Radio shtetërore gjermane DW: Meta në të njëjtën linjë me Berlinin, kundër ndryshimit të kufijve

Radio shtetërore gjermane “Deutsche Welle” ka analizuar konfliktin mes Presidencës dhe Kryeministrisë për mos dekretimin e Ministrit të Jashtëm. Në raportimin e saj, DW shton se konflikti ka për bazë qëndrimet lidhur me ndarjen e Kosovës.

Ndërsa thekson se: “Presidenti Meta dhe ministri Bushati  nuk e mbështesin këtë opsion, duke qënë kështu në të njëjtën linjë me qëndrimin zyrtar të  Gjermanisë. Kryeministri Rama ka evituar të deklarojë qëndrimin e tij, duke lënë të kuptohet që mund edhe të mos e përjashtojë si opsion.  Si Meta edhe Bushati kanë shprehur në mënyrë konseguente idenë, se ndryshim i kufinjve sjell rreziqe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”.

Më poshtë artikulli i plotë i Deutsche Welle: Mosdekretimi i Gent Cakajt si ministër i Jashtëm nga presidenti Ilir Meta nxjerr në pah krizën mes institucionit të Presidencës dhe Kryeministrisë në Shqipëri.

Një krizë e shpallur publike mes institucioinit të Presidencës dhe Kryemnistrisë rrezikon të thellohet. Shkaku që del në sipërfaqe është refuzimi i presidentit Ilir Meta për të dekretuar ministër të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakajn nga Prishtina, të propozuar nga kryeministri Edi Rama për këtë post, pas ndryshimeve të thella në qeverinë e tij, dy javë më parë, që përfshinë edhe largimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.

Presidenti Meta e argumentoi refuzimin me profilin e 28 vjecarit nga Kosova, Genti Cakaj. Për Metën: “Genti Cakaj ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”. Për të argumentuar profilin ‘e papërshtatshëm’ të Gent Cakajt, presidenti i referohet disa deklaratave të dhëna nga Cakaj vitin e kaluar, në një ermision televiziv: “për shkëmbimin e territorreve apo korrigjimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës”. Meta citon Cakajn të ketë thënë se “shkëmbimi i kufijve po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”. Një argunment tjetër është moskryerja nga Gent Cakaj, e detyrimit ligjor për marrjen e Certifikatës së Sigurisë, kur në qershor 2018 , nga këshilltar i kryeministrit Rama ai u emërua zv.ministër i Jahtëm , gjë që për Presidentin Meta “përbën shkelje penale, të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi që jo vetëm ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor”.

Kriza institucionale në Shqipëri dhe marrveshja Kosovë-Serbi

Arben Cici, Drejtor i Kabinetit të Presidentit Meta, në një deklaratë për një kanal televiziv në Tiranë, komentoi qëndrimin e mësipërm publik të Presidentit Meta për deklaratat e z. Cakaj lidhur me ndryshimin e kufjve Kosovë-Serbi. ” Intervista e z. Cakaj, në nëntor të vitit të kaluar, ka shumë qëndrime ambigue, sidomos kur bëhet fjalë për politikën e jashtme rajonale dhe çështjen e kufijve, shkëmbime ose korrigjime territoriale që shkojnë ndesh si me parimet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë ashtu edhe me vetë programin e qeverisë shqiptare si edhe politikën e NATO-së, BE-së në qasjen e tyre rajonale.”

Kryeministri Rama e quajti të turpshëm refuzimin e Presidentit Meta dhe i kërkoi madje ndjesë Kosovës. Presidenti Meta reagoi duke thënë, se “integriteti territorial dhe pavarësia e Kosovës janë të paprekshme”. Të premten, ( 11.01.) kriza mes presidencës dhe kryeministrisë u thellua, pothuajse “in extremis” pëwrmes postimeve në rrjetet sociale nga të dyja palët. Presidenti Meta shkruan (11.01)në median sociale se kryeministri Rama “bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, Në pritjen me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, të enjten ( 10.01.) Rama e quajti refuzimin e dekretimit të Gent Cakajt “avaz të vjetër të Presidentit të Republikës”.

I riu 28 vjecar ngaq Prishtina Gent Cakaj është kthyer në personazhin e ditës në Tiranë . Duket se është shndërruar edhe në një “casus belli” për shpërthimin publik të shkakut të krizës institucionale në Shqipëri mes Presidencës dhe Kryeministrisë, pas daljes në pah të refuzimit.

Duket se shkaku real është qëndrim i ndryshëm i presidentit Meta dhe Ministrit të jashtëm Bushati, ndaj mundësisë për të normalizuar marrdhëniet Kosovë- Serbi përmes ndryshimit të kufijve. Presidenti Meta dhe ministri Bushati nuk e mbështesin këtë opsion, duke qënë kështu në të njëjtën linjë me qëndrimin zyrtar të Gjermanisë. Kryeministri Rama ka evituar të deklarojë qëndrimin e tij, duke lënë të kuptohet që mund edhe të mos e përjashtojë si opsion. Si Meta edhe Bushati kanë shprehur në mënyrë konseguente idenë, se ndryshim i kufinjve sjell rreziqe për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë presidentit për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!- shkruan të premten në facebook , presidenti Ilir Meta.

Marrë nga Deutsche Welle

SHKARKO APP