Rasti “Sokol Balla” dhe shkelja e privatësisë

 

Ka një debat që ka përfshirë opinionin publik dhe një ka sjellë furtunë në rrjetet sociale lidhur me gazetarin e njohur Sokoll Balla. Një video e hedhur fillimisht në internet dhe më pas e publikuar pjesërisht në disa media, tregon gazetarin në momente intime në banesën e tij. Videoja disa sekondshe ka bërë që prej tre ditësh, si rrallë herë, opinioni të jetë angazhuar në një fushatë të ndarë në dy kampe “pro” dhe “kundër”.

Të parët janë ata që kanë nxituar t’i bëjnë gjyqin publik moderatorit të “Top Story”. Një fushatë linçimi, postera denigrues në rrjetet sociale dhe anatemime që kalojnë edhe cakun njerëzor. Balla po gjykohet në median online njëlloj sikur me videon të ishte zbuluar një krim monstruoz i padëgjuar më parë. Vlen të theksohet se shumica e komenteve denigrues janë anonim. Maksimumi qarkullojnë si mendime personale në rrjetet sociale. I vetmi që ka marrë përsipër deri diku mbrojtjen e kësaj fushate agresive ndaj Ballës është gazetari i gazetës “Ekspress”, Berat Buzhala. E njëjta gazete online që mori përsipër dhe publikimin e videos së moderatorit, e cila prej disa ditësh qarkullonte në telefona dhe rrjete sociale. Buzhala, një ndër penat më të forta dhe të njohura në median e Kosovës dhe me ndikim në opinion, pasqyron mendimin e asaj pjesë të njerëzve, që videon e cilësojnë si perversitet dhe gjest të ulët.

Ndryshe nga ky qëndrim i gazetarit kosovar, në një tjetër këndvështrim e shohin ngjarjen kolegët e tjerë të tij; pronari i “A1 Report”, Carlo Bolino, gazetarët Bato Haxhiu, Mustafa Nano dhe Anila Basha. Ata vënë në dukje se sulmi për disa momente intime të gazetarit, për më tepër të regjistruar në shtëpinë e tij, nuk mund të shërbejë për të denigruar dhe masakruar një personazh publik që nuk është as i zgjedhur me votë si zyrtarët dhe as paguhet nga taksat e qytetarëve. Debati ka hapur dhe një tjetër problem, atë mbi raportin që do të mbajë media “Top Channel” ndaj gazetarit, ku deri dje nuk kishte ende një vendim të qartë nëse Balla do të pushohet nga, apo është pezulluar vetëm për disa kohë. Gazetari Baton Haxhiu theksonte se nëse Sokol Balla pushohet nga puna, në këtë rast u jepet e drejtë abuzuesve me privatësinë. “Top Channel” është një media private dhe vendimi për një rast të tillë mbetet një e drejtë e bordit drejtues, i cili mund të ketë qëndrime të ndryshme lidhur me imazhin dhe koston që mund t’i sjellë kompanisë videoja e gazetarit. Kompania “Top Channel” është mbreti i medias radiotelevizive dhe “mbretërit” si rregull nuk gjykohen, pasi janë bërë të tillë në saj të profesionalizmit.

Pavarësisht kësaj, rasti “Balla” nuk vlen të trajtohet vetëm për fatin e karrierës së tij, apo për faktin se është një emër shumë i njohur i medias. Kjo histori është një dramë personale e Ballës, por nga e cila opinioni duhet të reflektojë pak më shumë sesa vetëm të “shokohet” dhe reagojë me histerizëm. Është e thjeshtë të nisësh serinë e gjatë të moralizimeve dhe sulmeve ndaj gazetarit, por duhet thënë se më të ngazëllyerit në këto akuza kanë qenë ata me të cilët Balla ka pasur konflikte edhe për shkak të profesionit. Mjafton të hedhësh një sy shkrimeve në rrjetet sociale. Por realisht, përveç pakujdesisë së treguar në regjistrimin e momenteve intime, Sokol Ballën nuk mund ta kritikosh në mënyrë kaq të paprinciptë për gjërat e tjera. Të paktën në një shoqëri normale jo. Ai ndodhej në banesën e tij, me një person që duket e rritur në moshë dhe të nisësh nga kjo video një masakër publike ndaj individit duket si jashtë kohe. Kjo sjellje ngjan si mbledhjet e këshillave të dikurshëm të lagjeve, apo si fletërrufetë që demaskonin çiftet për shfaqje të huaja në kohën e komunizmit.

Problemi në këtë rast është tjetër dhe ka të bëjë me privatësinë, mbrojtja e së cilës duhet t’i shqetësojë të gjithë. Mënyra sesi një video intime, ku nuk ka asnjë vepër penale, e regjistruar në banesë përfundon në rrjete sociale dhe në media është një çështje që duhet të diskutohej sot.  Kushdo mund të filmohet në momente intime dhe videoja brenda pak minutash mund të gjendet në rrjetet sociale. Pas kësaj, media me lehtësinë më të madhe këtë material e servir si lajm dhe si skup pa e vrarë mendjen se nga përmbajtja e saj mund të dëmtojë jetën private të një njeriu. I gjithë ky zinxhir ku informacioni kalon pa filtër, kthehet më pas në një kryqëzim publik. Pra askush nuk është i sigurt, se ajo që i ndodhi Sokol Ballës mund të mos u ndodh të tjerëve nesër, natyrisht jo në atë mënyrë, porse mënyrat në momentet intime janë të ndryshme, por mbetet i njëjti përfundim: jeta private tashmë nuk është më e tillë. Dhe kjo cenon të drejtën e secilit për pasur një jetë private.

Një debat i paparë ka filluar këto ditë nisur nga kjo shkelje e privatësisë së gazetarit më të njohur të Top Channel, Sokol Ballës.

Qamil Xhani

SHKARKO APP