kështu sorollaten në radhë të gjata edhe ata që duhet të paguajnë faturat e energjisë, dhe u duhet të humbin me orë të tëra punë për ta bërë këtë. Po kështu ka humbur legjitimitetin edhe aksioni për pastrimin e territorit, për sa kohë ai është selektiv dhe nuk guxon të cënojë njerëzit e afërt të kryeministrit.

Është përmendja e këtyre elementëve arsyeja më e qartë se pse Rama beson më shumë tek shteti i frikës. Pasi ai ka dështuar deri tani të bëjë reformim të thellë dhe të vërtetë. Ndaj përpara se të sillet si shtetar ai po mëkon shembullin e sjellurit si dordoleci që ruan arat.

Por edhe kjo metodë e frikës nuk e ka jetën të gjatë. Me shumë pompë dhe bujë atë e provoi edhe Sali Berisha. Të gjithë i mbajnë mend pamjet e show-ut televiziv, ku vetë ish kryeministri u përgjigjej me telefon në dorë, qytetarëve që denonconin korrupsionin. Nuk kaloi shumë kohë nga kjo shfaqe dhe u pa se njerëzit e tij të afërt ishin të implikuar në Gërdec, se oligarkët pranë tij u përfshinë në privatizime skandaloze, se për hidrocentralet me koncesion, kërkoheshin shuma marramendëse parash.

Korrupsioni nuk mposhtet as me demagogji dhe as me shfaqje. Për ta luftuar atë ka dy rrugë. Ose me reforma radikale, gjë që në një kontekst si ky i Shqipërisë do duhet shumë kohë për të parë rezultatet, ose me virtytshmëri vetiake. Kjo rrugë e dytë kur i pari i pramidës, mjedisi përreth dhe aleatët e tij, japin sistematikisht shembuj pastërtie është me gjasë, ilaçi më i mirë dhe më efikas në kontekstin shqiptar.

Por me sa duket, i pafuqishëm për t’i hyrë secilës prej këtyre dy rugëve, Edi Rama ka zgjedhur ta ruajë vreshtin përmes frikës. Dhe këtu e ka të kotë. Kjo është një masë, sa afatshkurtër, po aq dhe jo rezultative. Përpara se të jetë një nisëm kundër korrupsionit, ajo i ngjan britmës së atij njeriut që klith në errësirë më shumë për t’i dhënë kurajo vetes, sesa për të trembur të tjerët.  

SHKARKO APP