Rajmonda Kanini (Agovi):Shkolla reflekton sot të gjitha problemet që kalon shoqëria jonë.

 

Intervistë me drejtoreshën e gjimnazit “Sami Frasheri” në Tiranë zj. Rajmonda  KANINA ( AGOVI ).

Jeni ndër 10 drejtuesit e gjimnazëve të Shqipërisë që morët çmim, të cilin ua dha kryeministri Rama. Mendoni se shkollat tona kanë nevojë më shumë për drejtim profesional apo më tepër prioritet u duhet dhënë shkollave të përgjithshme?

Së pari, dëshiroj të shpreh krenarinë dhe privilegjin, që prej një viti jam në drejtim të një prej gjimnazeve elitare të Qytetit tëTiranës. Emri i shkollës,bart mbi supe një histori të gjatë suksesi. Personalisht jam anëtare e këshillit pedagogjik të kësaj shkolle, prej mbi 20 vitesh, ndaj suksesin e saj e përjetoj me shumë si mësimdhënëse. Në ceremoninë e marrjes së çmimit, i jam drejtuar me falenderime maturatëve, prindërve dhe, veçanërisht, stafit pedagogjik të përkushtuar dhe profesioniste, i cili prej dekadash ka formuar nxënës të suksesshëm dhe qytetarë dinjitoz.

Mendoj se tradita e një shkolle,është ajo që bën diferencën.

Gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë, ka emrin dhe traditën për të qenë në krye të çdo nisme për rritjen e cilësisë në arsim. Mësuesit e vjetër e të rinj, në stafin tonë, kanë kërkesa të larta mësimdhënie, të cilat imponohen edhe nga niveli i nxënësve me presion  pozitiv drejt cilësisë. Duhet të ecësh me këtë hap, ose nuk mund të bëhesh pjesë e suksesit të stafit pedagogjik, pra motivimi dhe mundësitë për t’u bërë mësues i mirë në këtë shkollë, është i lartë. Jemi të priviligjuar si mësues, sepse punojmë me të rinj të një përgatitje dhe niveli të lartë shkencor, e them me siguri, nisur edhe nga eksperienca ime në fushën akademike. Është vështirë t’i gjesh edhe në auditoret e universiteteve tona, kjo sepse është kjo kategori, e cila, gjithmone e më shumë, e vërteton suksesin edhe në studimet jashtë shtetit. Kjo me forcon gjithmonë e më shumë idenë se në sistemin tonë arsimor ajo që po mbahet më mirë dhe fort, duke rezistuar me shumë cilësi dhe disiplinë, është arsimi parauniversitar.

Arsimi është traditë dhe duhen forcuar rrënjët e tij,kështu për arsim cilësor dhe Gjimnazin “Sami Frasheri”, po punojmë me moton:“Integrim evropian,nëpërmjet traditës shqiptare”.

Duke u kthyer tek pyetja, nëse shoqëria jonë ka më shumë nevojë për arsim profesional apo të përgjithshëm ? Mendoj se, arsimi i përgjjithshëm edhe për disa kohë do të dominojë në Arsimin e Mesëm  të Lartë, ndonëse jam plotësisht dakort me ridimensionimin që Arsimi i Mesëm Profesional,  po merr me të drejtë kohët e fundit, në politikat dhe vizionin e ri të MMS. Mendoj se, dominimi i kësaj forme të arsimimit është për faktin se jane kerkesat e tregut, që po vendosin.

Por çfarë duhet të ndryshojmë në arsimin e mesëm të lartë (AML), të quajtur ndryshe parauniversitar. Mendoj se, ai, nuk mund të jetë i gjithi i tillë, por duhet të klasifikohet me nivele A, B dhe C.

