Qazim Sejdini: Nuk jam Kadim Sedini i Ben Blushit!

 

 

Ka sjellë jo pak reagime libri i ri i politikanit dhe shkrimtarit Ben Blushi. Romani “Kandidati”, një satirë e mprehtë e politikës së sotme vendos në qendër të vëmendjes politikanët dhe gazetarët shqiptarë. Një prej personazheve më të lakuar të romanit është ai i kandidatit në zgjedhjet vendore, Kadim Sedini. Emri i personazhit dhe i qyteti Basen ka bërë që situata në të cilën zhvillohen ngjarjet të ngjasojë me qytetin e Elbasanit, si edhe me kandidatin dhe kreun aktual të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Libri ka mjaft situata humori dhe satire, të cilat kanë nxitur dhe reagime të personazheve reale të jetës politike në vend, të cilët e gjejnë veten në rreshtat e romanit. Për shkak të interpretimeve të ndryshme të librit, i cili ka vetëm pak ditë që ka dalë në treg, reagimet kanë qenë edhe jo dashamirëse. Në mënyrë jozyrtare, dje qarkullonte një informacion se libri ishte ndaluar të shitej në Elbasan, për shkak të etiketimeve të personazheve të këtij qyteti. Hamëndjet shkonin deri tek kryetari i Bashkisë së Elbasanit, i cili siç thonë disa media është personazhi i librit të Blushit dhe për këtë libri quhej i ndaluar në Elbasan ku drejton Sejdini.

Ndërkaq, gazeta “Koha Jonë” kontaktoi dje me kreun e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili deklaroi se nëse kishte fyerje në roman, sipas tij, ato janë ndaj qytetit të Elbasanit dhe jo ndaj atij personalisht. 

Nuk e kam lexuar librin, ju jeni të parët që më pyesni. Nuk e di çfarë ka shkruar Ben Blushi. Nëse ka fyerje, nuk më ka fyer mua, por ka fyer qytetin. Unë jam kryetar Bashkie prej tre mandatesh. Sa për pretendimin se kam bllokuar shitjen e librit, kjo është qesharake dhe çuditem sesi më bëni një pyetje të tillë. Kush jam unë që mund të bllokoj shitjen e një libri?! Është absurde”, – u shpreh dje kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sjedini.

Personazhet e përmendura në roman kanë sivëllezërit e tyre në jetën reale. Diku më shumë dhe diku më pak, pas emrave të zgjedhur me mjeshtëri nga Blushi, dallohen siluetat e njerëzve realë të politikës apo të mediave. Romani “Kandidati” i Blushit merr përsipër të na tregojë se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri, duke sjellë të gjitha situatat anormale të politikës në vend. Kandidati Kadim Sedini kërkon të fitojë zgjedhjet për herë të katërt, vetëm se tani është i vdekur. Ja si e përshkruan ai në libër kandidatin Sedini:

“Më kërkuan të ngjall një të vdekur dhe meqë ato kohë nuk kishte asgjë më të mirë për të bërë, pranova. Njeriu që kishte vdekur ishte kryetari i Bashkisë së Basenit. Quhej Kadim Sedini. Gruaja e tij erdhi në zyrën time dhe më tha se donte që burri të rizgjidhej kryetar bashkie. Nëse e ndihmoja, do të më paguante. Sa të doja, tha gruaja…”, citohet në një prej pjesëve të librit. Ironi therëse!

Por teksa shpjegon garën e çuditshme me një “kandidat të vdekur”, Blushi analizon edhe votuesit që e votuan atë për mandatin e katërt. 

“Si e kanë votuar Kadim Sedinin tre herë rresht, mendova. Nëse do të jetoja aty, s’do mund ta votoja kurrë. Ai njeriu përfaqësonte gjithë përtacinë e shekujve që kishin kaluar mbi qytet. Por mesa duket Kadim Sedini nuk e kishte fuqinë tek punët e mira. Ai kishte qenë një zanatçi elektoral. E kishte kthyer në industri aftësinë për të mbledhur vota dhe ndoshta këtë talent ia kishte trashëguar edhe të birit. Zgjedhjet për të ishin një biznes dhe biznesi i tij ishin zgjedhjet. Nëse kjo ishte e vërtetë atëherë makinacionet e mia në internet nuk kishin asnjë vlerë. Shqipëria mund të jetonte disa javë me fabulat e mia të stisura, por ato nuk mund të kishin asnjë ndikim mbi votën e Basenit”.

Realisht libri i Ben Blushit po shitet nëpër libraritë e Republikës dhe ka kërkesa të shumta, ndërkohë që në Elbasan shitet nën dorë.

Është reagimi i personazheve të librit ndaj librit të Blushit?

 

SHKARKO APP