Pse “Veting” i huaj?
Ka një debat që zhvillohet prej disa ditësh mes opozitës dhe mazhorancës, por edhe brenda edhe vetë mazhorancës nga deputetë të veçantë. Përveç nenit të famshëm 88 që ka të bëjë me mënyrën sesi do zgjidhen njerëzit që do të drejtojnë institucionet e drejtësisë, debati është i mprehtë dhe për institucionet që do vlerësojnë figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gjithë procesi i vlerësimit (kontrollit) të gjyqtarëve, prokurorëve dhe njerëzve të sistemit të drejtësisë njihet me termin e “vetingut”. Në projektin e ndryshimeve kushtetuese janë 10 nene që kanë të bëjnë pikërisht me këtë proces që do të verifikojë, vlerësoj gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe do të ndëshkojë ata që nuk plotësojnë kriteret për të mbajtur këtë detyrë. Kontrolli ndaj njerëzve aktual të sistemit të drejtësisë dhe atyre që do të bëhen pjesë e tij më pas do të jenë maksimale. Nisin që nga kontrolli i figurës sipas ligjeve ekzistuese, por edhe masa shtesë. Kështu gjyqtari apo prokurori që rezulton se ka njohje me persona me precedentë të rëndë penal mund të largohet nga detyra. Po ashtu, nëse pasuria e tij është nën mundësitë që i jep paga, zyrtari largohet nga drejtësia. Një sërë rregullash të tjera strikte për sjelljen morale të zyrtarëve e bëjnë këtë proces të domosdoshëm për rikthimin e besimit te drejtësia. Deri këtu çdo gjë është në rregull. Por në draftin e ndryshimeve kushtetuese thuhet se ky proces do të jetë nën monitorimin e një tjetër institucioni që do të këtë në përbërje përfaqësues ndërkombëtar. Në këtë pikë hartuesit e reformës nuk flasin më për proces, por përdorin termin “Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit”. Edhe që ndërkombëtarët bëhen pjesë e këtij procesi është diçka normale, derisa reforma është hartuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Pra si konsulentë është një gjë e mirë.
Problemi është se përse një nisme e tillë me emrin “Operacion” duhet të sanksionohet me ndryshime kushtetuese. Në reforma janë rreth 15 institucione të reja që krijohen me reformën në drejtësi. Përse brenda tyre duhet sanksionuar me Kushtetutë dhe ngritja e një institucioni që në përbërje të tij ka ekspertë ndërkombëtarë. Ekspertët e huaj që do punojnë do të jenë prokurororë dhe juristë nga vendet e huaja. Me ndryshimet që parashikon Kushtetuta dhe ligjet e tjera, këta juristë do të kenë thuajse të njëjtën vendimmarrje si dhe anëtarët shqiptarë të Komisionit të Vetingut. Pse nuk jemi shtet sovran? Apo si Kosova që ka një kontroll e monitorim kushtetues ndërkombëtar? Ndërkombëtarët le të kontrollojnë, sugjerojnë, debatojnë, shkruajnë,etj dhe duhen mirëpritur, porse të ngrejmë në sistem në Kushtetutë një Operacion të tillë është krejtësisht antikushtetuese dhe larg të qënit shtet sovran. Atëhere nëse nuk kanë besim dhe duhet me Kushtetutë të jemi të varur nga të huajt në sistemin e drejtësisë, ka nevojë që në Kushtetutë të shtohen edhe dy nene; Neni i parë që Presidentin e Republikës së Shqipërisë ta votojnë në shtetet e tyre dhe të na e sjellin në presidencë. Po kështu të emërojnë në Bruksel edhe Kryeministrin e Shqipërisë! Ne të rrijmë e vëzhgojmë drejtësinë dhe zyrtarët që do të na sjellin. Si dikur Princ Vidin në kohën e luftës së parë botërore.
Kjo është fyerje kombëtare!
