Rasti i Zaganjorit dhe Brahimllarit ma rrëzoi besueshmërinë te Vettingu
Nga Nikoll LESI/
Nuk kisha patur besim të verbër te Vettingu, por edhe pa besim nuk isha kur u projektua si Reformë. Kisha dyshime, por prapë hezitoja të flisja, sepse nisur nga përvoja 19 vjeçare, përsonale, e një gjyqi për të zbardhur djegien nga pushteti të redaksisë të gazetës së parë të pavarur në Shqipëri, “KOHA JONE”, ku kisha kaluar katër herë kalvarin e gjyqëve nga shkalla e parë në gjykatën e lartë dhe prapë nga fillimi, pra plot 19 vite, më bënte të thoja se “mirë po ua bëjnë gjyqtarëve!”. Por inati në rastin tim nuk mund të më bënte të mos kritikoja disa vendime të Vettingut me gjyqtarë apo prokurorë të ndryshëm, të cilët kanë sakrifikuar dhe njihen si profesionistë e korrektë, por që për hakmarrje politike të pushtetit të sotëm, janë shkarkuar. Ata janë pa punë, të diskretituar padrejtësisht dhe me një idiotsi të parlamentarëve është miratuar në dispozita kushtetuese se ata nuk kanë të drejtë, pas largimit nga Vettingu, të punojnë avokat apo si noter.
Pra askurkund! I nxjerrin në lirim me nofkën “Hajduti”!
Që të jemi korrekt me fjalën, nuk e kam fjalën për ata gjyqtarë apo prokurorë, të cilët kanë qenë të lidhur me krimin apo që nuk dijnë se sa pasuri kanë nga bollëku. Për ata duhet jo vetëm ndëshkimi, por edhe sekuestrimi i pasurisë. Edhe ndëshkimi penal.
Por dy rastet e fundit nga Vettingu; një gjyqtar i krimëve të rënda, Gurali Brahimllari dhe Xhezair Zaganjori, kryetar i gjykatës së lartë, janë tregues se Vettingu ka doza hakmarrje politike apo edhe më keq vjen me lista nga dikush në qeveri.
Gurali Brahimllari u shkarkua nga KPK me argumenta aspak ligjor dhe bazuar në hipoteza. Gjyqtari njihet nga publiku dhe drejtësia se ka gjykuar bandat më të rrezikshme në Shqipëri dhe u ka dhënë burgime të përjetshme, ndërkohë që kolegët e tij u bënin bisht dosjeve të tilla të rrezikshme. Gurali Brahimllari dënonte në emër të Ligjit, kurse familja e tij dhe ai ruheshin nga forcat speciale nga antentatet e mundshme të këtyre bandave. Tani Shteti, pra Vettingu, e ka nxjerrë në udhë të madhe të pa punë, të akuzuar padrejtësisht dhe të pa mbrojtur.
Shteti e ka detyrë kushtetuese, por edhe morale, për ta ruajtur punonjësin e tij, që ka sakrifikuar e që natyrisht ka zbatuar pikësëpari ligjin në detyrën që ai ka patur. E jo vetëm në fushën e drejtësisë, kudo duhet shteti të ruajë punëtorin e tij, sikurse ka për detyrë të ruajë e garantojë çdo qytetar të vendit. Por kur flitet për disa “zanate” ku flitet me kokën si prokurori, gjyqtari apo edhe punonjësi i policisë, shteti duhet të jetë më i ndjeshëm ndaj punonjësit të tij. E cili polic apo oficer policie sakrifikon kur shikon se kolegun e tij korrekt, pushteti politik i radhës e flak?! Ne kemi parë, të gjithë, se si një oficer policie, Artan Cuku, që u ndesh me bandat e drogës dhe krimit në Vlorë u ekzekutua, sepse pushteti e flaku në rrugë se nuk i pëlqente politikisht. U nxor në rrugë nga policia e shtetit dhe krimi e gjeti, e vrau mu te dera e pallatit të tij, me ushqime në dorë për fëmijët.
E keqja mbetet se çdo pushtet politik që sapo hypën në fuqi largon ata që nuk i bindën urdhërit politik, pasi ata njohin ligjin e jo partinë e radhës në karriken qeveritare. Në këtë drejtim, të dyja palët politike, majtas e djathtas punojnë keq me punonjësin e shtetit. E dekurajojnë, bile edhe e largojnë kur ata shkelin në kallot e njerëzve të partisë në pushtet.
