Pse sulmohet dhe sajohet kundër Ditmir Bushatit?

Nga Spiten Prulli

Ditmir Bushati është një socialist me taban të vjetër, tradicional mund të thuhet. Ai është nga ata politikanë që me plot gojën tregohet se mbetet socialist 24 karatsh. Ai nuk ka asnjë lidhje me të djathtën, ndonëse e njeh mirë diplomacinë, politikën dhe artin e komunikimit dhe bashkëveprimit.

Ditmir Bushati ka vite në PS, që kur ajo ishte në opozitë dhe ku e përfaqësoi PS-në në Bruksel dhe në SHBA mjaft mirë, duke u munduar t’i hiqte imazhin e një partie të lidhur me korrupsionin e kohës së Fatos Nanos. Më pas erdhi ministër i Jashtëm, por pasi kishte kaluar në sitën e diplomacisë parlamentare dhe duhet pranuar se mund të quhet si një nga ministrat më me dinjitet e profesionist në historinë e diplomacisë shqiptare. Nuk po themi më i miri, por ndër të mirët. Dhe mbi të gjitha atdhetar, pasi së fundmi para se ta shkarkonte kryeministri Rama, ai zhvilloi një betejë diplomatike në favor të Shqipërisë dhe Kosovës. Ai u përplas me presidentët Thaçi e Vuçiç kur flitej për copëtimin e Kosovës, siç akoma po luhet, por tashmë e ka diplomacinë fiks njeriu i Baton Thaçit! Ditmir Bushati e pësoi politikisht dhe në karrierën personale, momentalisht, nga mbrojtja që i bëri çështjes kombëtare.

Kryeministri Rama e shiti mënjëherë, kur duhej të mbronte pozitat e karriges së tij personale kryeministrore. Ndërkohë ish-ministri Bushati nuk heshti në këmbim të një mandati deputeti, në të ardhmen, në Shkodër. Ai foli në parlament dhe fjalimi i tij u quajt si një fjalim atdhetari dhe njeriu me personalitet.

Natyrisht Ditmir Bushati nuk është “Zeusi” në PS, por është një “shenjt” që flet me qetësi dhe larg interesit personal. Mbetet i vetmi ministër në PS i paakuzuar për shpërdorim detyre e korrupsion.

Duke qenë korrekt me ligjin dhe me partinë  e tij, Ditmir Bushati po ngre zërin se duhet arsyeja të drejtojë e jo arroganca në PS e në qeverisje, duhet mirëkuptimi e bashkëpunimi dhe jo dhuna duke u mbrojurt më tela me gjemba e polici të shtuar.

Duke u ngritur në sytë e socialistëve si një politikan bashkëpunues dhe orientues për një Shqipëri më të mirë, ai ka sjellë rreth vetes vorbull smirë, duke u shtuar kundërshtarët edhe brenda selisë së PS. Çfarë nuk po sajojnë e përhapin, edhe online, e jo vetëm nëpër tavolina “tribe” njerëzit e PS-së dhe qeverisë, kundër ish-ministrit Bushati. Mbrëmë vonë përhapën një “lajm” se  Ditmir Bushati do të ikë nga PS-ja dhe do të jetë drejtues i Vetvendosjes për Shqipërinë, gjë që u përgënjështrua mënjëherë nga stafi i Bushatit.

Djallëzia e njerëzve në PS dhe në qeveri ishte që të krijohej një përceptim publik se Bushati po ikën dhe mos ta dëgjojnë më socialistët! Një dinakëri rilindase për ta zhbërë gjithë atë fjalim historik të Ditmir Bushati ku i bëri thirrje kryeministrit të mos jetë arrogant dhe të mos krijojë “opozita” artificiale në sallën e Kuvendit.

Ditmir Bushati shikohet nga partitë e majta shqiptare si një lider përbashkues e jo përçarës siç po bën Edi Rama me Rilindjen.

SHKARKO APP