Shkollat elitare ekzistojnë, por nuk kemi hedhur hapa ligjor e administrativ, për formalizimin e tyre, qoftë edhe me ndryshimin e koeficienteve të llogaritjes së pikëve për shkollën e lartë. Kjo ka ngushtuar hapësirat për zgjidhje të ndërmjetme për ata nxënës, që sipas rregullit mbi juridiksionin e shkollave, i bën disa nxenës të Gjimnazit “Sami Frashëri”, në pamundesi për të përballuar nivelin e shkollës sonë. Pra, mësuesit dhe drejtuesit e shkollës, vihen nën presion, ndërkohë që për këtë kategori nxënësish me rezultate të dobëta, duhet të kishte një zgjidhje të ndërmjetme, duke u rregjistruar në një shkollë të nivelit tjeter (ato me koeficient më të ulët).

Me gjithë rëndësinë dhe ridimensionimin që duhet të marrë arsimi profesional, shpreh se shoqeria ka më shumë nevojë për arsimin e mesëm të përgjithshëm, sepse kjo shoqëri ka nevojë për qytetare të mirëedukuar.

Arsimi i mesëm i lartë(AML), duhet të klasifikohet për të mundësuar një mekanizëm që e detyron nxënësin të zgjedhë arsimin profesional, nëse nuk ploteson kriteret për të vazhduar studimet universitare, kështu do të kemi arsim të vërtetë parauniversitar.

Nxënësit e sotem më shumë i kushtojnë kohë rrjeteve sociale se sa leximit të librave. Si mund t’i përshtatemi kësaj tendence të kohes e teknologjisë, duke vënë si prioritet leximin e librave?

Bota e internetit dhe rrjetet sociale janë tashmë një realitet, i cili sfidon jo vetem librin, por edhe sportin, artin e shumë forma të tjera të edukimit dhe argëtimit.

Shkolla nuk ka formulën magjike dhe në asnje rast edukimi nuk mund të jetë i suksesshëm nëse i kundërvihet tendencave të kohës.

Gjetja e formave që harmonizojnë dhe venë në shërbim të njëra tjetrës, librin dhe teknologjinë informative elektronike, duhet te jenë përpjekje e vazhdueshme, në shkollë. Kështu, krijimi i klubit virtual të librit, është një formë që po përfshin gjithmonë e më shumënxënës, në shkollën tonë. Shpreh se, kemi detyrimin të afrojmë edhe fizikisht të rinjtë me librin, ndaj e kemi kthyer biblotekën e shkollës, si vend atraktiv ku perveç librit, nxënësit, marrrin edhe informacion të dixhitalizuar.

Synojmë biblotekë të hapur dhe e të monitoruar nga vetë të nxënësit, të cilët me dashurinë për librin dhe leximin, do të mund të jenë propogandues edhe më të mirë se vetë mësuesit.

Ndërkohë, politikat dhe investimet e viteve të fundit në arsim, kanë krijuar padrejtësisht hendek midis teknologjisë dhe librit. Mirë është me investime milioneshe për rininë në kohën e internetit, po kemi zero investime për pasurimin dhe modernizimin e biblotekave pranë shkollave, që janë varfëruar vit pas viti, duke përfunduar në gjendje mjerane përsa i përket titujve të rinj. Sa kemi ndërhyrë në kurrikul duke shtuar si lendë me zgjedhje “fotoshop-in” (!?) a “guide turistike”, do të ishte me vend të gjendej hapësira kurrikulare për nxitur të nxënësit drejt leximit dhe librit, sepse me lëndë si “fotoshop” e “guide turistike”, nuk konkurron në asnje universitet.

A mund të ndërtohen politika të MAS, ndaj shtepive botuese, që po lulezojnë nëpër panaire, për të kontribuar në pasurimin e biblotekave shkollore?. Mendoj se,ashtu si Ministria e Mirëqënies Sociale ka gjetur modalitete që nxisin punësimin e të rinjve të cilët mbarojnë shkollat profesionale pranë kompanive private edhe MAS, mund të arrijë marrëveshje me Shtepitë Botuese, të cilat falas të japin libra për të pasuruar fondin e bibliotekës së shkollave. Kështu, Shtepitë Botuese,realisht krijojnë lexues dhe klientë të ardhshëm.