E për t’u rikthyer te tema e shkrimit, si mundet Vettingu të largojë një gjyqtar si Gurali Brahimllari që tashmë tretet udhëve pa punë, pa mbrojtje dhe që i kanë cënuar dinjitetin. Bile publikisht! Kush e ka lexuar letrën e djalit të tij, që shkruante një letër publike drejtuar të jatit, pasi e shkarkuan nga Vettingu, nuk besoj se është ndjerë mirë. Ishte letra e një riu që jo vetëm shprehte pakënaqësi ndaj një mënyre të tillë Vettingu, por dukej si një oshëtimë rinore se “çfarë bëjmë ne, këtu, në këtë vend ku gjyqtari dënon kriminelin dhe krimi, nga burgu, ka forcë ta shkarkojë me anë të Vettingut?!”.
Edhe rasti i Xhezair Zaganjorit, që ishte kryetar i Gjykatës së Lartë, flet për standarte të dyfishta për të njëjtën çështje po nga drejtuesit e Vettingut. Disa të tjerë, që janë dukshëm proqeverisë dhe që e kanë manifestuar me mbyllje dosjesh apo edhe me mos hapje dosje për ministrat apo ish-ministrat e PS-së, kaluan Vettingun. Faktet janë publike dhe të gjithë janë shushatur kur kanë kaluar “lumin Vetting”, kurse po ky Vetting mbeti në klasë Xhezair Zaganjorin. Për një bodrum-parkim thënë me thjeshtë!
Kur don të gricësh apo të gjesh difekte, e gjen çdo njeri që të është vënë pas me çdo kusht për të të hequr! Aq me tepër kur është urdhër politik qeveritar. Të mos harrojnë se nëse duam të gjejmë shkelje apo gjëra, që edhe mund të mos ishin bërë, që nesër gjenden për çdo punonjës apo drejtues të vetë Vettingut. Fjala vjen a i ka deklaruar pasuritë e saj një grua që vjen nga SHBA dhe që tani pret koka në Tiranë, me urdhër politik?! E kemi fjalën për pasuritë në SHBA!
Xhezair Zaganjori njihet si njeri korrekt dhe me integritet. Edhe sikur ai parkim ndërtuar në pronën e gruas të jetë jo konform ligjit, prapë se prapë shteti duhet të vlerësojë njeriun e tij për aktin kombëtar e patriotik, kur pikërisht Zaganjori rrëzoi marrëveshjen e qeverisë Berisha me palën greke për kufirin detar. Vetëm për këtë akt, ku ai shpëtoi ujërat detare shqiptare si dhe nderin e Shtetit shqiptar përballë lukinisë greke për zgjerim kufiri detar në kurriz të Shqipërisë, ai pra Xhezair Zaganjori duhej dekoruar, bile nëse flasim me gjuhën e Vettingut, i duheshin falur edhe 10 parkime duke e lenë prapë gjyqtar në gjykatën e lartë!
Nëse doni fakte me tepër mund të përmendim edhe gjyqtarin pa asnjë “parkim”(!) dhe që makinën e kishte akoma të shekullit të kaluar. Tom Ndreca quhet. E shkarkuan si Vetting se gjoja kishte të dhëna se kishte “takuar djalin e motrës i cili, dikur, ishte kapur me 20 gram hashash”! Tom Ndreca e dijnë të gjithë se ka qenë gjyqtari që dha Lulzim Bashës në vitin 2011 mandatin në Tiranë me 10 vota diferencë kundrejt Edi Ramës. Mund të flasim sa të duash nëse veproi drejt apo jo Tom Ndreca, por fakti mbetet se ai u shkarkua vetëm si hakmarrje politike nga kryeministri Rama. Pra edhe ky fakt të tregon se Vettingu vepron me porosi e urdhëra.
E përsëris, për disa prokurorë e gjyqtarë të cilët janë shkarkuar, Vettingu ka vepruar mirë, pasi nuk kishte Zot që i mbronte. Por kur shikon një rast flagrant fillon e dyshon njeriu, kur dalin dy, dyshimi fillon e shtohet. Dhe kur dalin raste si i gjyqtarit Gurali Brahimllari, që dënoi bandat më të rrezikshme në Shqipëri, atëhere fillon dhe të kthehet në bindje, dyshimi.