William Rajersoni, ish-diplomati amerikan servil i Berishës së I-rë!
Qamil Xhani.
Konsensusi politik për reformën në drejtësi ka mbetur te neni i famshëm “88” i Rekomandimeve të Venecias. Ndërkombëtarët thuajse çdo ditë bëjnë apel për votimin e reformës nga ana e Partisë Demokratike, duke kërkuar edhe vota të deputetëve jashtë vendimit të selisë blu për bojkot. Veç diplomatëve që kanë status të veçantë në zhvillimet në Shqipëri, dje nuk ka munguar dhe reagimi i ish-ambasadorit amerikan në Shqipëri, gjatë viteve 1991-1994, Vvilliam Ryerson që kërkonte nga PD-ja votimin e reformës. Ish-diplomati në pension, që me zor e kanë ngritur nga krevati, doli e tha se shpresonte se në PD do të ketë disa deputetë që do votojnë dhe nuk do të jenë kukulla të udhëheqjes së tyre. Në fakt ai doli për të goditur Berishën, ish-mikun e tij me të cilin urdhëroi arrestimin e Fatos Nanos me burg politik, heqjen e imunitetit të deputetit më të ri në Parlamentin e kohës, Ilir Metës, si dhe krijoi piramidën më të keqe të drejtësisë në historinë e Europës, atë të “plepave të Durrësit”. Ishte Rajerson që së bashku me Berishën në atëkohë ideuan largimin e gjyqtarëve me eksperiencë duke futur me kurse 6 -mujore një batalion me “gjyqtarët e së ardhmes”, të cilët nuk kishin as shkollë, por me një kurs 6 -mujor morën drejtësinë e Shqipërisë për shumë vite.
Në fakt vetëm ky ish-ambasador amerikan nuk duhej të dilte e të fliste! Kushdo mund të dilte, por vetëm ky, jo. Sepse ai ambasador, duke përdorur edhe emrin e madh të SHBA-ve, sakatoi sistemin e drejtësisë në vend si dhe mbështeti arrestimet politike të Sali Berishës. Ai nuk foli asnjë fjalë për arrestimet e kryeredaktorit dhe zv/kryeredaktorit të “Koha Jonë” asokohe, por futi bishtin ndër shalë, ndërkohë që ishte Departamenti Amerikan i Shtetit që foli pro gazetarëve të medias më të madhe të kohës.
Rajersoni doli me poture në krah duke na dhënë mend se si duhet të veprojmë në Shqipëri, ndërkohë që, këtu ka një ambasador ekselent si Donald Lu, i cili vrapon përditë sa tek njëra parti tek tjetra për hir të një drejtësie europiane dhe për një stabilitet politik.
Këto “leksione” të ish-ambasadorit salist kanë sjellë dje një reagim të ashpër të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Zv/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, komentoi dje, jo qëndrimin e SHBA-ve, por qëndrimin e një diplomati në pension që në Shqipëri ka një histori të veçantë. Është diplomati i parë i SHBA-ve pas rënies së komunizmit që gjatë mandatit të tij doli hapur në fushatë për Partinë Demokratike. Sigurisht, në vitet 1990 një gjest i tillë ishte i kuptueshëm deri tek fushata, por ato që ndodhën më pas me mbështetjen personale që Ryerson i dha Sali Berishës nuk prodhuan një sistem demokratik, por një diktaturë që dihet sesi përfundoi në vitin 1997. Aq më tepër që Rajerson fliste për reformën në drejtësi, një temë që e ka trajtuar rreth 20 vjet më parë me Sali Berishën, teksa bëri reformën e parë në sistemin juridik në vend pas rënies së komunizmit. “Ishte Berisha dhe Rajerson që kanë bërë reformë historike në thonjëza të drejtësisë që njihet si “reformë e plepave” dhe ju këtë nuk e keni harruar,- theksoi Petrit Vasili. “Pasoja shumë të rënda, të cilat i kanë sjellë në këtë nivel kaq kritik të drejtësisë. Kjo është një arsye themelore, shumë parimore. Rajerson është njeriu i fundit, që mund të jepte këshilla për reformën në drejtësi”,- tha zëvendëskryetari i LSI-së, Petrit Vasili.
