Qeveria: Regjistrohuni dhe paguani, ndryshe…!
Pak ditë para nisjes së aksionit kombëtar, qeveria ka dhënë dje publikisht apelin e fundit ndaj çdo biznesi, të madh apo të vogël, për regjistrimin dhe pagesën e taksave. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj bëri të ditur dje se nisma do të vendosë më së fundi rregull në gjithë sektorët ekonomikë. Qëndrimi i Ahmetajt pason atë të kryeministrit Edi Rama disa javë më parë, që e cilësoi këtë aksion si më të madhin, pas atij për energjinë elektrike. Ky muaj ka shërbyer nga qeveria si paralajmërues për bizneset. Ata që nuk kanë në rregull dokumentet dhe nuk kanë paguar faturat tatimore, kanë pasur mundësi disa javë për të qenë korrekte më ligjin. Më pas, Policia Tatimore, sektori i Doganave dhe Policia e Shtetit pritet të nisin kontrollet në çdo biznes të vendit.
Por përse është i nevojshëm një operacion i tillë në shkallë kombëtare? Të dhënat tregojnë se 1/3-ta, ose thënë ndryshe më shumë se 33% e bizneseve në gjithë vendin punojnë në informalitet. Pjesë e shmangies është dhe strategjia që aplikohet prej vitesh nga pjesa më e madhe e bizneseve, ajo e mbajtjes së punëtorëve në punë të zezë, duke mos paguar sigurimet, dhe aplikimi me dy bilance për të shmangur tatimet. Nëse u shtojmë këtyre të dhënave edhe problemet me evazionin dhe kontrabandën në disa sektorë, atëherë shifrat duhet të jenë disa herë më të mëdha. Më skandaloz për bilancet e kompanive është dhe fakti i pranuar nga vetë drejtuesit e institucioneve financare në vend, se gati gjysma e gjithë biznesve në Shqipëri nuk u japin klientëve faturat fiskale. Kuptohet që kjo fshehje sjell më pas edhe krijimin e bilanceve fiktive. Një pjesë tjetër e bizneseve kanë gjetur një formë të re shmangie të ligjit duke u dhënë klientëve fatura që s’kanë vlerë ligjore dhe fiskale.
Kjo situatë e mbartur prej kohësh e ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen e qeverisë me dorë të fortë. Aksioni i radhës i qeverisë vjen edhe si një kusht i vendosur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kjo pasi, me këtë shifër të lartë informaliteteti asnjë qeveri apo ministri nuk është në gjendje që të llogarisë ecurinë reale të ekonomisë dhe për pasojë, asnjë institucion ndërkombëtar nuk mund të japë fonde për një vend që nuk arrin të ketë shifra dhe bilance reale. Mbi të gjitha, aksioni i qeverisë është i domosdoshëm edhe për fakt tjetër negativ. Gjatë këtij viti, drejtuesit e qeverisë kanë pranuar se nuk janë realizuar të ardhurat në tatime dhe dogana. Për opozitën, më shumë se 150 milionë euro të humbura në tatime dhe dogana. Në këtë situatë, shtrëngimi i rripave të bizneseve që shkelin ligjin është zgjidhja më e mirë dhe e nevojshme.
Ndërhyrja është e nevojshme gjithashtu edhe për krjuar rregulla të qarta tregu. Janë me qindra biznese që duke fshehur faturat mashtrojnë shtetin dhe bankat, madje përfitojnë dhe subvencione për bilance që në realitet nuk ekzistojnë. Kjo ka bërë që bizneset e ndershme që paguajnë taksat të eliminohen nga tregu me mënyra të tilla të jashtëligjshme. Ndaj është e domosdoshme që shteti të vendosë rregulla të njëjta për të gjithë bizneset duke ndarë përfundimisht biznesin kriminal nga biznesi i ndershëm.
Qeveria la afat një muaj. Dje, ministri Arben Ahmetaj paralajmëroi për dhjetët ditët e fundit ku bizneset kanë kohë të kryejnë procedurat. Në të kundërt, dora e shtetit do të godasë me gjoba dhe me procedurat penale për falsifikim dhe mashtrim gjithë bizneset.
Duhet që sejcili që ka një biznes, sado të vogël, të paguajë taksa. Kështu mbahet shteti dhe ai të garanton më pas infrastrukturë, rend, shkolla, punë ,etj. Por Shteti duhet të jetë i rreptë e jo dikush paguan e tjetri nuk paguan.
Edhe 11 ditë kanë mbetur nga supëraksioni kombëtar kundra informalitetit.