Ambjentet e Biblotekave dhe holleve të shkollës, janë mjedise të mira për organizimin e panaireve gjatë gjithe vitit, duke vendosur librin drejtpërdrejt si nxites edhe verbal. Këtë formë po përdorim rregullisht.

Kemi detyrimin të zhvillojme aftësinë për përdorimin e teknologjisë elektronike, po aq sa, të krijojme kushte dhe të tërheqim vemendjen,drejt librit, si burim i pazëvendësueshëm i dijes.

Kemi filluar që orë ë mësimit për lendë shoqërore, histori, letersi, shkenca sociale, t’i realizojmë në bibliotekën e shkollës. Rezultati është premtues. 

Nëse do të ishit ministre arësimi cilat do të ishin tre gjerat më kryesore që do të bëje në shkollat e mesme?

Çdo mësues në fakt, në të përditshmen e aktivitetit të tij dhe në diskutimet mes kolegeve,e ka bërë me shumë se njëherë pyetjen : “çfarë duhet bërë ?”.

Reforma në arsim janë një sipërmarrje shumë e madhe dhe duhet të nisë me lëvizje gjithëpërfshirese të trupave arsimore pedagogjike,duke tërhequr ato në diskutim sa më masiv e të shtrirë në kohë. Kështu, mendimi tërhiqet drejtpërdrejt e i sinqertë nga personalitete, që prej dekadash japin kontributin e tyre në arsim. Duhet të kuptojmë që, arsimi, sa më tradicional dhe konservator, aq më i fortë dhe të qënësishëm e bën një komb. Politika e “karkalecit” dhe “e mballomave”, nuk ka vend në arsim. Arsimi ynë për shkak të tradite, që për hir të së vërtetës duhet të vleresohet, mund të ishte sot një ndër krenaritë tona kombëtare, nëse nuk do të rendnim të çbënim dhe të mohonim çdo gjë, për hir të tranzicionit, reformave a integrimit.

Mendoj se, integrimi evropian nëpërmjet traditës sonë shqiptare, na jep vlera edhe tek partnerët tanë evropianë. Forcimi i traditës, është ajo që mund të bëj një sistem arsimor të suksesshëm, pasi çdo reformë sado e mirë, mbetet një shtojce artificiale, nëse nuk mbështetet në traditën dhe shtratin e arsimit shqiptar.

Për të zhvilluar një sistem arsimor, duhet ndërhyrë me kujdes dhe maturi në themelet e shkollës, që mendoj se, jane tre : kurrikula, teksti dhe mjedisi mësimor-edukativ.

Reformë e vërtetë kurrikulare. Me fjalë të thjeshta rikthimi i shkollës së mesme në identitetin e vet, të humbur prej vitesh. Boshti i shkollës së mesme është: gjuha, letërsia shqipe dhe matematika. Dyanët e këtij boshti, mbështeten nga shkencat shoqërore dhe shkencat e natyrës. Kjo do të thotë orientimi i nxënësve drejt lëndëve që formojnë dhe jo drejt rrugëve të lehta të fshehura pas termit lëndë me zgjedhje. Duhen rikthyer në kurrikulën bërthamë në të tre vitet, lëndët e rëndësishme, si : fizike, kimi,biologji, filozofi,etj..

Për shkak të lëndëve me zgjedhje, gjimnazi herë ngjason me shkollën e gjuhëve të huaja, herë me shkollën ekonomike dhe, herë me atë të hoteleri turizmit me lende të tilla si guidë turistike a fotoshop. Kjo, ka kompromentuar rëndë thelbin e një formimi të përgjithshëm, të cilin nxënësi duhet medoemos ta marrë nga ky nivel shkollimi. Njohuritë me zgjedhje, mund të merren në shkollat e arsimit të mesëm të lartë, nëse, do të klasifikojmë shkollat e mesme, ku këto lendë fare mirë mund të jenë pjesë e kurrikulave në shkollat e nivelit të dyte a të tretë.

