Rama: Jo diplomave me raki rrushi dhe mish gici
Ligji për reformimin e arsimit të lartë ka gati një vit që është hedhur për diskutim nga Ministria e Arsimit. Por dje, debati “pro” apo “kundër” tij ka arritur kulmin në seancën maratonë të Kuvendit, të mbledhur enkas për këtë çështje. Teksa jashtë sallës së tij, qindra studentë dhe pedagogë të universitetit shtetëror kërkonin mosmiratimin e tij në foltoren e Kuvendit, Partia Demokratike, e cila prej një viti nuk i kushtoi rëndësi këtij ligji, por u kujtua vetëm ditët e fundit, e cilësoi atë si nismën më të keqe për arsimin. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se kjo reformë u heq mundësinë të varfërve për t’u arsimuar dhe cënon të drejtën për t’u arsimuar. Sipas tij, 30 për qind e popullsisë nuk do të mund të shkollojë dot fëmijët. Kurse ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shkoi edhe më tej në kritikat e saj. Ajo tha se nëse ligji kalon, kjo është një arsye për të rrëzuar qeverinë aktuale. Si gjithnjë ajo mbetet e politikës së fortë të PD-së për t’u përplasur frontalisht me pushtetin
Krahas kritikave të opozitës, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla e mbrojtën ligjin si një prej reformave kryesore të qeverisjes. Rama solli në vëmendje mënyrën sesi u zhvillua arsimi gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. “Në shtator të vitit 2013 kishte 59 IAL-e publike dhe 44 private. Tetë herë më shumë se Britania e Madhe. U hap sistemi i studimit me kohë të pjesshme që diplomonte studentë ëeekend-i. Në tetë vjet nuk akredituat asnjë universitet publik, por 44 privatë, – tha Rama, – dhuro raki rrushi dhe merr një bursë. A e kuptoni se çfarë distilerish keni krijuar?”, – tha Rama.” Me mish gici keni dhënë diploma!”- shtoi Rama. Kurse ministrja e Arsimit u mundua të hidhte poshtë zërat se ligji krijon xhepa financimi për universitete të caktuara private. Sipas saj, ligji është një revolucion. Por pikëpyetje e madhe mbetet se si nga buxheti i shtetit qeveria do të financojë universitetet private?! Si dhe pse? Ato janë para publike të taksapaguesve shqiptarë dhe mund të përdoren vetëm për universitetet publike. Pse duhet të marrë para një pronar apo disa pronarë universitetesh private nga paratë e buxhetit? Këto janë pikëpyetje të mëdha të projektit që paraqiti qeveria dje në parlament.
Me kaq shumë kritika sa ka pasur ky ligj, kryesisht ato nga bota akademike, është herët të cilësohet si revolucion prej qeverisë. Do të duhen të paktën 2-3 vitet e para të tij për të parë se çfarë rezultati do të sjellë. Një revolucion apo një kthim pas në modelet që kritikojnë sot një pjesë e akademikëve këtë do ta shohim më vonë. Kritikat e pedagogëve janë ato që duhen marrë për bazë. Pasi kritikat e opozitës, përveçse janë të vonuara në kohë, sot janë të lidhura më shumë me interesin politik për të përdorur protestat e studentëve. Veç kësaj, opozita është pjesë e nivelit ku degradoi sistemi arsimor në vend për tetë vite, ku siç tha Rama që me mish gici apo raki merreshin diplomat që është një krim që i bëhet shoqërisë, sepse shumë prej këtyre që kanë marrë diploma të tilla janë bërë drejtorë, shefa, nëpunës e ndërkohë që nuk punësohen të tjerë që kanë nota shkëlqyeshëm. Kjo ndodhi në kohën e PD-së, porse jo pak herë po praktikohet edhe në qeverisjen e sotme të socialistëve.
Fakti është se ligji edhe me ndonjë të metë që mund të ketë, është i domosdoshëm. Në situatën aktuale, nuk mund të vazhdohet më. Kritikuesit e ligjit thotë se më këtë projekt cënohet shkenca. Për cilën shkencë mund të flitet sot në Shqipëri? Universitetet shqiptare kanë vite që nuk prodhojnë asnjë risi në fushën e kërkimeve. Studimet e quajtura shkencore në universitetet shqiptare nuk bëjnë pjesë në asnjë referencë të universiteteve të huaja. Pra, nuk ekzistojnë jashtë sallave të departamenteve përkatëse. Temat e doktoraturave janë kthyer në qoka që drejtuesit e universiteteve bëjnë për të marrë paratë nga Ministria e Arsimit.
E njëjta gjë dhe në diplomat që marrin studentët. Përgjatë 8 viteve, shkolla u pa si “punësimi” për ata që mbaronin gjimnazin. Një mënyrë për t’i hequr të rinjtë nga rruga dhe për t’i çuar në universitet, por që në mbarim të tij, dilnin pa asnjë njohuri që mund t’u vlente për punësim. Më e turpshme ishte mënyra sesi fitoheshin këto studime. Kryeministri përmendi rastet e rrushëve dhe mishit me të cilin merrej e drejta për studim në universitet. Ka raste të tjera pa fund dhe më të turpshme. Ka rastet kur fitohej universiteti në këmbim të lyerjes së godinës së fakultetit nga bojaxhiu, apo kur hidrauliku merrte masterin shkencor si këmbim të vendosjes së tubave të banjës. Ky nuk është thjesht korrupsion. Ky është degjenerimi i gjithë sistemit dhe katandisja e universiteteve në biznese që jepnin diploma me klering.
Ligji i reformës mund të mos jetë më i miri. Ka boshllëqe që duhen mbushur me vendime të tjera nga ana e Ministrisë, sidomos pjesa e mundësive të kredive të studentëve dhe shlyerja e tyre pasi të hyjnë në punë. Por të gjitha kritikat nuk e bëjnë atë të pavlefshëm. Sado radikal, ligji është i nevojshëm për të futur në shina arsimin e lartë në vend. Është një mënyrë, ashtu si mbyllja e disa universiteteve një vit më parë, për t’i dhënë dinjitet arsimit dhe vlerë shkollës së lartë.
Gjithsesi financimi i universitetëve private nga qeveria me këtë ligj ngre probleme se përse u fut një nen i tillë ose më saktë për cilin universitet privat është qëllimi.
Këtu do jemi e do të monitorojmë se si do ti japët milionat qeveria këtyre universitetëve private.