Që Brukseli të mos përsëritet në Tiranë!

Carlie Hedbo, Paris, Bataklan, Bruksel. Janë të gjithë emra të ndryshëm që i lidhin vetëm dy fjalë, terrorizëm dhe tragjedi. Në një vit militantët e të ashtuquajturit Shteti Islamik kanë goditur të paktën katër herë qendrat europiane, duke lënë rreth 200 të vdekur dhe rreth 1 mijë plagosur. Mediat, metrotë, sallat e koncerteve dhe aeroportet janë shënjestra e terrorit duke sulmuar Europën në atë çfarë përfaqëson ajo; lirinë.

Dje ishte radha e Brukselit, zemra e Bashkimit Europian. 34 të vrarë dhe të paktën 230 të plagosur. Sulmi u krye në aeroporte dhe metro, jo shumë larg sallës së Komisionit Europian. Mesazhi ishte i qartë, kur terroristët godasin qendrën e Bashkimit Europian, të gjitha vendet e tjera nuk janë më të sigurta. Brukseli përfaqëson ngrehinën e Uninonit Europian. Është qyteti, ku gjithë politika e kontinentit mblidhet në pak institucione për të prodhuar vendime dhe siguri për qytetarët. Në momentin ku qendra e kontinentit europian është sulmuar, pasiguria për pjesën tjetër të BE-së bëhet edhe më e madhe. Nga dje askush nuk është më i sigurt. Terrorizmi mund të godasë kurdo dhe këdo.

Masakra është dëshmi se Europa prej kohësh ka hyrë në një luftë të re. Një luftë që zyrtarët e BE-së kanë refuzuar ta shohin duke u fshehur pas sjelljeve tipike burokratike e shumë liberale. Tashmë e kanë para syve, në formën që askush nuk do donte të ishte, me gjak dhe terror në rrugët e Brukselit.

Europa po paguan koston e mosangazhimit të saj. Dikur zyrtarët e BE-së kritikonin ashpërsinë e ndërhyrjes së SHBA-ve në Lindjen e Mesme. Jepnin leksione demokracie sesi të sillen me terroristët në Irak dhe Afganistan. Kërkojnë të shmangin terrorizmin me dialog, kur dihet se rregulli i parë në këto situata është se me terroristët nuk negociohet. Lanë të lindte para syve të tyre një përbindësh si Shteti Islamik në Siri dhe Irak, duke mos u angazhuar për eliminimin e tij që në nisje. Mosgoditja ndaj ISIS katër vjet më parë ka bërë që “ushtarët” e kësaj organizate kriminale të vijnë drejt Europës. Sot ndodhen para një dileme për refugjatët, kur e dinë shumë mirë se bashkë me ta u kanë hapur dyert e kamikazëve si ata që shpërthyen në Bruksel. Interesat lokale të vendeve të BE-së kanë bërë që terroristët të lëviznin në vendet e unionit si turist, pa u shqetësuar nga askush. Ka nevojë për rregulla të forta kontrolluese, natyrisht jo bllokuese, porse shërbimet inteligjente duhet të bashkëpunojnë e jo t’ia faturojnë njëri- tjetrit të keqen, të cilëve e kanë para syve në Gjermani, Francë, Belgjikë, por edhe në Britani.

Tragjedia e Brukselit është një alarm për gjithë kontinentin. Si e tillë edhe Shqipëria nuk mund të anashkalojë mesazhet e një situate emergjence. Ka disa arsye që e rendisin vendin tonë në një potencial të ekstremizmit të dhunshëm. E para, janë rreth 150 militantë që mendohet se i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri. Një shifër e tillë, për një popull me 3 milionë banorë është e lartë dhe rreziku se një ditë mund të kthehen si pjesë e celulave ekstremiste është gjithmonë i pranishëm.

Sy dyti, Shqipëria është gati të pres një numër të madh refugjatësh nga Siria dhe Iraku. Qeveria është e detyruar të tregojë solidaritetin e saj për njerëzit në nevojë, por humanizmi nuk duhet të anashkalojë sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Verifikimi dhe kontrolli strikt i gjithë emigrantëve dhe shkëmbimi i informacioneve me shërbimet e vendeve të tjera mbetet sfida kryesore e institucioneve tona të sigurisë.

Arsyeja e fundit lidhet me predikimet në disa xhami jashtë kontrollit të komunitetit mysliman. Raportimet në media flasin për një radikalizim të disa besimtarëve nga fondacione dhe organizata të huaja. Ekziston rreziku se këto grupe të izoluara mund të shkojnë në ekstremizëm të dhunshëm. Të gjitha këto arsye e bëjnë çështjen e ekstremizmit të dhunshëm një detyrë kryesore të institucioneve tona të sigurisë. Dje Shërbimet e Sigurisë u vunë në lëvizje në Aeroportin e Rinasit dhe në zonat e populluara në Tiranë. Por duhen masa parandaluese gjatë gjithë kohës, jo kur ngjarjet ndodhin.

Në radion gjermane “DW” Bernd Riegert shkruante dje se, sulmet terroriste ishin çmimi i hidhur i një Belgjike liberale. Dhe më tej shton se: “Tashmë është treguar, se duhen ndërmarrë më shumë masa kundër terrorit. Terroristët mund të vrasin verbërisht, të paralizojnë një vend të tërë dhe të nxisin kaos. Shteti duhet të kundërgodasë me të gjithë forcën. Nëse hetuesit dhe policia kanë nevojë për më shumë mjete, atëherë atyre duhet t’u jepen ato. Mbrojtja e të dhënave dhe të drejtat personale të individit, p.sh. për shqyrtimin e të dhënave të komunikacionit, duhet të kufizohen. Bëhet fjalë për sigurinë tonë të të gjithëve”.

Shqipëria nuk është liberale si Belgjika që mori çmimin e pa merituar nga liria e madhe e këtyre elementëve, por Tirana zyrtare është jashtë orbite tokësore, pasi nuk ka liberalizëm, por shthurje dhe pshurrje të sistemit të sigurisë kombëtare.

Qamil Xhani

 

SHKARKO APP