Reformë e procesit të altertekstit, duke rikthyer edhe njëherë akademikët dhe metodistët e vërtetë të thonë fjalën e tyre në këtë fushë. Përfshirja e mësuesve në këtë proces rezultoi e pasuksesshme, ndaj nuk duhet të këmbëngulim në një formë, që koha vërtetoj si joefikase.

Në aspektin metodik,është e papershtatshme të studiosh një lendë, p.sh. kimi, në tre vite të gjimnazit nga tre gjuhë metodike të ndryshme, sipas grupit të autoreve që përzgjidhen çdo vit.

Kjo krijon probleme përshtatshmërie dhe konfuzion të metodologjisë së të mësuarit për nxënësin. Mundet që, fondet publike për tekstet shkollore të përqëndrohen në një Shtepi Botuese, duke e vendosur shtetin në rolin e rregullatorit, pse jo edhe çmimeve të teksteve, të cilat falë këtij liberalizimi, po rriten vit pas viti.

Në një shtet të vogel si Shqipëria, arsimi duhet të jetë përherë përparësi kombëtare, ku dora rregullatore e shtetit, duhet dhe ka mundesi të ndihet fort.

Duhet ndërhyrë mënjëherë në planifikimin e shpërndarjen e nxënësve, duke evituar mbingarkesën me nxënës të shkollave. Kemi shkolla, të cilat po “tkurren” për nga numri i nxënësve dhe kemi shkolla, të cilat po “pëlcasin”. Keshtu do te heqim edhe “turnet” në shkolla.

Për këtë, duhet të kryhen studime e të hartohen plane afatshkurtera dhe afatmesme, që të zgjidhin këtë anomali në arsimin shqiptar.

Përmirësimi i kushteve në mjedisin shkollor, duhet të jetë përparesi e përparësive. Ambjentet, në shkollat tona publike, dëshmojne fytyrën e shtetit, sa edhe formimin tonë qytetar, të trupës arsimore e sidomos të drejtuesit të shkollës, drejtorit. Parësore, për mua si drejtuese, mbetet pastërtia, rregullimi, përmiresimi, modernizimi i ambjenteve,sepse pasqyron qytetarinë tonë. Koleget e shërbimit më kanë mirëkupruar.

Shkolla duhet të ofrojë nxënësit mjedis miqësor, si në planin fizik edhe në atë psikologjik. Një mjedis që garanton mirëqënie fizike dhe mendore për nxënësit,është  kusht bazik për një edukim të suksesshëm. Sot shkollat tona publike janë larg standarteve bashkohore.

A-ja e edukimit fillon me mjedisin, sepse nuk mund të edukojmë në një mjedis të papastër, të dëmtuar dhe të keqmbajtur, që në të shumtën e rasteve mbahen peng e luftës politike ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, duke cënuar seriozisht procesin mësimor dhe mirëqenien e nxenesve, në shkollat tona.

E lidh diskutimin e kësaj pike, me maturën shteterore. Ajo, ka nevojë të rikonceptohet, si provime dalëse që i sigurojnë nxënësit diplomimin, por jo si mekanizëm, që e dërgon nxënësit në shkollat e larta, pasi kështu cenohet autonomia e Universitetit. Për çfarë pavarësie flasim nëse privojmë Universitetin, nga e drejta për  të vendosur vetë kriteret e pranimit në to ?.

Për më tepër, mekanizmi meritë-preferencë, shumë herë rezulton i padrejte për nxënësin dhe i pabarabartë. Pra, ne, i themi nxënësit zgjidh, por kujdes çfarë po zgjedh ?!.

Kjo ndërpret ëndrrën dhe e bën maturantin një llogaritar pikësh dhe jo endërrimtar idealist i energjise e prirjeve te tij, i cili duhet sot edhe të bindet për “fatin” që ja kanë në dorë të tjerët.

