Rama në parlament: Meta, president shumë korrekt, por tani e shkeli!
Kryeministri Rama sot në sallën e parlamentit tha se presidenti Meta ishte zgjedhja më e mirë e jona, dhe se deri të shtunën ai ka qenë korrekt, por nga e shtuna me mos dekretimin e kandidaturës Sandër Lleshin, ai nuk ka zbatuar Kushtetutën.
“Kushtetuta i ka të përcaktuara qartë të 12 kompetencat e Presidentit. Kushtetuta nuk i njeh Presidentit kompetencën për t’i refuzuar propozimet e kryeministrit”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shtoi, pasi lexoi letrën e refuzimit të Metës: “Presidenti nuk ka krijuar “bindjen e plotë” ka thënë dhe nuk i përgjigjet dot pozitivisht propozimit për dekretimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm. Ministër që nuk ka kompetencë ta refuzojë, por ka detyrën ta miratojë”.
Kryeministri theksoi se në asnjë skutë të Kushtetutës nuk e ka që Presidenti mund ta refuzojë dekretin.
Sapo lexoi letrën e presidentit, kryeministri Rama shtoi se Meta ishte i detyruar të firmoste dekretin për ministrin. Nuk e kuptoj se përse Meta nuk e ka firmosur. Nuk kam bërë asnjë përpjekje për ta sfiduar presidentin Meta, ndaj nuk e di pse ai thotë se do të ruaj dinjitetin e tij. Kur nuk e ka bërë Bujar Nishani, që ishte president partiak, nuk e di pse e ka bërë Ilir Meta, gjetjen e shtegut për mos dekretim.
Ndaj shpresoj se presidenti Meta do ta dekretoj Sandër Lleshin si ministër. Falenderoj Presidentin Meta për dekretin e drejtorit të SISH.
Duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet që krisjen mes nesh dhe presidentit të mos e çojmë në thyerje.