Punë, por dhe “dajak” të ligjit

Ka një rritje të numrit të krimeve në vend. Pas atentateve me tritol, të cilat pas një jave janë ende pa autorë të dyshuar, Tirana është tronditur nga dy grabitje me armë. E para ishte grabitja spektakolare e një banke të nivelit të dytë në Tiranë, ku siç thuhet, grabitësit kanë marrë rreth 2 milionë euro. Ndërsa pasditen e djeshme objektiv i grabitjes me armë dhe me maska ishte biznesi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Nikollaq Neranxi. Zyrat kryesore të biznesit të tij në autostradë u sulmuan nga dy persona me armë të cilët kanë marrë një shumë prej 200 mijë lekësh që ndodheshin në arkën e kompanisë. Një rrëmbim personi disa ditë më parë në Fushë-Krujë, tritoli në banesën e drejtorit të Burgut të Bënçës në Tepelenë dhe disa vepra kriminale me synim grabitjen në rrethe, plotësojnë një mozaik që flet për shtimin e rasteve të kriminalitetit në vend. Mungesa e goditjes në kohë nga ana e policisë, si edhe moskapja e autorëve, pavarësisht statistikave të punës efiçente të ministrisë së Brendshme ka krijuar një efekt negativ në opinion.Më saktë frikë, ose gjendje shoku kudo. Ministria e Brendshme mund të mburret se statistikat tregojnë ulje të krimeve kundër personit dhe si pasojë, ka më pak viktima se disa vite më parë. Është e vërtetë se vrasjet janë më të rralla, por po kaq e vërtetë, është se krimet kundër pasurisë dhe pronës duket se këto muaj kanë njohur rritje të tmerrshme. Dëshmi për këtë janë shtimi i frikshëm i grabitjes, si ajo e bankave dhe kazinove në vend. Arsyet se përse ndodh kjo nuk duhen kërkuar vetëm tek ministria e Brendshme, pasi krime të tilla kanë dhe karakter social. Çka do të thotë, se derisa shumë persona po shohin si mënyrë pasurimi grabitjet, atëhere duhen parë dhe politikat e zhvillimit ekonomik në vend. Është fakt se ky lloj krimi njeh rritje vetëm kur vendi ka probleme ekonomike. Sigurisht, tundimi për të grabitur miliona euro nga bankat nuk shmanget me politika sociale, por rastet kur vidhen dyqane për 20 mijë lekë apo grabiten njerëz dhe banesa tregon se kriminaliteti nuk po luftohet dhe në aspektin social. Ndërsa atentatet me tritol, kanë tjetër tipologji dhe vijnë si reagim i krimit të organizuar dhe mafies, grabitjet kërkojnë të tjera masa nga autoritetet.Njërëzit duan punë, garanci dhe shpresë për një jetë më të mirë.

Por mes dy llojeve të krimit që po ndeshet sot Shqipëria, krimit ordiner të grabitjeve dhe krimit të organizuar të tritoleve, duket se ka një emërues të përbashkët. Ajo që po i frymëzon këto akte është kultura antishtet dhe antiligj që politika e ditës ka krijuar në vend. Gjithë retorika politike e opozitës ka pasur si qëllim kriminalizimin e institucioneve. Nuk ka vepruar më mirë as PS kur ishte në opozitë. Por akuzat ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për lidhje me krimin kanë bërë që pikërisht institucionet e rendit të duken më të dobëta dhe janë pikërisht ato që janë sulmuar gjatë atentateve të fundit me tritol. Sigurisht, nuk mund të thuhet siç deklaron një pjesë e mazhorancës që sulmet janë porositur nga opozita, por gjuha e përdorur nga opozita, thirrjet për përsëritjen e vitit 1997 dhe apeli për të mos njohur institucionet, duket se janë një mesazh që krimi e ka marrë si mbështetje. Tensioni politik dhe thirrjet për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme  kanë frymëzuar edhe këtë situatë shpërthyese të tritoleve dhe krimit ordiner në vend. Dikush duhet t’i thotë ‘stop’ këtij diversioni që bëhet, pasi zgjedhjet janë afër dhe si rregull, në të tilla situata konflikti rritet. Bile ka rrezik që të shtohen, edhe më shumë se kaq. Ndaj njërëzit janë të frikësuar e duan garanci nga Shteti i tyre.

Situata e krijuar në vend ka marrë një tjetër dimension dhe në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Ambasadorët e vendeve të NATO-së në Tiranë kanë zhvilluar dje një takim me ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli ku temë e bisedimeve mësohet se kanë qenë pikërisht atentatet e fundit me tritol. Për një vend që është pjesë e aleancës në disa misione paqeruajtëse në botë, kjo klimë shpërthyese me tritole duket se është paradoksale dhe kërkon një reagim të menjëhershëm të institucioneve. Reagimi duhet të jetë i egër ligjerisht dhe i pa mëshirshëm ndaj kujtdo. Sa më shumë  i lëshohet terren krimit, sidomos atij terrorist, aq më e vështirë mbetet ndërkohë vendosja e rendit publik kur dihet se po shkojmë drejt një pranvere më protesta masive kundër qeverisë. Akoma nuk keni parë se çfarë planesh ka në mendje Sali Berisha për Pranverën ndaj parashikohet një bllokim total i rrugëve në Tiranë, çka nëse i shtohet dhe destabiliteti i rendit publik, ka mundësi të hyjmë në një anarki. Edi Rama ka nevojë të jetë paksa më i qartë se ka nevojë jo vetëm për shtrengim ligjor mbi këdo e kudo, porse edhe Shteti nuk mund të jetë i pastër dhe i drejtë në çdo gjë në një kohë  të shkurtër, pasi është edhe çështje kulture, por në rradhë të parë duhet të kenë punë e mirëqënie njërëzit që më pas t’ju tundësh dajakun e ligjit. E punën e mirëqënien nuk mund ta sjellësh në një kohë kaq të shkurtër qeverisëse, se nuk ke mundësi e kohë e nuk është vetëm problem deshire. Një mandat politik është pak për atë që ke në mendje si lider, por që të mbarosh mandatin dhe të kapësh të dytin për atë që aspiron për një Shqipëri normale duhet dy hapa para e nganjëherë edhe ndonjë hap prapa. Kjo duket si teori kineze, por Kina është tashmë një supërfuqi botërore apo zoti Rama?

Ndaj së pari punë, mirëqënie për njërëzit dhe paralel me to edhe dajakun e ligjit.

Qamil  Xhani

SHKARKO APP