Rikthimi i mesatares, mund të ishte zgjidhje me vlerë, që duhet shoqëruar, sigurisht, me konsulta me universitetin dhe të bëhet rregullimi ligjor në ligjin për arsimin e lartë. Nuk është në kopetencat e Arsimit të Mesëm të Lartë dhe të drejtuesve të këtij arsimi, të vendosë se në cilën degë do të studiojnë gjimnazistët.

Detyra e këtij niveli arsimimi, përfundon me diplomimin e maturantëve dhe hedhjen e kapeleve, drejt lartësisë, pra në një dimensioni të ri,të shkollimit të mëtejshem në Universitet.

A mendoni se droga është bërë një fenomen shqetsues për shkollat tona dhe si mund të luftohet?

Si kudo, shkolla është pasqyrë e realitetit shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë. Rrjedhimisht, fenomeni drogë, për disa vite në Shqipëri fitoi të drejtën e qytetarisë, nuk mund të mos kishte targetin e vet në grupmoshat e gjimnazisteve, sidomos në shkolla të mbipopulluara me mbi 1600 nxënës si Gjimnazi ynë.

Shpreh se, beteja me drogën është nga ato detyra, që shkolla nuk mund ta fitojë e vetme, por në bashkëpunim ndërinstitucional, sepse është sfidë e përbashkët e shoqërisë, familjes dhe e shtetit.

Ne, në shkollë, kemi ngritur Komitetin Antidroge, i cili ka në përbërje të tij drejtorin, senatorë,psikologen, punonjesin social, kryetarin e bordit dhe përfaqesuesin e policisë së shtetit. Mendoj se, një partneritet real midis faktoreve familje-shkollë-institucion shtetëror, janë arma e duhur për sukses, ndaj këtij vrasësi të heshtur të shëndetit dhe personalitetit të të rinjve.

Një element i rëndësishëm tek i cili besojmë fort, si komunitet,është propoganda dhe fushatat me nisma ndërgjegjësuese. Kështu, Grupi i Shëndetit dhe Kabineti i Shëndetit, ka krijuar një rrjet të informuesve rinor, të cilët shfrytezojnë shkencën, informacionin,artin, për të arritur më lehtë dhe natyrshëm tek të rinjtë, sepse besojmë në forcën e propagandës të vetë të rinjve tek njeri-tjetri.

E kemi ndërtuar këtë mekanizëm të suksesshëm, por, jemi të vetedijshëm që kjo është betejë që bëhet përditë e me durimin e nevojshëm prej prindi, sepse është shërimi i një plage që ka rrenjë të thella e të shtrira përtej mureve rrethuese të shkollës.

Ajo që rrit besimin tonë si komunitet, është klima e krijuar së fundmi nga strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit, të cilat kanë treguar me vepra luftën pa kompromis me këtë fenomen.Kjo, sigurisht, krijon besimin e fitores ndaj vesit dhe jep moralin e nevojshëm të rinjve, që në këtë luftë, nuk janë vetëm, por janë në një front me shtetin.

Ky fenomen,u kthyenë plagë,për sa kohë strukturat shtetërore nuk i kushtuan vëmëndje. S’kishte si të ndodhte ndryshe përdorimi i saj edhe në shkolla, sa prodhimi kishte fituar të “drejten qytetare”. Nëse sot, droga, është në gjëndje lufte me institucionet shtetërore, sigurisht që, ajo, do të humbë.

Kështu edhe tek ne, nëse trupa mësimore, ndjek, kontrollon e bën punë edukuese, do të kemi rezultate. Kontrolli dhe edukimin, po e ndërthurim me veprim administrativ, nga e gjithë struktura, prej bordit, senatit, këshillit të mësuesve e të prindërve. Propoganda në këtë rast, është një ndihmës dhe ndikues rezultativ.

Marrëdhëniet shkollë-prind janë formale si koncept apo realisht zgjidhin ndonjë gjë në këtë mori shoqatash që ka rinia e sotme?

