Rama “palos” burrat shkodranë si drejtorë!

Skandalet e qeverisë dhe disfata e turpshme e PS-së në Shkodër kanë bërë që Edi Rama të vihet në lëvizje. Si në gjithë qëndrimet e tjera të kreut të qeverisë para një problemi të madh, siç është debati i kriminalizimit të PS në Shkodër, Edi Rama edhe këtë herë nuk merret me thelbin, por me imazhin. Ndaj, për të rritur kuotat e PS-së në Shkodër, qytetin ku ka hasur përballjen më të madhe opozitare, Rama ka gjetur si zgjidhje nisjen shkarkimeve të drejtorëve.

Në mbledhjen e Kryesisë së PS-së, dy ditë më parë, kryeministri thirri në zyrën e tij në parti gjithë drejtorët e rëndësishëm të qarkut Shkodër. U tha se ishte i pakënaqur me rezultatin e 30 qershorit pasi vetëm 6 përqind e shkodranëve, më pak se në çdo qytet tjetër, shkuan në kutitë e votimeve. Tha se ishte i zhgënjyer me faktin se Valdrin Pjetri, një nga zyrtarët që e mbështeti më shumë pa pyetur asnjë tjetër në Shkodër, doli se kishte probleme me dekriminalizimin. Tha se ishte i pakënaqur me Ditmir Bushatin, që edhe pse e shkarkoi, rezulton se ka më shumë peshë politike se gjithë deputetet e tjerë që ka rreth e rrotull. Në fund, u ankua dhe për Voltana Ademin, që megjithëse po tenton ta largojë me çdo mjet nga bashkia, ligjërisht, është kryetarja më e ligjshme në gjithë bashkitë aktuale të vendit. Pasi u ankua për gjithë problemet e Shkodrës dhe të Shqipërisë, kryeministri e gjeti zgjidhjen. Urdhëroi të gjithë drejtorët e Qarkut të Shkodrës të firmosnin dorëheqjen, për paaftësi!

Praktikisht “dorëheqja” është shkarkimi i gjithë përfaqësuesve më të lartë të administratës në qarkun më të rëndësishëm të Veriut. Në mbledhje, kryeministri nuk kishte ndonjë ankesë konkrete për punën e tyre për të cilën marrin rrogën nga shteti. I vetmi problem, e thënë në mënyrë qesharake, ishte se drejtorët ishin burra. Pra, gjithë hallet e Shkodrës dhe problemet politike që ka sot Rama dhe qeveria e tij, vijnë për shkak se institucionet kanë drejtorë burra. Ndaj dhe urdhri i kryeministrit ishte se gjithë burrat drejtorë do të japin dorëheqjen dhe në detyrë do vendosën vetëm gra. Dje, pa u bërë ende 24 orë nga urdhri i Edi Ramës, 8 drejtorë burra të administratës shtetërore në Shkodër dorëzuan me urgjencë dorëheqjen. Një pjesë e tyre kishin firmosur thjesht dorëheqjen pa dhënë motivacion të detajuar. Të tjerët, kishin vrarë mendjen gjithë natën që të rendisin arsye nga më të çuditshmet për të justifikuar aktin e largimit. Në fakt, faji i tyre i vetëm në këtë histori është se janë burra dhe se kryeministri u dha një urdhër që ata thjesht duhet ta zbatojnë.

Në këtë mënyrë, kryeministri palosi dje tetë drejtorë burra, zyrtarë dhe profesionistë që kanë dhjetëra vite që kanë punuar në administratën shtetërore, bile disa kanë fituar edhe me konkurs vendin e punës. Pavarësisht se çështja e burrave dhe grave po trajtohet me humor, ajo që po ndodh këto ditë në Shkodër është shprehja me e turpshme dhe më antiligjore e një qeverie.

Pa i hyrë biografisë dhe aftësive që kanë këta drejtorë për mbajtur këto poste, mënyra sesi po sillet PS dhe Rama me administratën është një skandal më vete. Administrata publike në Shqipëri është e shkëputur nga ajo partiake, me ligj. Një drejtor i shtetit në Shkodër mund të jetë votues i PS, por nuk është ushtar i kreut të PS. Në momentin që ai është emëruar apo zgjedhur në një detyrë shtetërore, përgjigjet para ligjit dhe institucioneve sipas hierarkisë, por jo para kryetarit të partisë. Edi Rama i thirri gjithë drejtorët në zyrën e tij në PS duke shkelur ligjin e nëpunësit civil që i ndalon zyrtarët të merren me aktivitet politik. Dihet sesi zgjidhen një pjesë e drejtorëve, por deri më sot nuk ka guxuar asnjë kryeministër t’i thërrasë në mbledhje partie, në këtë formë dhe në mënyrë kaq të shëmtuar.

Arsyet e shkarkimeve janë po ashtu një skandal më vete. Edi Rama mund t’i shkarkonte drejtorët për mosrealizim të objektivave, për paaftësi dhe mund t’i çonte për ndjekje penale, nëse dyshon se janë të korruptuar. Kjo do ishte gjë normale në pozitat e kryeministrit dhe jo kreut të PS-së. Por Edi Rama i thirri në zyrë dhe i shkarkoi sepse imazhi i PS në Shkodër është copë-copë. Normalisht lind pyetja, çfarë lidhje ka drejtori i Tatimeve me imazhin e PS? Kërkesa për të ruajtur vijën e partisë në administratë bëheshin vetëm në kohën e komunizmit, por edhe atëherë gjërat nuk bëheshin kaq shëmtuar sa sot. Shkarkimet në Shkodër, sipas Ramës, u bënë për imazhin e PS, por në këtë mënyrë kryeministri shkatërroi dhe atë pak imazh që kish mbetur nga administrata. Gjithë propaganda se administrata është e pavarur nga politika u gropos në zyrën e kreut të PS. Ligji për nëpunësin civil, miliona fonde për depolitizimin e administratës, miliona euro për konkurset e drejtorëve dhe zyrtarëve ranë brenda një dite. Tani nuk ka më institucione, por vetëm parti-shtet.

Mili Xhani

SHKARKO APP