Qyteti i vdekur
Nga Frrok Çupi
Sot në mëngjes, për gjithë globin, dy qytete u zgjuan të vdekur. Për të dy, vdekja është paralajmëruar:
Në Këln të Gjermanisë , 20 mijë qytetarë do të evakuohen forcërisht nga shtëpitë e tyre. (Vini re: Në Gjermani përdoret fjala "forcërisht"!). Gjithashtu kopshtet e fëmijëve do të mbyllen, shkollat gjithashtu, por edhe kafshët e kopshteve zoologjike do të evakuohen. Gjatë gjithë ditës, deri në mbrëmje, qyteti thuajse nuk mori frymë.
Qyteti i dytë, Tirana, kryeqyteti i atdheut tonë.
Që në ora dhjetë të mëngjesit, qytetit iu ndal lëvizja. Fillimisht lëvizja e njerëzve në bulevard dhe pranë selive qeveritare. Pastaj ndaloi lëvizja e makinave, njësoj si t'i pushonte qytetit zemra e hekurt e implementuar veç para njëzet vjetësh. Më parë, gjatë diktaturës komuniste, nuk lejoheshin makinat. Atëherë vetë lëvizja si nocion e fenomen, ndodhej e shtruar në klinikë e askush nuk e kuptonte ndryshimin mes jetës dhe vdekjes.
Ja sot…. Në bulevardin e madh ka veç ca njerëz të krisur që kanë guxuar të bëjnë punë urgjente e prapë të mbyllen në shtëpi. Nga larg shikohen uniforma policie; policë të grumbulluar nga katër e nga pesë, si të ishin ata që do ta pësonin të parët goditjen dhe të përqafuar grupe- grupe po prisnin vdekjen e qytetit. Policët e dinin se në cilën minutë do të ndalonte zemra…
Asgjë tjetër.
Bulevardi i madh i periudhës së Fashizmit dihat nga zbrazëtia. Bulevardi, i thërritur herë "Musolini", herë "Martirët kundër Musolinit" (Nazi- Fashizmit), duket se shfryn andej nga Perëndimi, drejt aeroportit.
Një si absurd: Duket se vdekja e qytetit vjen andej nga aeroporti.
Aeroportet janë pikat më të gjalla të globit, ndërsa që nga Rinasi ynë sot vjen e kundërta. Për të ruajtur një njeri të gjallë që vjen si mysafir politik, gjithçka tjetër është vënë në gjumë, si në vdekje.
Vjen kryeministri i shtetit të Serbisë, Alexandër Vuçiç, një djalë i ri që ka përsëritur emra nga dinastitë e mëdha mbretërore të Serbisë. Asgjë nuk pipëtin. Veç një helikopter ushtarak i stërmadh dhe i fuqishëm bën rrugën nga Rinasi, nëpër bulevardin e madh të Tiranës, te "Nënë Tereza" dhe deri te Pallati i Brigadave. (E shikoni, edhe emrat e shesheve e rrugëve vijnë nga njerëz që sot nuk jetojnë: Nënë tereza, Brigadat Partizane, Mbretërori, Dëshmorët e Kombit). Pastaj vjen nëpër rrugicat e qytetit, gati duke prekur ballkonet e shtëpive. Helikopteri herë duket si një përbindësh i frikshëm, herë si një kandil ortodoks që shpërndan tymin e temjanit mbi trupin e të vdekurit.
Çudi! Gjithçka në qytet sot është ndërthurur mes jetës dhe vdekjes.
Një djalë i ri, pinjoll i mbretërive të vdekura, vjen si një perandor i gjallë në Shqipëri. Këtu gjenë një qytet krejt të vdekur. Njerëzit "naivë" më kanë folur gjithë ditën për këtë ngjarje e më kanë thënë se "nuk është në zakonin tonë ta presim mikun pa njeri të gjallë në rrugë e në shtëpi!". Vërtet të jetë naivitet?! Apo kështu duhet gjykuar: Pse t'i fshehësh njerëzit e shtëpisë tënde nga mysafiri; ose mysafirin nga njerëzit?! Po të mos takojë "mbreti" fqinj njerëzit e vendit fqinj, përsëri vizita nuk mund të quhet e gjallë. Po pse, vallë, veç vitrina dhe mure duhet të prekë miku?!
Të gjitha janë të vdekura. Në rrugë nuk ka njerëz, as makina, as lëvizje.
