Rama në Kinë, Meta në SHBA

 

 

Dy drejtuesit e institucioneve kryesore të shtetit, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama kanë nisur dje një tur vizitash në dy prej superfuqive politike dhe ekonomike të botës. Vizitat duket se nuk janë një rutinë e zakonshme e takimeve diplomatike. Meta shkon në SHBA, në një prej aleatëve strategjikë të Shqipërisë dhe në vendin ku merren vendimet të rëndësishme thuajse për gjithë botën. Ndërsa kreu i qeverisë, në krye të një delegacioni të madh ka zgjedhur Hong Kongun për të vendosur piketat e një bashkëpunimi të rëndësishëm ekonomik. Në Kinë janë dollarët.

Mesazhet politike të vizitës në SHBA

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u nis dje për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Forumin Parlamentar të Inteligjencës dhe Sigurisë. Forumi zhvillohet në Kongresin Amerikan, me ftesë të kryetarit të Task-Forcës së Kongresit për Terrorizmin dhe Luftën Jo-Konvencionale. Zyra e Shtypit e Kuvendit njoftoi dje se gjatë kësaj vizite, Kryetari i Kuvendit do të zhvillojë dhe një seri takimesh të tjera. Vizita e Metës  ka në vetvete më shumë mesazhe politike, edhe pa u bërë publike takimet. Së pari është një vizitë që efektin e ka të menjëhershëm në Tiranë. Prej disa muajsh, në kohën ë akuzave më të ashpra ndaj Metës, opozita hodhi në media një kartë diversioni që lidhej me SHBA-të. Në jo pak raste, media të djathta dhe deputetë të selisë blu kanë aluduar se raportet e SHBA-ve me kreun e Kuvendit kanë qenë në pikën kritike. Disa vizita të zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe mostakimi zyrtar i tyre me Metën janë përdorur nga PD-ja si sinjale që tregonin një “thyerje” mes SHBA-ve dhe Metës. Një ide e tillë është marrë seriozisht nga PD-ja, edhe pse çdo javë ambasadori i SHBA-ve takohet rregullisht me Kreun e Kuvendit. Në një vend ku çdo deklaratë dhe simbolikë që vjen nga SHBA-të shërben për teori konspiracioni, vizita e Metës në Uashington është përgjigjia më e mirë. Dhe jo vetëm që kreu i Kuvendit po shkon në SHBA, por me ftesë të Kongresit Amerikan, e kësisoj kjo ftesë rrëzon çdo aludim alla-shqiptar. Ndaj kjo vizitë u ka prerë hovin thashethemeve që qarkullonin nga selia blu. Mesazhi tjetër politik pritet në kthim. Jo pak herë, zhvillimet politike në vend kanë ndodhur pas vizitave që politikanë të rëndësishëm në Shqipëri kryejnë në SHBA. Ilir Meta në çdo takim me njërëzit e tij thotë se pa u konsultuar me amerikanët asnjë lëvizje dhe çdo gjë në akord me “rrugën e Elbasanit”. Kjo rrugë është ambasada e SHBA në Tiranë.

Vizita e kreut të Kuvendit në SHBA në këtë vizitë zyrtare mbetet  domethënëse  edhe në një këndveshtrim tjetër, sepse do të bisedojë edhe më zyrtarë të tjerë të Kongresit e Senatit Amerikan për reformën në drejtësi dhe për të miratuar ligje në luftë ndaj krimit e korrupsionit . Meta mbetet stoik se miqësia me SHBA është vendimtare për demokracinë në Shqipëri.

Rama kërkon investime kineze

I kritikuar për mungesën e investimeve të mëdha të huaja në vend, Kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë një hap të rëndësishëm në thithjen e investimeve nga superfuqia ekonomike e botës. Rama është nisur dje për marrë pjesë në një prej aktiviteteve më të rëndësishme për investime mes Kinës dhe Shqipërisë. Sipas zyrës për shtyp të Kryeministrisë, ditën e hënë kryeministri do të zhvillojë takim me kreun Ekzekutiv të Hong Kong-ut,  Leung Chun-ying. Të hënën Kryeministri do të ketë një takim edhe me Komitetin e Energjisë së Kinës. Ndërkohë, detajet e tjera janë publikuar nga një kompani e huaj që ka marrë përsipër zhvillimin e projekteve ekonomike në vend. Kompania “Developin Marcets Assosites” (DMA) me qendër në Londër dhe e specializuar në investime, njofton se në datën 27 tetor në Hong Kong do të zhvillohet forumi ekonomik “HK-Albania Trade & Investment Forum”. Në këtë forum, kryeministri Edi Rama shoqërohet nga ministra të kabinetit dhe biznesmenë të njohur në vend. Sipas axhendës së prezantuar nga “Developin Marcets Assosites”, Edi Rama shoqërohet nga biznesmeni miliarder Samir Mane; shefi ekzekutiv i ‘Infosoft Albania’, Grigor Joti, president i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu; Presidenti i Eurosig Kadri Morina, por edhe një sërë biznesmenësh të tjerë. Gjithashtu, në forum do të marrin pjesë dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko; ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri; ministri i Zhvillimit Ekonomisë, Arben Ahmetaj; por edhe  përfaqësuesi i projektit gazsjellës Trans-Adriatik (TAP), Michael Hoffman. Në komentin e saj, kompania që organizon forumin shprehet se ky takim është një nisje e projekteve mes Kinës dhe Shqipërisë. “E vendosur në qendër, si një udhëkryq natyror i korridoreve të mëdha në Europë, Shqipëria është vendi ideal për të përfituar nga pozicionimi i saj gjeografik, ku përfshihen tregjet e Lindjes dhe Perëndimit. Shqipëria ka ndërtuar një mjedis tërheqës biznesi miqësor me përfitimet tatimore dhe stimujt për investim. Ky forum inaugurues paraqet një mundësi unike për të filluar dialogun e fuqishëm, konstruktiv në mes të investitorëve të huaj dhe qeverisë “,- thuhet në njoftimin e kompanisë “DMA”. 

Nesër të dy fillojnë vizitat zyrtare, njëri në Washington dhe tjetri në Hong Kong.

SHKARKO APP