Por çfarë është “reforma e plepave” dhe çfarë lidhje ka me reformën në drejtësi sot Rajerson? Pas viteve 1990 dhe me rënien e sistemit komunist, shteti shqiptar u ndodh para situatës, ku sistemi i drejtësisë kishte gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e kohës së komunizmit. Për këtë qëllim në sistem u futën njerëz të rinj, por pa arsimin dhe profesionalizmin e duhur. Nën drejtimin e Berishës, president në atë kohë dhe mbështetjen personale të Rajerson, i vetmi arsimim i gjyqtarëve të rinj ishte një kurs 6- mujor, në godinat e Ministrisë së Brendshme në zonën e Plepave në Durrës. Pas 6 muajsh kurs teorik, gjithë gjyqtarët u futën në sistem dhe morën detyra të rëndësishme. Nëse sot ankohemi për drejtësi të korruptuar dhe gjyqtarë të paaftë, duhet të kujtojmë se një pjesë e këtyre gjyqtarëve teorikisht kanë vetëm 6 muaj shkollë. Ky është skandali i parë që e rrëzoi drejtësinë shqiptare që në nisje të saj. Sepse gjyqtarë të tillë amatorë u bënë më pas profesionistë të lëpirjes së politikës dhe menaxherë të mirë të parave që vjelin nga gjyqet. Këtë sistem e bekoi Rajerson.
Por ku qëndron lidhja e reformës dje me reformën sot? Edhe në atë kohë diplomati Rajerson tha se reforma ishte e domosdoshme dhe duhej votuar, me sy mbyllur. Madje, në atë kohë Berisha nuk kishte as dëshirë dhe as e donte konsensusin e Partisë Socialiste. Problemi nuk ishte votimi i saj, siç nuk është as sot problem gjetja e disa votave. Problemi mbetet se çfarë produkti do të marrim. “Gjyqtarët e plepave” janë reforma e parë në drejtësi në këto 26 vjet dhe që rezultoi e dështuar, e cila solli vendin në këtë situatë. Nëse do të votohet me këtë logjikë si 26 vjet më parë, atëherë do të bëjmë një reformë sa për të kaluar radhën. Pra, pikërisht atë që bëri Rajersoni para 20 e kusur vitesh, duke na bërë gropën drejtësisë vetëm e vetëm që të kishte një President të fortë dhe autoritar si Berisha. E donte Berishën, por nuk deshi popullin me atë që bëri dhe që i bëri Shqipërisë.
Ndaj me të drejtë Petrit Vasili kërkoi nga ish-diplomati në pension, që para se të japë sugjerime të kërkojë ndjesë për reformën e poshtër që u zbatua në Shqipëri, nën rekomandimet e tij personale. “Ky duhet të ishte i pari që nuk duhet të lodhej së kërkuari ndjesë, për këtë dëm shumë të madh që ajo u solli shqiptarëve me këtë “reformë të plepave” dhe në momentin kur ata ushqenin shpresat më të mëdha për një shtet demokratik, për një drejtësi të vërtetë dhe një drejtësi të pakapur dhe të painfluencuar nga pushteti. Nuk mundet kurrën e kurrës që në emër pikërisht të një tjetër anti, nga anti-komunizmi në emër të anti-korrupsionit, të rikrijojmë një Republikë tjetër Totalitare dhe pastaj të dëgjojmë këshillat e radhës të Rajerson për zgjidhjen e radhës”,- tha Vasili.
Qëndrimi i Vasilit nga media të ndryshme u interpretua dje si dalje e LSI-së kundër ndërkombëtarëve dhe ambasadorëve. Në fakt, mes ambasadorit dhe ish-ambasadorit ka një dallim si dita me natën. Një ambasador përfaqëson linjën zyrtare dhe për këtë gjë LSI ka qenë e qartë pro qëndrimit të SHBA-ve dhe BE-së, kur ka deklaruar e para se 20 votat e saj janë për reformën. Ndërsa një ish-ambasador është një pensionist që kur ka kohë bën rolin e analistit të pavarur. Por edhe analistët nuk dalin një herë në fushatë me Berishën dhe më pas u thonë deputetëve të tij të mos e mbështesin më. Tek e fundit, Berisha nëse është kaq problematik në politikë është dhe për meritë dhe me sponsorizimin personal të ish-ambasadorit Rajerson.
Në fund, LSI-ja ka dhënë një qëndrim të sajin edhe për nenin e famshëm “88” të Komisionit të Venecias. Sipas Petrit Vasilit, PD-ja duhet të kërkojë në Bruksel një përgjigje për pretendimet e saja për Nenin 88. Nëse Brukseli nuk i jep të drejtë PD-së në kërkesat e saj, atëherë sipas LSI-së, reforma do të kalojë në Kuvend edhe pa votat e PD-së zyrtare. Por para kësaj duhet që BE-ja të garantojë se kriza politike që do të prodhojë PD-ja dhe bojkoti i saj kundër reformës nuk do të penalizojë Shqipërinë për hapjen e negociatave në Bashkimin Europian.
Pra duhet t’i ruhemi një “97-te” tjetër nëse plas kriza dhe PD-ja djeg publikisht mandatet e deputetit. Ndaj më mirë konsensus, mirëkuptim, durim dhe më pas votim.