Shkolla është i  vetmi institucion, i cili funksionon ne sajë të partneritetit mësues-nxënës-prind. Ai me prindin zë vendin e parë dhe është i domosdoshëm. Mendoj se, nuk duhet të përmendet partneriteti, si sllogan, sepse bashkëpunimi me prindërit është ende larg  të qënit si i tillë. Kjo, së pari, kërkon besim reciprok mësues-prind dhe respekt në rritje për figuren e mësuesit edhe në rolin e tij edukativ.

Shpesh ndeshim me mentalit paragjykues, të prindit për mesuesin, duke e vështiresuar komunikimin shkollë-prind. Kjo, sepse korrupsioni, kurset private e notat fiktive, kanë bashkëshoqëruar jetën shkollore, e kështu, kanë ulur figurën e mësuesit në sytë e prindërve.

Partneriteti, mësues-prind, është edhe proces, sepse ai përfshin ndërgjegjësime transparencë në veprimtarinë mësimdhënëse në shkollë, si edhe edukimin në familje. Ndaj, kemi përpara një proces të gjatë dhe të vështirë të emancipimit, për të mundur të vendosim mësues- nxënës-prind, në të njëjtën anë të barrikadës, në atë të përpjekjeve për edukim dhe dije. Kur prindi të kuptojë, që e vetmja pasuri me të cilën fëmija e tij pajiset gjatë shkollimit është dija dhe jo nota fiktive dhe, kur mësuesi, të ndërgjegjësohet se nuk ka jetën e nxënësve në duar, por thjesht dhe vetem kontribon ne formimin e tij, do të punojmë bashkërisht me të vetmin produkt të shkolles, dijen dhe edukimin e nxënësit.

Kështu, ka qenë prej origjines njerezore, ky parneritet, me rëndësinë dhe dimensionin që i takon.

Per t’iu kthyer edhe njehere pyetjes, nuk mendoj se marrëdhenia shkollë-prind është formale si koncept. Shkolla, është pak e përfshirë në zgjidhjen e problemeve që ka rinia sot, pasi mësuesi gjithmonë e më shumë, prej ngarkesës, po i largohet rolit të tij si edukues dhe po fokusohet në rolin e mësimdhënësit. Nga ana tjeter,ka pak prindër që mendojnë se mësuesi është i aftë të vlerësojë personalitetin e nxënësit dhe si i tillë të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve social-psikologjike, të fëmijëve të tyre.

Kjo,na vendos në kërkesën për ndryshim, me një emërues të përbashkët : fitimin e besimit të prindërve në sistemin tonë arsimor dhe rivendosjen e autoritetit të mësuesit dhe respektit ndaj tyre.

Si drejtues shkolla, kemi detyrim të ndërtojmë dhe forcojmë lidhjen shkollë-prind, duke synuar përshirjen e vërtetë tëtyre, në ndërtimin e personalitetit sa më bashkëkohor, të femijes-nxënës. Për këtë, kemi ndërtuar mekanizma administrativ në shkollë, sipas ligjit dhe  duke i bërë ato aktorë aktiv, ku prindi ka gjetur pozitën e tij. Kështu që, kontributi i tij, intelektual apo material, është vlerësuar, mirëpërdorur dhe kontrolluar, nga vete ai.

Mendoj se është parësore e vemendjes sonë edukimi, sepse dështimi yne në edukim sot, do t’i kushtoje nesër shtetit 4.000 lekë/ditë, nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, nëse ish nxënësi ynë përfundon në institucionet e heqjes së lirisë. Këtë “llogari”, duhet të bëjnë institucionet qendrore.

A ka më shumë nxënës talente në lendët e matematikes apo teknologjisë bashkekohore?

Nuk kam një përgjigje të vetme krahasuese për këte pyetje, sepse shpesh ato edhe mbivendosen. Shpreh se nxënesit  më të mirë, mbeten në shkollat tona të mesme talentet në matematikë, të cilët në të shumtën e rasteve kanë aftësi të mira edhe në fushën e teknologjisë elektronike bashkëkohore.

