Rama kërcënon BE dhe niset drejt Rusisë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dje dështimin e radhës për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Në një intervistë për median franceze AFP kreu i qeverisë deklaroi se nuk pret asgjë të re nga Brukseli duke nënkuptuar se qeveria e tij i ka bërë detyrat, por janë problemet e brendshme të BE-së ato që po penalizojnë Shqipërinë. Deri këtu qëndrimi i Edi Ramës nuk përbën ndonjë çudi. Sa herë nuk janë hapur negociatat, kreu i qeverisë ka fajësuar Bashkimin Europian dhe ka hequr çdo përgjegjësi për dështimin e reformave të qeverisë së tij. Por në intervistën për median franceze, kryeministri i Shqipërisë ka shkuar përtej justifikimit dhe heqjes së përgjegjësive.

I pari i qeverisë së një vendi që ka 30 vjet që kërkon të hyjë në BE ka guxuar të kërcënojë BE. Në intervistën e tij, Rama thotë se edhe po nuk u hapën negociatat “Shqipëria nuk do të qëndrojë në derën e Evropës dhe të qajë që ajo të hapet”. Mesazhi është i qartë. Pra, nëse BE-ja nuk hapë negociatat me Shqipërinë, qeveria e “Rama” do të shohë projekte të tjera bashkëpunimi! E thënë ndryshe, kryeministri kërkon të ndryshojë kursin politik, diplomatik dhe orientimin e shoqërisë shqiptare drejt të tjera drejtimeve që nuk kanë lidhje me Bashkimin Europian, e për pasojë as me politikat strategjike të SHBA-ve.

Kur flitet për projekte të tjera, veç BE-së, në rajonin e Ballkanit ka vetëm një model tjetër i cili po ndiqet në mënyrë strikte nga ana e Serbisë, afrimi me Rusinë. Si rastësisht, politika e jashtme që ndjek Edi Rama ka shumë të përbashkëta me Serbinë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç sa herë që ka probleme me Brukselin dhe i kërkohet vazhdimi i reformave merr avionin dhe udhëton për në Moskë ku nënshkruan marrëveshje ekonomike. Sa herë që i kërkohet që të ruajë balancat demokratike dhe të negociojë me opozitën që proteston në rrugë, Vuçiç nënshkruan marrëveshje ushtarake me Rusinë dhe thotë se vendi i tij nuk ka për qëllim të hyjë në NATO. Të njëjtën strategji po përdor edhe Edi Rama kundrejt Europës. Sa kryeministri Rama herë që dështon në hapjen e negociatave gjen një justifikim dhe sa herë i kërkohen rezultate konkrete i tregon Brukselit se BE-ja nuk është projekti i vetëm sepse Shqipëria mund të ndjekë rrugë të tjera.

Mos hapja e negociatave me Shqipërinë nuk ka problem kryesor mosmarrëveshjet mes vendeve të BE. Vetoja e Francës apo vendeve të tjera nuk është kundër zgjerimit të BE, por kërkon më shumë reforma dhe jo një proces fiktiv anëtarësimi. Shqipëria është vendi që po merret si model për dështimin me procesin, pasi tjetër realitet është pasqyruar në raportet e BE dhe tjetër është situata në terren. Bundestagu gjerman kërkoi zbatimin e 9 kushteve për hapjen e negociatave. Nga këto kushte vetëm njëra është drejt plotësimit, por ende e papërfunduar; reforma zgjedhore. Kushtet e tjera, goditja ndaj krimit të organizuar, ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe ndëshkimi  i korrupsionit janë ende larg. Qeveria e kryeministrit Edi Rama jo vetëm nuk ka plotësuar asgjë prej kërkesave të parlamentit gjerman, por duke parë sjelljen me reformën në drejtësi ka bërë çdo gjë që një pjesë e reformave të dështojnë. Pasi ka bërë çdo gjë të mundur që kushtet e Bundestagut të dështojnë dhe reforma në drejtësi të jetë drejt dështimit, kryeministri Edi Rama kërcënon BE-në që nëse i kërkojnë llogari ai mund të kërkojë dhe drejtime të tjera “integrimi”.

Por ashtu si Aleksandër Vuçiç këtë herë Rama nuk është mjaftuar me fjalë. Pasi kërcënon BE-në nga mediat franceze, kryeministri do të nisët realisht për në Rusi. Në fund të shkurtit, në cilësinë e drejtuesit të OSBE do të zhvillojë vizitë në Moskë. Takimi është për Ukrainën, por njëherazi edhe takimi i parë pas shumë vitesh i një kryeministri shqiptar me autoritetet e shtetit rus dhe presidentin Vladimir Putin. Në një takim të tillë çështjet dypalëshe nuk mund të neglizhohen, mjafton që Edi Rama të ketë dëshirë t’i diskutojë. Përveç vizitës zyrtare, mediat që financohen nga organizatat ndërkombëtare kanë nisur të flasin prej kohësh për depërtim të biznesit rus në Shqipëri, me anë të kompanive të maskuara si serbe.

Rasti më i fundit është ai kompanisë së naftës në Ballsh. Janë të gjitha sinjale se për Edi Ramën BE-ja nuk është dera e vetme.  Problemi është se dyert që mund t’i hapen Ramës nuk janë të njëjta me ato ku duan të hyjnë shqiptarët dhe nuk kanë të bëjnë me interesat e politikës së jashtme të shqiptarëve në rajon.

Natyrisht që interesat ekonomike të lejojnë të shkosh edhe në Lindje, por interesi shpirtëror dhe strategjik i shqiptarëve mbetet drejt Perëndimit.

SHKARKO APP