Rama i tregon dhëmbët Athinës
Kryeministri Edi Rama ka komentuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë duke kërkuar që mes dy vendeve të zbatohet parimi i reciproritetit për çështjet e pazgjidhura. Në Samitin e Diasporës, i cili po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, Kryeministri ka hequr dorë nga pozita e inferioritetit të vendit tonë përballë fqinjëve. Në një fjalim dinjitoz Edi Rama ka qartësuar se në raportet me Athinën, Tirana zyrtare nuk do të heshtë më.
Kryeministri tha se pala greke është mësuar që gjatë viteve të mëparshme, kur në Tiranë ka gjetur qeveri që janë nënshtruar ndaj kërkesave të tyre. Sipas tij, kjo epokë tashmë ka marrë fund në raportet mes dy vendeve dhe premtoi një qëndrim strikt mbi bazën e respektit të ndërsjellët. “Nuk kemi ndërmend të heshtim e t’i nënshtrohemi fakteve të kryera në këto marrëdhënie. Për një kohë të gjatë fqinjët tanë u mësuan “keq” që këtu në Tiranë të kishin bashkëbisedues të nënshtruar e të heshtur, që bënin sikur s’kuptonin kur ka qenë fjalë për çështje që s’mund të anashkaloheshin”,- ka theksuar Rama në takimin me përfaqësuesit e diasporës. Ai theksoi se është ngritur një grup i posaçëm pune që po merret për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull mes dy vendeve.
Ky qëndrim i Kryeministri Edi Rama merr një rëndësi të posaçme duke pasur parasysh zhvillimet e javëve të fundit. Dy ditë më parë gjykata greke dënoi dy shoferë të Ministrisë së Jashtme që transportonin libra. Sipas palës greke tekstet kishin harta që tregonin për qëllime ekspansioniste dhe pretendime territoriale të Shqipëri. Prishja e disa banesave të minoritarëve greke në Himarë, për shkak të planit të ri urbanistik ka një muaj që ka acaruar marrëdhëniet mes dy vendeve. Athina pretendon se po shpronësohen qytetarët minoritarë, kur në fakt ata janë dëmshpërblyer për pronat e tyre. Duke ndjekur këtë linjë akuzash, në Bruksel, ministri i Jashtëm grek, Niko Kotzias paralajmëroi se mund të ketë dhe penalizim të hapjes së negociatave për Shqipërinë nga Greqia. Zyrtarë të tjerë të rangut të ulët në Greqi kanë deklaruar hapur se, mund të bllokohet procesi i integrimit nëse nuk respektohen të drejtat e minoritetit grek dhe nuk arrihet marrëveshja për ndarjen e detit, sipas kërkesave që ka Athina.
Këto qëndrime zyrtare dhe gjysmë zyrtare të diplomacisë greke janë sinjalet se Athina po kërkon të trembë qeverinë shqiptare për të plotësuar të gjitha kërkesat. Fqinji ynë jo pak herë ka treguar forcën në Bruksel, por edhe ndaj emigrantëve për ta detyruar Shqipërinë të sillet sipas dëshirës së Greqisë. Këto muaj ishin një test diplomatik për të parë se cili do të ishte qëndrimi i Ramës.
Kryeministri Rama iu kthye edhe një herë debatit, madje duke sqaruar gjërat që mund të ishin keqkuptuar. Kreu i Qeverisë tha qartë se, në raportet me Athinën nuk e pranon nënshtrimin dhe aq më keq heshtjen ndaj çështjeve që kanë mbetur pezull mes dy vendeve. Dhe ka jo pak gjëra që kanë nevojë të diskutohen. Ato nisin që nga çështja e kufirit detar, që ju fal Greqisë në mënyrë skandaloze nga qeveria “Berisha”. Vazhdojnë me diskutimin serioz të Çështjes Çame sipas parimeve ndërkombëtare dhe vijojnë me problemet që kanë qindra mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi, si dhe njohja e pensioneve, hapja e shkollave dhe gjithë korpusi i problemeve që ekzistojnë mes dy vendeve.
Edi Rama ka qenë i prerë sa herë Athina zyrtare ka dashur të diktojë kushte, si ndër vitet e para, kundrejt palës shqiptare. Në të vërtetë mbetet qëndrim dinjitoz ky i Edi Ramës, pasi jemi shtet indipendent dhe qeveria duhet të mbrojë interesat e popullit shqiptar e jo atij grek. Fatkeqësisht ndër vite politika shqiptare dridhej para Greqisë.
Me sa duket kohët kanë ndryshuar, tani Tiranës zyrtare nuk i dridhet qerpiku kur ka përballë palën greke.