Vërejmë se, shumë nxënës të quajtur “të zakonshem”, arrijnë të spikatin në shfrytëzimin e teknologjisë elektronike dhe ky është një grup në rritje, i cili po dominon gjithnjë e më shumë në shkollë.

A ndodh shpesh që niveli i nxënësve është më i lartë se ai mesuesve? Ndonëse duket si paradoks, por ende ka mesues nën nivelin e duhur të mësimdhënies.

Duhet të pranojmë që sot në shkolla ka ndonjë mësues nën nivelin e duhur të mësimdhësies, ashtu si ka në çdo fushë ka punonjës, të cilët nuk plotësojnë standartet e profesionalizmit. Ka ekonomistë të paaftë, mjek, urbanist e mund të vijojmë në të gjitha profesionet dhe fushat, ku paaftësia dhe mediokriteti janë plagë institucionale, nga e cila nuk vuan vetëm arsimi.

Për të eleminuar këtë fenomen bëhen reforma të vërteta ligjore e administrative, si edhe duhet të forcohet kontrolli, ndihma dhe programet  trajnuese. Militantizmi partiak, klanet dhe korrupsioni në emërime  i japin gjallëri mbijetesës së fenomenit të paaftësisë në arsim. Mësuesi është ballë-përball në skenën e veprimtarisë, sepse e sheh nxënësi, prindi dhe rezultati i produktit të tij duket më shumë.

Jeta shkollore forcohet dhe demokratizohet prej emërimit të merituar të drejtuesve. Ajo gjallërohet nga veprimtaria e bordit, e senatit dhe këshillit të prindërve, ku mendimi i lirë, vendimmarrja kolegjale dhe transparenca e veprimtarisë së strukturave, ngrihen në nivelin e administratorit profesionalist.

Drejtim tjetër i rëndësishëm është rritja e rolit dhe respektit për punën e mësuesit. Gjithashtu, po punojmë për  forcimin e veprimtarisë  së departamenteve lëndore, duke realizuar kontroll të detyrave për çdo anëtar departamenti, si edhe monitorimin e rritjes profesionale të tyre.

Përmenda në fillim se profesioni i mësuesit është më i kontrolluari dhe i vlerësueshmi, sepse mësuesi, përballet çdo ditë me nxënësin dhe prindin. Kjo e bën mësuesin e përkushtuar të jetë gjithmonë në nivelin e duhur dhe i motivuar më shumë se çdo profesion, në përditësimin e njohurive të tij, duke përfeksionuar metodikat e mësimdhënies dhe duke kërkuar të reja nga fusha e teknologjisë dhe informacionit.

Është auditori i nxënësve kontrolli i përhershëm për mësuesin,ndaj ne, me humor mes kolegesh, e quajme veten “nxënës të përjetshëm”.

Kështu është mësuesi, ai mëson përditë, duke u përballur me sfidën e vështirë të edukimit në ditët e sotme, ndaj duhen falenderuar. Shumë prej nesh edhe si prinder e kuptojmë që është bërë gjithmonë e më i vështirë, pasi shkolla reflekton sot të gjitha problemet që kalon shoqëria jonë.

Mësuesi përballet me këtë realitet sepse nxënësit vijnë prej formimit, kategorive shoqërore, zonave, a prej shtresave të ndryshme.

Ne, mësuesit si drejtues shohim e përjetojmë emërime  e luftë partiake, duke i kapërcyer me dinjitet, profesionalizëm, durim e pasion, për të kryer detyrën, misionin tonë.

Në fund, shpreh se mësuesit, përveçse janë intelektualët  punëtorë këtij shteti, janë edhe misionarët e vetëm, që japin shoqërisë sonë vlera,ndaj meritojnë nga shoqëria dhe shteti, respekt dhe mirënjohje.

SHKARKO APP