Qeveria, me sytë nga xhepat e Europës
Presidentja e re e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi se Komisioni ka akorduar një fond për 15 milionë eurosh, si ndihmë ndaj Shqipërisë. Presidenti i Francës, Emanuel Macron konfirmoi dje se Franca do të ndihmojë Shqipërinë. Madje, Macron deklaroi se organizatorja e konferencës së donatorëve për Shqipërinë do të jetë pikërisht Franca, në bashkëpunim me BE.
Pas kalimit të fazës së parë të tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit, tashmë nis faza dhe më e vështirë; ringritja e banesave të shkatërruara dhe strehimi i mijëra banorëve që u dëmtuan. Autoritet shtetërore nuk kanë ende një bilanc të plotë të dëmeve që la pas tërmeti shkatërrues. Të dhënat e para flasin për më shumë se 7 mijë banesa, por harta e dëmeve zgjerohet çdo ditë. Nga Durrësi dhe Thumana ku tërmeti ishte vrastar, zonat e prekura janë shtuar çdo ditë duke përfshirë pjesë të Tiranës, Lezhës, Laçit, Krujës dhe shumë zona të tjera. Në historinë e Shqipërisë asnjë fatkeqësi natyrore nuk ka prekur kaq shumë territor dhe kaq shumë banorë. Është një situatë me pasoja të frikshme në ekonomi që po shfaqet ditë pas dite në formën e saj më të rëndë. Ekspertë të ekonomisë thonë se dëmet ekonomike të kësaj tragjedie janë më shumë se 1 miliardw euro. Shifra është paraprake dhe duke u bazuar vetëm në atë që shihet në media dhe mes duket shumë larg dëmit real. Ndërkohë në terren pasojat e shkatërrimit janë shumë herë më të mëdha nga ato që imagjinohen. Televizioni gjerman ARD dje fliste mbi 1 miliard dollarë dëme, një shifër kjo shume shtete më të zhvilluara sesa ne do t’i gjunjëzonte. Ndërkohë Shqipëria edhe pa tërmetin ka pasur një ekonomie me probleme dhe një buxhet që quan investime të rëndësishme vetëm lekët që u jep projekteve të dyshimta të oligarkëve. Tërmeti ka rrëzuar gjithë skenarët pozitivë të ekonomisë dhe gjithë projektet për zhvillim dhe investime. Qeveria nuk e thotë sesa para ka në fondin e emergjencave, por edhe pa folur kryeministri apo të tjerë të gjithë e dinë se kjo tragjedi e ka gjetur arkën e shtetit vetëm me rrogat për administratën dhe asnjë qindarkë për të përballur krizat. E vetmja shpresë për të ringritur banesat dhe vendin janë donacionet dhe marrja e ndihmës nga vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare. Këto ditë Shqipëria ka parë një solidaritet të jashtëzakonshëm. Me mijëra qytetarë, artistë, biznesmenë, aktivistë të shoqërisë civile dhe shtetas të huaj janë vënë në lëvizje si asnjë herë më parë. Janë miliona euro që janë dhënë në mënyrë individuale nga qytetarë shqiptarë dhe shqiptarë të Kosovës që janë prekur nga tragjedia kombëtare. Nuk mungojnë dhe artistë me famë botërore si Bebe Rexha dhe Dua Lipa, etj, që janë vënë në krye të një fushatë ndërkombëtare për të ndihmuar Shqipërinë. Janë të gjitha ndihma të jashtëzakonshme që tregojnë zemrën e madhe të këtyre njerëzve, por duhet të jemi realist, kostoja ekonomike e tragjedisë është aq e madhe sa kontribute të tilla sado të mëdha nuk mjaftojnë. 1 miliard euro është një shumë e frikshme për t’u përballuar vetëm nga donacionet dhe zemërgjerësia e qytetarëve. Ndaj për ringritjen e vendit, strehimin e banorëve dhe shpëtimin e ekonomisë së Shqipërisë duhen projekte dhe plane ndërkombëtare. Dje u dha sinjali i parë nga Bashkimi Europian se çështja e tragjedisë shqiptare trajtohet në mënyrë emergjente në strukturat e saj. Presidentja e re e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi se Komisioni ka akorduar një fond për 15 milionë eurosh, si ndihmë ndaj Shqipërisë. Ndërkohë lajmi më i mirë është se vendet e BE kanë rënë dakord që të organizojnë një konferencë ndërkombëtare donatorësh për përballimin e situatës pas tërmetit në Shqipëri. Presidenti i Francës, Emanuel Macron konfirmoi dje se Franca do të ndihmojë Shqipërinë. Madje, Macron deklaroi se organizatorja e konferencës së donatorëve për Shqipërinë do të jetë pikërisht Franca, në bashkëpunim me BE. Kryeministri i Britanisë Boris Johnson konfirmoi se pasi është njohur me detajet e tragjedisë në Shqipëri, ka vendosur që Anglia të kontribuojë kolektivisht me vendet e tjera për përballimin e situatës. Gjithashtu në lëvizje janë vënë mekanizmat e OKB dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, të cilat kanë përvojë në ndihmën ndaj vendeve në kriza të tilla humanitare, siç po kalon Shqipëria. Ndërkohë që shqiptarët i kanë sytë nga BE-ja dhe vendet e tjera, kjo situatë kërkon dhe përgjegjshmëri nga qeveria. Organizatat ndërkombëtare, BE dhe kushdo që jep qoftë edhe një cent ndihmë kanë nevojë për garanci, projekte konkrete dhe transparencë për përdorimin e fondeve që japin. Është një detyrë e qeverisë që në këtë situatë në takimet me ndërkombëtarët të shkojë me projekte, bilance dhe me ide konkrete për të treguar se ku dhe si do të përdoren këto fonde.
Mili Xhani
ReplyForward |