Kryeministri Rama: Më mirë pa Gjykata! Presidenti Meta: E papranueshme!
-Shqipëria është sot vendi i vetëm në botë pa gjykatë kushtetuese dhe gjykatë të lartë. Dhe brenda vjeshtës së këtij viti dhe pa gjykata apeli dhe administrative.
Mos zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pas shkarkimit nga Vettingu të anëtarëve të tyre, ka krijuar një situatë të paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar. Dy gjykatat kryesore kanë pezulluar punën duke bllokuar më shumë se 30 mijë dosje që ishin në proces. Ndërkohë shkatërrimi i sistemit të drejtësisë pritet të vijojë dhe me gjykatat e apelit, gjyqtarët e të cilëve do të hyjnë në procesin e Vettingut. Këtë situatë anormale po e vuajnë qytetarët që prej disa muaj nuk marrin drejtësi dhe mungesa e gjykatave paralajmëron kriza të forta sociale. Po ashtu dhe balancimi i pushteteve, ku gjyqësori vlerëson ligjshmërinë e pushteteve të tjera ka marrë fund. Me rënien e Gjykatës Kushtetuese aktet ligjore të qeverisë nuk mund të rrëzohen. Më zhbërjen e Gjykatës së Lartë paditë, akuzat dhe hetimet për zyrtarët e lartë të shtetit, edhe kur ka prova, nuk mund të merren në shqyrtim, pasi nuk ka më institucion gjykate. Ndërkohë politika që ka në dorë zgjidhjen e krizës ka mbajtur qëndrime që në vend të zgjidhjes kanë thelluar kaosin dhe nuk japin shpresë për zgjidhje të shpejtë të situatës. Më emblematik për këtë situatë është qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, qeveria e të cilit ka përgjegjësinë kryesore për funksionimin normal të shtetit dhe institucioneve. Shqetësimit të opinionit publik për mungesën e dy gjykatave kryesore të vendit, Edi Rama ju përgjigj me shprehjen se më mirë pa gjykata sesa me gjykata të korruptuara. “Po mbetemi pa gjykata të sipërme? Jo! Po operojmë organizma të kancerizuar që e degraduan deri në kockë drejtësinë. Më mirë djepi bosh se shejtani brenda! Ky pastrim është shpëtim për dekada e breza që vijnë, rilindja e këtyre gjykatave është vetëm çështje e më pak se një viti”,- deklaronte disa ditë më parë Edi Rama, duke e quajtur sukses atë që po ndodh sot në sistemin e drejtësisë.
Ndaj këtij qëndrimi ka reaguar dje me tone krtike kreu i shtetit, Ilir Meta. Në një intervistë dhënë në Shkodër, Presidentt u shpreh se qëndrime të tilla nuk duhen pranuar absolutisht. Kreu i shtetit deklaron se mungesa e gjykatave funksionale nuk është për shkak të Vettingut, por për shkak të mënyrës sesi u zbatua ligji. “Nuk mund t’i vëmë fajin Vettingut për këtë situatë, por mendoj që faji është i mosdëshirës për të parë problemet reale, kushtetuese dhe ligjore të cilat duhet të rishikohen për të tejkaluar këtë situatë dhe për të krijuar institucionet e reja. Nuk mund të themi dhe është e papranueshme të themi që më mirë pa gjykata fare se sa me gjykata të korruptuara. Absolutisht”,- shprehet Presidenti Ilir Meta.
Presidenti shton se qytetarët që kanë mbështetur reformën, nuk prisnin që një ditë të mbeteshin pa gjykata. “Njerëzit nuk e kanë përkrahur reformën për këtë çështje, që të ngelen pa gjykata sepse janë mbi 30 mijë dosje që presin nëpër gjykata dhe këto janë probleme që kanë qytetarët me shtetin, me bashkinë, më njëri-tjetrin dhe kërkojnë drejtësi, kërkojnë zgjidhje. Zgjidhja është edhe vettingu dhe lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, dhe njëkohësisht dhe krijimi i institucioneve të reja, të besueshme, të pavarura të cilat do të japin atë drejtësi që qytetarët presin”,- deklaron Presidenti Meta.
Zgjidhjen e kësaj krize kreu i shtetit e sheh të dialogu mes palëve. Presidenti shprehet se institucionet e reja të drejtësisë duhet të ishin ngritur me kohë dhe opozita dhe mazhoranca duhet të gjejnë konsensus. Por në këtë pikë, kreu i shtetit ka dhe një sugjerim se çfarë duhet të bëjnë palët. Ai thekson se përgjegjësia për shtetin, institucionet dhe sidomos për integrimin në BE është e qeverisë dhe nëse opozita bën një hap për konsensus për këto reforma, mazhoranca duhet të bëjë dy. “Duhen bërë përpjekje nga të dyja palët, por në qoftë se opozitës i kërkohet të bëjë një hap, mazhorancës gjithmonë i kërkohet të bëjë dy hapa sepse ajo ka përgjegjësi edhe më të madhe përsa i takon vendit dhe qeverisjes dhe drejtimit të tij”, deklaroi Presidenti Meta.
Palët politike janë shumë larg arritjes së një kompromisi për të gjitha këto çështje. Edi Rama vazhdon ta cilësojë si sukses atë që po ndodh në drejtësi duke përmendur gjyqtarët që po shkarkohen dhe gjykatat e bllokuara. Opozita denoncon çdo ditë emra gjyqtarësh, sipas saj, me lidhje afër qeverisë që edhe pse me probleme në karrierën e tyre dhe me pasuri të pajustifikuara, konfirmohen në detyrë.
Shqipëria sot është vendi i vetëm në botë pa gjykatë kushtetuese dhe gjykatë të lartë.
Arta Marku