Rama:Edhe pa PD reforma do miratohet

Mazhoranca nuk ka ndërmend të harxhojë më kohë me negociata për reformën në drejtësi. Miratimi i saj pritet të bëhet në Kuvend gjatë këtij muaji. Në mënyrë zyrtare drafti i ndryshimeve kushtetuese për reformën është futur dje në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Sipas dokumentit të miratuar nga Konferenca e Kryetarëve, ndryshimet kushtetuese do të jenë pjesë e diskutimeve të Kuvendit nga data 13 qershor deri në datën 1 korrik. Përtej retorikës politike, ky është hapi i parë zyrtarë që bëhet për kalimin e draftit në Kuvend. Tashmë deputetët e Komisionit të Ligjeve do të kenë në duar projektin konkret për ta kaluar më pas për votim në seancë.

Vendimi vjen vetëm një ditë pasi Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e BE-së në Tiranë u shprehen të zhgënjyera për mos arritjen e një konsensusi në takimin e 6 qershorit, Rama-Basha. Në mënyrë të hapur kritikohej Partia Demokratike si forca që nuk tregoi “fleksibilitet” për të arritur konsensusin. Për këtë qëllim, ndërkombëtarët kërkuan kalimin në Kuvend, duke u bërë thirrje deputetëve të PD-së të votojnë në mënyrë individuale dhe jo sipas qëndrimit zyrtare të PD-së. Dje “Zëri i Amerikës” zbardhi dhe arsyet përse ndërkombëtarët ashpërsuan gjuhën dhe sulmuan PD-në. Para takimit të 6 Qershorit, ambasadat kanë propozuar një variant të ri për gjetjen e konsensusit, i cili nuk është bërë publik. Varianti synonte të kënaqte të dyja palët, PS dhe PD. Ndërkohë që PS ra dakord për këtë variant final, Partia Demokratike iu rikthye qëndrimit për vende të rezervuara. Ky dështim i minutave të fundit bëri që ndërkombëtarët të shpërthejnë ndaj PD-së duke dalë hapur kundër saj. Nuk kishte ndodhur asnjëherë që ndërkombëtarët të dalin kaq hapur ndaj një opozite në Shqipëri.

Qëndrimi i selive diplomatike ka sjellë dhe vendosmërinë e mazhorancës për të kaluar procesin në votim. Ndaj dhe Kryeministri Edi Rama dje ishte i qartë dhe sfidues ndaj opozitës në Kuvend, kur deklaroi se reforma do të kalojë, me apo pa Partinë Demokratike.

“Falenderoj partnerët ndërkombëtarë për përpjekjet e bëra për reformën në drejtësi. Të vetmit që nuk deshën të përfshihen seriozisht në këtë proces ishte opozita. Thelbi i suksesit, me ju ose pa ju, do të jetë shembja e sistemit të kalbur të drejtësisë. Ne jemi gati t’ju shtrijmë dorën, por me ju ose pa ju reforma do të bëhet. Ne jemi të gatshëm që çmimin e reformës ta bëjmë të përballueshëm dhe reformën ta votojmë”,- tha dje Kryeministri.

Kalimi i një reformë të tillë pa konsensus ka kostot e saj. Por në këtë rast, Rama nuk po bën lëvizjet e një politikani autoritar, por të një Kryetari qeverie që ka marrë miratimin e selive më të rëndësishme diplomatike. Natyrisht në një akord me Ilir Metën. Qëndrimi i djeshëm i Ramës vinte nga siguria se reforma do të kalojë në Parlament. Problemi mbetet që marrja e votave nga PD të mos kthehet në një pazar, por në një vendimmarrje që i shërben shtetit dhe jo qeverisë, apo Partisë Socialiste. Me mënyrën sesi po rrjedhin ngjarjet me sistemin e drejtësisë këto ditë reforma nuk është thjeshtë një proces, por një emergjencë kombëtare. Ka një sërë vendimesh të dyshimta të gjyqësorit dhe një aktivizim të gjyqtarëve që njihen si të zgjedhur nga PD-ja që janë gati të ndërmarrin edhe akte kamikaze me vendime gjykatash për të bllokuar gjithë procesin dhe t’i kthejnë “nderin” drejtuesve të PD-së që i kanë zgjedhur. Këto lëvizje dhe vendime me shumë pikëpyetje janë një arsye më shumë për kalimin e reformës. Një arsye, jo për të shpëtuar Ramën apo të tjerë në PS, por për të garantuar se gjykatat nuk janë korporata biznesi apo seksione të partive politike.

Përtej interesave politike, arsyeja pse një pjesë e deputetëve të PD-së do të votojnë për reformën ka të bëjë direkt me ndërkombëtarët. Drafti i dorëzuar në Kuvend, mund të mos jetë më i miri i mundshëm, por është një dokument që mban vulën e ekspertëve të BE dhe SHBA. Garancia për këtë reformë nuk është Kryeministri apo Partia Socialiste, por ndërkombëtarët. Refuzimi i reformës nuk është “jo” ndaj Ramës, por është kundërshtim ndaj Uashingtonit dhe Brukselit. PD-ja si parti këto ditë ka marrë goditjet me të forta nga partnerët strategjik të vendit.  Ndaj në PD ka ende njerëz që nuk duan ta ndajnë përfundimisht këtë parti nga Perëndimi. Në krye të këtij grupimi me prirje amerikane në PD është Eduart Selami, i cili do ta votojë hapur projektin e ndërkombëtarëve.

 

SHKARKO APP