Rama nga SHBA: Reformën ose telashe!
Kryeministri Edi Rama ka përfunduar dje vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një vizitë që kulmoi me dy takime të rëndësishme, Presidentin Barak Obama dhe Zëvendëspresidentin Xho Biden. Kryeministri Edi Rama u prit për 50 minuta në Shtëpinë e Bardhë nga numri një dhe numri dy i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rama është takuar 10 minuta me Zëvendëspresidentin Baiden dhe për rreth 40 minuta me Presidentin Barak Obama,sipas zyrës së shtypit të kryeministrit. Për nga protokolli dhe niveli i takimeve, një pritje e tillë në Shtëpinë e Bardhë është shumë e rëndësishme në rang kryeministri. Një pritje e tillë i është bërë edhe Ilir Metës kur ishte kryeministër në vitin 2001 nga Presidenti Bush.
Nga pikëpamja protokollare detajet tregojnë për një vizitë të suksesshme. Në fotot zyrtare të takimit që shpërndahen me lejen e Shtëpisë së Bardhë bie në sy se Presidenti Obama ka dalë nga protokolli duke e ftuar Kryeministrin Edi Rama edhe në Zyrën Ovale, siç bëri edhe Bush me Metën. Ndërkohë që takimi mes delegacioneve të dy vendeve është zhvilluar në një tjetër zyrë të Shtëpisë së Bardhë.
Të gjitha këto detaje protokollare kanë rëndësinë e tyre kur bëhet fjalë për takimin e kryeministrit të një vendi që realisht nuk ka peshë kryesore në arenën globale me dy drejtuesit e superfuqisë më të madhe botërore. Ceremoniali në këtë rast jep mesazhin se mes dy vendeve që festojnë 25-vjetorin e marrëdhënieve ka një partneritet strategjik. Një pritje e tillë në qendrën botërore të pushtetit është jo vetëm një sukses personal i Kryeministrit Edi Rama si politikan, por edhe dëshmi se Uashingtoni e shesh Shqipërinë si një partnerë serioz dhe të besueshëm.Delegacioni shqiptar qëndroi dje për 50 minuta në godinën ku liderët e thuajse gjithë botës ëndërrojnë të shkojnë 1 minutë qoftë, edhe vetëm për një foto me Obamën. Ndaj vizita mund të quhet e suksesshme.
Por veç fotove dhe detajeve të pritjes në takime të tilla kanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe mesazhet. Takimi mes delegacioneve është përqendruar në dy elementë. I pari ka të bëjë me qëndrimi i Shqipërisë si partnerë i SHBA në çështjet rajonale, angazhimi në NATO dhe kriza e refugjatëve. Ndërsa pjesa e dytë ka të bëjë me zhvillimet e brendshme në Shqipëri ku SHBA-të janë investuar prej vitesh për zhvillimin e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Për çështjen e angazhimeve rajonale, emigrantët dhe në NATO, qëndrimi i Shqipërisë ka qenë i qartë në krah të SHBA-ve. Ndërsa për çështjet që kanë të bëjë më zhvillimet në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama ishte i qartë pas përfundimit të takimeve për mesazhet që ka marrë nga Shtëpia e Bardhë. Në deklaratën e parë të dhënë për “Zërin e Amerikës”, ai u shpreh e ka marrë mbështetje për reformat në Shqipëri. “Shtëpia e bardhë e kërkon, mbështet dhe e konsideron test shumë të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën e integrimit europian”, tha Rama.
Kryereforma në të cilën ambasada e SHBA-ve është angazhuar direkt është ajo në drejtësi. I pyetur se kur do të kalojë kjo reformë, Kryeministri Rama tha se kishte një mesazh të qartë nga aleatët e Shqipërisë, duke shtuar se kush nuk miraton reformën hyn në telashe të mëdha. “Mund të ishte miratuar sepse ajo është gati. Ka patur shumë simulime për t’iu shmangur kësaj reforme, por ne kemi një mesazh i qartë nga populli shqiptar dhe aleatët e partnerët tanë ndërkombëtarë, që kush nuk do reformën hyn në telashe shumë të mëdha”, u shpreh ai.
Pas takimeve dhe mbështetjes që ka marrë në SHBA, kryeministri Rama vjen në Tiranë me një garanci më tepër për rrugën e reformave. Garanci që e bëjnë të mbaj dhe qëndrime të rrepta ndaj kundërshtarëve të reformës në drejtësi. Mesazhi ishte i qartë nga oborri i Shtëpisë së Bardhë: “Reformën në drejtësi, ose ju presin telashe!”.
Por mbetet të shikohet nëse do të miratohet para sesionit të pushimeve verore apo do të kap vjeshtën kohë kur zgjidhet edhe presidenti i ri i SHBA.