Një jetë e tërë në dy a tre breza, kështu ka qenë marrëdhënia mes dy shteteve, mes Serbisë e Shqipërisë: As e vdekur, por as e gjallë! Edhe tani, tek duket se pinjolli i mbretërive serbe që iu dhanë shkëndija luftërave botërore, ka ardhur për të ngjallur marrëdhënien e vdekur, nuk po bën asgjë më shumë se sa ka bërë periudha e pa jetë.
Gjithçka sot është ndërthurur mes jetës dhe vdekjes së qytetit.
Edhe Këlni, qytet i magjishëm në Gjermani, u zgjua me paralajmërimin se "kësaj dite do të jetoni si të vdekur". U evakuuan 20 mijë njerëz dhe gjithë ditën nuk i panë shtëpitë e tyre me sy.
Të dy qytetet, Këlni dhe Tirana, që u zgjuan me paralajmërimin e paralizës, vdekjen e prisin nga i njëjti shkak: Nga Lufta!
Këlni nga Lufta e Dytë Botërore.
Ndërsa Tirana, nga të gjitha luftërat, me sa duket.
As mbahet mend qysh kur Shqipëria ndodhet në armiqësi me Serbinë. As shkaku nuk mbahet mend: Disa, që bëjnë si historianë përmendin vitin 1389, kur në betejën e Kosovës u mund sulltan Murati. Disa të tjerë përmendin vitin 1913. Të tjerë Kosovën. Të tjerë Titon dhe Enverin… Por që është një konflikt i pa moshë, që mund të quhet edhe "as i gjallë e as i vdekur".
Sot kryeministri i Serbisë ka ardhur për të ngjallur marrëdhënien e mirë të fqinjëve, por ka ardhur në një terren ku qeveria ka ndaluar lëvizjen; ndoshta edhe me miratimin e tij protokollar.
Ndërsa paralizës së Këlnit i dihet shkaku; shkaku është Lufta e Dytë Botërore. Këto ditë në qytet u zbulua një bombë me peshë dy tonë, e mbetur që nga Lufta e Dytë. Autoritetet vendosen ta nxjerrin nga nëntoka dhe ta shpërthejnë; prandaj evakouan qytetarët dhe qyteti u duk si në një vdekje të paralajmëruar. Vetë ky fakt, fakti që shkaku i Këlnit është i qartë, dëshmon se ky qytet nesër do të jetë i gjallë; i gjallë siç ishte. Aktet e qarta nuk sjellin kurrë vdekje të gjatë.
Çfarë do të ndodhë me Tiranën?
Tirana do të ketë kushedi sa herë vdekje të paralajmëruar. Kushedi sa miq- armiq do ta vizitojnë vendin tonë; dhe, atëherë udhëheqja servile para armikut dhe fodulle para mikut (mik është çdo qytetar), do të urdhërojë që qyteti të shtrihet si i vdekur e të mos pipëtijë. Sot ishte një ditë mortore; të vinte keq për vete e për tjetrin. Një ditë e hequr nga jeta, sepse një ditë pa lëvizje është një ditë e vdekur.
Ky qytet ka falur shumë ditë nga jeta e vet. Ua ka falur diktaturave, demokracisë, ngrefosjes, lavdisë së shtirur, inferioritetit, servilizmit… Në fakt ka humbur shumë nga dinjiteti, duke u bërë i gatshëm që të vdesë pa ditur arsyen. Vetë qyteti e ka ndjerë në koshiencë se pas njerëz vdekje do të vijë tjetra. Pas vdekjes prej triumfit fashist vjen triumfi komunist vdekatar, pastaj përulja para fqinjit…
Kështu e ka ulur kokën qyteti. Mbytet në ujë sapo bie pak shi. Ndotet nga një lumë që nuk është lumë. Fshihet nga frika e eklipsit të diellit e hënës. Voton mashtruesin më të spikatur. Ka humbur kujtesën, ka harruar adresat, mban mend vetëm pezhorativë si "Pallati me Shigjeta", ose "Xingoni", edhe pse ka mijëra emra njerëzish që i ka vënë në rrugë. Ka harruar edhe sallat e artit e të kinemasë. Ka harruar ballot, serenatat, vallëzimet…
Qyteti është gjithnjë i përgatitur që të vdesë sapo t'ia kërkojnë. Edhe pas kësaj dite të vdekur, një vizitor tjetër mund të vijë me makinën e madhe të frikës, që herë- herë duket si kandili i temjanit mbi trupin e pajetë.
Prandaj mendon se nuk ka pse i jep vetes aq shumë jetë. .. Ç'e do? Që t'ia falë temjanit.
27 Maj 2015