Rama, ushtarakët për drogë, ish-ushtarakët kundër drogës
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155273054681523/
Kryeministri Edi Rama ka bërë dje një lëvizje surprise, me natyrë ushtarake. Me një vendim qeverie ka shkarkuar nga detyra prefektë e 12 qarqeve. Ndryshimet në këto institucione ishin paralajmëruar edhe më parë, ndërsa risia kryesore janë emërimet e reja. Në krye të 12 prefekturave do të jenë 12 ushtarakë në rezervë me grada të larta të ushtrisë shqiptare. Lista nisë me gjeneral brigade, ish-shefa të Shtabit të Përgjithshëm, kolonelë në rezervë dhe drejtues të institucioneve të rëndësishme të Ministrisë së Mbrojtjes. Emrat e përzgjedhur nga kreu i qeverisë janë ndër më profesionistët në fushën e mbrojtjes, me përvojë në ushtrinë tonë, por edhe në strukturat e NATO-së.
Institucioni i Prefektit, sipas ligjeve shqiptare është përfaqësuesi direkt i Kryeministrit dhe qeverisë në pushtetin vendor. Nga dje, Edi Rama ka rrethuar qeverinë me 12 gjeneralë dhe kolonelë që do të zbatojnë më së pari udhëzimet e Kryeministrit. Në prezantimin që bëri dje për mediat, Rama theksoi se kjo përzgjedhje lidhet me disa çështje specifike. Ushtarakët në rezervë janë më të kompletuar profesionalisht për të përballuar emergjencat civile, si zjarret dhe përmbytjet. Organizimi i tyre në terren do të jenë më i mirë së shumë kryetarë bashkish që kujtohen për masat emergjente vetëm kur përmbytet qyteti. Por arsyeja më e rëndësishme e vendosjes së tyre, të cilën Rama e përmendi vetëm me një rresht, ka të bëjë me luftën kundër kanabizimit të vendit. Prefektët kanë detyrë kontrollin e rreptë të territorit për kanabisin dhe po në mënyrë ushtarake do të raportojnë te Kryeministri për çdo parcelë dhe problem.
Nuk dihet se cila është arsyeja që Edi Rama zgjodhi tani ushtarakët për këtë detyrë. Por nëse kthehemi pak pas në kohë, deklarata e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani për hashashin, tashmë është bërë realitet. Ushtria, të paktën forcat rezerviste, nga dje kanë zbritur në terren për të luftuar drogën. Por është shumë vonë. Bandat e drogës e bënë detyrën e tyre, votat i blenë dhe tani po shijojnë “frytet” e tre viteve me PS në qeverisje.
Mënyra sesi u servir lajmi në media, 4 orë para mbledhjes së qeverisë, tregon se më shumë se cilësia e emrave, qeverisë i interesonte zhurma që do të krijohej. Dhe deri diku ia arriti. Gjithë mediat po merren me jetëshkrimet dhe karrierën e ushtarakeve në rezervë. Në të vërtetë emrat e përzgjedhur nga Edi Rama nuk kanë asnjë të metë në fushën ku kanë punuar. Problemi është se çfarë kanë në dorë të bëjnë prefektët për të ndryshuar situatën dhe pse dështuan paraardhësit. Mbjellja masive e drogës vitet e fundit u pa edhe nga prefektët që dje u shkarkuan. Një pjesë e tyre edhe kanë raportuar. Por duket se askush nuk i ka marrë seriozisht, sepse policia ishte drejtuesja e trafikut te drogës. Edhe argumenti se prefektët do kontrollojnë më mirë territorin nuk qëndron. Qeveria dhe PS kanë shumicën e bashkive në gjithë vendin. Informacioni nuk i ka munguar asnjëherë qeverisë për atë që ndodh në terren. Prefektët ushtarakë mund të jenë shumë më të aftë, por ndryshe funksiononi te ushtria dhe ndryshe te qeveria. Këtë herë ‘komandanti’ i tyre është Edi Rama dhe i nisi në një betejë që e pranoi se e ka humbur gjatë 4 viteve të para.
Ushtarakët janë njerëz të respektuar dhe e kishin mbyllur me nder karrierën. Se ç’ju desh atyre të futen nën urdhërat e një kryeministri që nuk e njeh ushtrinë, ata e dijnë. Shpresojmë të mos zhgënjëhen.
Si veprim për të bërë lajm dhe duke e spostuar vëmëndjen nga dosja Habilaj-Tahiri, mbetet një taktiktë brilante.
Por Ylli Manjani e ka perifrazuar bukur këtë vendim të kryeministrit.
Postimi i Ylli Manjanit
Ushtarakët i vë në shërbim të trafikut! Ish-ushtarakët në shërbim të propagandës të “bërjes shtet”! Kjo është qeveria me krye të pandehur!
LISTA E PREFEKTËVE TË EMËRUAR
- Prefekti i Durrës, Roland Nasto. Kapiten i rangut të parë i Forcave Detare në rezervë. Ish-shef i Shtabit i Forcave Detare.
- Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja. Kolonel në Rezervë, ish-Drejtor i Drejtorisë së Ndërlidhjes me Shtabin e Përgjithshëm.
- Prefekti i Fierit, Baki Bala. Kolonel në rezervë, ish-drejtor i Drejtorisë së Modernizimit në Ministrinë e Mbrojtjes, ish-drejtor i Drejtorisë së Ndërlidhjes me Shtabin e Përgjithshëm.
- Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari. Gjeneral Brigade në rezervë, ish-drejtor i Drejtorisë së Personelit në Shtabin e Përgjithshëm, ish-Komandant i Forcës Ajrore të Shqipërisë.
- Prefekti i Beratit, Harilla Dafa. Kapiten i rangut të parë të Forcave Detare në rezervë, Ish-Komandant i Distriktit Detar, ish-drejtor i kantierit të ndërtimit të anijeve në Vlorë.
- Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu. Kolonel në rezervë, ish-Komandanti i Akademisë së Mbrojtjes dhe ish-drejtori i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes.
- . Prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj. Kapiteni i rangut të parë të Forcave Detare në rezervë, Ish-Komandant i Akademisë së Forcave Detare, ish-Atasheu ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Itali.
8 Prefekte e Tiranës, Suzana Jahollari. E para Kolonele në historinë e Forcave të Armatosura. Ish-komandante e Akademisë së Nënoficerëve Tomson, ish-drejtore e Drejtorisë së Inspektimit në Ministrinë e Mbrojtjes.
- Prefekti i Elbasanit, Maksim Malaj. Gjeneral Major në rezervë, Ish-Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë,ish- Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
- Prefekt i Kukësit, Zenel Kuçana. Kolonel në rezervë. Drejtues i operacioneve në gjatë Luftës së Kosovës.
- Prefekti i Lezhës, Gjergj Prendi. Major në rezervë, ish-drejtues i lartë i Forcave të Armatosura.
- Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj. Ish-drejtues i lartë në Forcat e Armatosura.