Rama pret Metën,Meta drekë me Edin!
Për kryeministrin Edi Rama duket se ka vetëm një problem që duhet zgjidhur me qeverisjen; si do të jetë koalicioni me LSI në vitin 2017. Në çdo komunikim me mediat gjatë javës së fundit ka lënë të hapur mundësinë për t’u ulur në tavolinë me kreun e LSI-së, Ilir Meta dhe për të përcaktuar fatin e bashkëpunimit politik. Të njëjtën gjë kërkoi dhe dje në një intervistë për Televizionin Publik Shqiptar. Ndryshimi është se dje tha se koha për t’u ulur dhe biseduar ishte tani.
“Është koha dhe shumë shpejt ne do të ulemi për të diskutuar në mënyrë të hapur, gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me bilancin e deritanishëm, lidhur me sfidat e kësaj faze të fundit të mandatit dhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme për të patur qartësi të plotë, jo vetëm mes nesh, por dhe me publikun mbi ecurinë e mëtejshme”,- tha dje kryeministri Rama.
Nga ana tjetër, kreu i LSI-së ka zgjedhur po median shtetërore për t’i kthyer përgjigje kreut të qeverisë lidhur me marrëveshjen për aleancën. Në këtë pikë, Meta përsërit qëndrimin e njohur se LSI-ja u qëndron marrëveshjeve. Ndërsa i kujton kreut të qeverisë se mes dy forcave ka një marrëveshje të firmosur në vitin 2013 në Shkodër për qeverisjen e përbashkët. “Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike që i qëndron marrëveshjeve. Aktualisht jemi në zbatim të marrëveshjes së njohur si Marrëveshja e Shkodrës, e nënshkruar në qytetin e Shkodrës midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim”,- tha kreu i Kuvendit. Por nuk tha gjë me tepër në lidhje se si do të futet në zgjedhje LSI.
Më shumë se situata aktuale e qeverisjes, Kryeministrin e shqetëson e ardhmja politike dhe zgjedhjet e vitit 2017. Megjithatë është e pakuptueshme pse kërkon me ngulm që të përcaktojë rregullat e ndeshjes së ardhshme, kur loja aktuale nuk ka përfunduar ende. Aq më tepër që në skenë kryeministri ka futur edhe një lojtar të ri, Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Aleat, ndaj të cilit kryeministri Rama po tregohet më dorëlëshuar se ndaj kujto partneri tjetër në koalicion.Vetëm javët e fundit, drejtoritë e rëndësishme të administratës i janë dhënë pa kriter, me pretekstin se nesër do t’i kthehen në votat të koalicioni. Kjo lëvizje e fundit e kryeministrit Edi Rama, me shumë se luajitet ndaj aleatit të ri të koalicionit, ngjan me saktë si frikë se mos LSI e lëshon në vetmi PS-në në zgjedhjet e ardhshme. Votat e vitit 2013, PDIU i mori në koalicion me PD-në dhe nuk dihet nëse në vitin 2017 do të ketë sërish të njëtjin ritëm rritje. Gjithësi, PDIU është plani rezervë i Ramës, në rast se nuk arrin marrëveshje me LSI. Por kjo formë negocimi me plan rezervë, në fakt nuk i shërben as qeverisjes aktuale dhe aq më pak projektit për 4 vitet e ardhshme. PS e di mirë se LSI është rritur shumë në vota. Zgjedhjet e fundit vendore e shtuan shumë numrin e votave të forcës politike të Ilir Metës, çka shtoi xhelozinë në selinë rozë, aqsa për muaj rresht sajuan e kontribuan mediatikisht që të sulmonin Ilir Metën. Por tashmë që dështuan duket se po i kthehen arësyes se pa LSI nuk merr pushtet e majta.
Gjithsesi, në deklaratat e djeshme të dy drejtuesve kryesorë të koalicionit kanë dhe elementë që lidhen vetëm me konsumin mediatik dhe nuk tregojnë se çfarë ndodh realisht. Rama dje ftoi Metën në takim, madje me ngut për të ndarë çështjen e qeverisjes. Në fakt vetëm një javë më parë ishin bashkë në drekë publike, ku diskutuan dhe ndërrimin e minisëtrit të transporteve. Ka pak mundësi që dy drejtuesit e koalicionit të diskutojnë për qeverinë dhe të mos e përmendin çështjen e zgjedhjeve të vitit 2017. Paskan ngrënë drekë për mbi dy orë dhe nuk paskan diskutuar për vazhdimin ose jo të koalicionit! Pak e besueshme kjo.
Një gjë është e sigurtë: Ilir Meta e bën qeverinë pa Edi Ramën, sepse ka plot parti në terrenin politik. Edhe ish-aleatë! E kundërta, pra që Rama të marrë deputetë për të krijuar qeveri, mbetet në pikëpyetje të madhe, në mos iluzion.
Nëse PS dhe LSI nuk futen bashkë në zgjedhje e sigurtë është se e majta nuk e mban pushtetin.
Spiten Prulli