Natyrisht që ka nevojë për ndryshime drastike të sistemit të drejtësisë. Duhet patjetër! Por le të gjendet zgjidhja duke patur shqiptarë. Ka sa doni specialistë e juristë të përgatitur që mund të lenë pas shumë të huaj. Pse pra duhet të vendosim në Kushtetutë një rregullim të tillë, duke fyer vetveten?
Sipas draftit “ky Operacion përfshin partnerët në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe bashkëpunimit EuroAtlantik dhe udhëhiqet nga Komisioni Evropian. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit emëron vëzhguesit ndërkombëtarë pas njoftimit të Këshillit të Ministrave. Vëzhguesit emërohen nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve me jo më pak se 15 vjet eksperiencë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre përkatëse. Mandati i vëzhguesit ndërkombëtar ndërpritet nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për shkelje të rënda”,- thuhet në aneksin e projektit të ndryshimeve Kushtetuese.
Nga mënyra sesi është formuluar ky nen bie në sy se nuk ka një afat konkret. Sa do të rrijnë në Shqipëri misioni i vëzhuesve? Një institucion i tillë që nuk ka të qartë bazën ligjore të funksionimit, por që ngrihet me ndryshime Kushtetuese ngre pikëpyetje nëse një vendim i tillë duhet marrë nga Kuvendit në mënyrë të beftë, apo duhet konsultime më të gjera. A është për të forcuar pushtetin e kryeministrit ndaj kundërshtarëve politikë?
Por ajo që është rikthen sërish lojën politike ka të bëjmë të drejtën e Kryeministrit. Në ligj thuhet se vëzhguesit emërohen pas njoftimit në Këshillin e Ministrave. Në këtë pikë është e paqartë se çfarë roli ka Qeveria Shqiptare; thjesht njofton emërimin, apo mund të ndikojë dhe në zgjedhjen e tyre? Sepse nëse Kryeministri, cilido qoftë ai, do të ketë të drejtë përzgjedhje atëherë debati rikthehet në fillim tek ndikimi politik në sistemin e drejtësisë. Pra nuk kemi bërë asgjë. E kemi kaluar drejtësinë nga Saliu tek Edi ! Por nuk kemi bërë drejtësi për të gjithë.
Këto janë detaje thuajse të parëndësishme përballë faktit se Misioni i vëzhguesve po hyn në sistem dhe Kushtetutën e Shqipërisë, njëlloj si institucionet ndërkombëtare në vendet e dala pas lufte si Bosnja apo Kosova. Procesi i kontrollit të gjyqësorit dhe monitorimi i tij nga autoritete ndërkombëtare shihet me skepticizëm, jo vetëm nga PD, por edhe nga një deputet i mazhorancës. Përparim Spahiu, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës, shprehet se nuk është gati të votoj për ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Në një postim në rrjetin sociale Tëitter, Spahiu shprehet se është e kuptueshme që Shqipëria të bashkëpunoj më NATO, BE dhe KE. Por nga ana tjetër ngre pikëpyetjen se çfarë përfaqëson Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit? Dhe të mos harrojmë se deputeti Spahiu është një ndër specialistët me të mirë shqiptarë. Jo se është i LSI, por vetë LSI e ka për nder se ka një deputet të tillë me integritet. Ai si profesionist nuk pyet as vetë LSI, as PS e as PD pasi ndjenja e profesionit dhe dinjitetit kombëtar është mbi partinë, mbi karrierën politike.
“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE ,shpresoj dhe me BE! Por nuk jam gati te votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit! Çfarë përfaqësojnë këta?!!”,- shkruan ai.
Saktë dhe shkoqur e ka thënë Përparim Spahiu. Dhe nuk ka pak “Përparim” në atë sallë parlamenti.
Reforma duhet, por me konsensus, debat, përplasje, dhe mbi të gjitha duke ruajtur dinjitetin e një shteti të pavarur.