Rama po prishi Marrëveshjen, atëherë opozita të kërkojë Qeveri Zgjedhore

Fjalimi i djeshëm i kryeministrit Edi Rama në Parlament, ku deklaroi se do të grisë marrëveshjen politike me opozitën reale për reformën zgjedhore është degradimi më i madh i një mazhorance, e cila para ndërkombëtarëve firmos dhe në prapaskenë e gris atë që ka firmosur. Kërcënimi me tone adoleshente, se marrëveshjen e kam unë në dorë dhe vendos sipas tekave se çfarë do bëj, e kthen Edi Ramën në lider të pabesueshëm. Nuk është fjala thjesht për një dokument mes partive, por me kërcënimin për rrëzimin e paktit kryeministri nuk jep më asnjë garanci për dialogun, negociatat dhe çdo marrëveshje që do të firmosë në të ardhmen. Edi Rama nuk njihet si lider që respekton marrëveshjet, por dje mori dhe damkën e politikanit që nuk ja vlen as të ulësh në bisedime dhe negociata se ta ndryshon fjalën edhe kur ka dëshmitarë amerikanë. Sepse nuk ke çfarë negocion me dikë që pasi hedhë firmën pendohet pas 24 orësh dhe thotë nuk njoh atë që kam firmosur. Politika nuk shquhet për moral, por ka një limit etik qytetar edhe në vendimmarrje. Mund të luash pas kuintave me të gjitha mënyrat, mund të blesh kundërshtarët, ndërkombëtarët dhe deputetët anonimë, mund të bësh dhe zgjedhje sipas modelit komunist, por ka diçka që nuk mund të bëhet. Ajo që nuk lejohet në politikë është që pasi ke firmosur një pakt në pozitat e kreut të qeverisë, një ditë më pas ta sabotosh dhe të pranosh publikisht se nuk e njeh. Edi Rama po bën akt sabotues që pas 5 qershorit kur marrëveshja u miratua në tokën amerikane në Ambasadën e SHBA në Tiranë. Dje vetëm sa doli hapur si autori i vrasjes së marrëveshjes dhe njeriu më antidialog në skenën politike shqiptare. Mesazhi që dha me kërcënimin ndaj opozitës për të mos njohur marrëveshjen hoqi dhe çdo dilemë të ndërkombëtare lidhur me autorët e vërtetë të sabotimit të marrëveshjes. Edi Rama tregoi se me atë nuk mund të negociohet, sepse çfarëdo të thotë gjatë procesit të dialogut, në fund marrëveshjet nuk kanë më vlerë. Ndaj bashkë me opozitën të kërcënuar, shantazhuar dhe përdhosur ishin dhe ambasadorët që u bënë pjesë e negociatave. Rama u tha se cilado qoftë pesha e shteteve që ata përfaqësojnë, për atë personalisht kanë më shumë vlerë deputetët e Pazarit të Milotit sesa ambasadorët e vendeve aleate në Tiranë.

Tashmë që Edi Rama zbuloi qëllimet e tij publikisht dhe e bëri të pavlefshme çdo marrëveshje politike që mund të arrihet me të, opozita ka vetëm një mënyrë për të vijuar betejën politike. Meqë PS nuk e ka problem të prekë tekstin e paktit të firmosur atëherë në këtë pakt duhet rikthyer fuqishëm teza e Qeverisë Tranzitore të Zgjedhjeve. Pjesa tjetër e kushteve të PS për KQZ, votën e emigrantëve etj, nëse duan le të plotësohet, pasi të pranohet Qeveria Tranzitore. Modeli i Maqedonisë së Veriut është gati dhe nuk ka nevojë për shpikje. 100 ditë para zgjedhjeve, Edi Rama të largohet nga posti i kryeministrit. Detyra e kryeministrit ti kaloj një personaliteti të pranuar nga të gjitha palët dhe kreu i qeverisë të vijojë fushatën me atlete dhe çitjane si të dojë, por jo si kryetar i qeverisë. Largimi i Edi Ramës nga qeveria para zgjedhjeve nuk duhet parë si tekë e opozitës, por si e vetmja garanci që procesi zgjedhor nuk do të manipulohet. Kryeministri është njeriu që drejton skemën e manipulimit direk dhe indirekt. Dosjet e Dibrës dhe të Durrësit treguan se të gjitha fijet e manipulimit elektoral të çojnë në zyrën e kreut të qeverisë. E vetmja mënyrë që pushteti politik dhe qeveri të mos fusë duart në kutitë e votimit është që kryeministri të mos ketë më në dorë vendimmarrjen dhe kontrollin e pushtetit ekzuktiv. Ky rregull nuk vlen vetëm për Edi Ramën, por për këdo që do të ulet në atë post pas tij. Zgjedhjet i vjedhin të fortët në bashkëpunim me deputetët, por asnjë nga këta nuk është aq i marrë sa të grabisë vota nëse nuk ka përkrahjen e kryeministrit. Dhe në Shqipëri, pushteti bën që kryeministrat të jenë edhe drejtor policie, kryeprokuror dhe kryetar gjykate, që u ofron garanci besnikëve të tij që i sjellin mandate politike të vjedhura. Ndaj largimi i kryeministrit 3 muaj para zgjedhjeve dhe vendosja e një Qeverie Tranzitore e bën fushatën elektorale më të pastër dhe zgjedhjet më ndershme.

Opozita reale ta kthejë në kusht Qeverinë Zgjedhore, meqënëse Rama hodhi poshtë firmën e Damian Gjiknurit në emër të PS.

 

SHKARKO APP