Recitimet partiake
Nuk flas dot në emër të të gjithë kolegëve, por e sigurtë është që mund të flas në emrin tim dhe të gazetarëve me të cilët e kam ndarë këtë shqetësim.
Një transformim i pazakontë i marrëdhënieve gazetarë-politikanë ka ndodhur në Shqipëri, me miratimin dhe pëlqimin e të dyja palëve. Aktualisht jemi duke përjetuar vdekjen e gazetarisë pranë selive të partive politike dhe fitoren e radhës të politikës mbi median.
Marrëdhënia e reporterëve me zëdhënësit e partive është gjithashtu në një pikë vdekjeje, aq sa të zgjedhurit e partisë deri përpara disa muajsh dilnin në podium dhe u flisnin pak gazetarëve të pranishëm, operatorëve dhe më pas largoheshin pa marrë pyetje dhe pa dhënë sqarime.
Më kalimin e kohës në zyrat e Kryetarëve të dy partive më të mëdha në vend, asaj socialiste dhe demokratike, u vendos që gazetarët janë të tepërt dhe se lexuesit e deklaratave janë më të vlefshëm si manekinë sesa si përcjellës mesazhesh dhe mbrojtës të argumentave të ditës.
Kështu ndodhi që pak e nga pak gazetarët ta shihnin veten të tepërt përpara manekinëve që lexojnë tekstet e shkruara nga zyrat e shtypit dhe filluan të mos shkonin më në deklaratat për të cilat partitë kërkojnë nga media kryesisht informative ti transmetojnë me patjetër live. Në rast të kundërt vihet në përdorim kamzhiku virtual I drejtuesve të zyrave që kanë në dorë menaxhimin e politikanëve nëpër studiot televizive.
Pavarësisht se cfarë thonë dhe kush e thotë dhe sa vlerë ka për tu transmetuar live, pra me urgjencën e një ngjarjeje që ndodh në minutën e fundit, linja duhet tu kalojë partive për shfryrjen e radhës ndaj kundërshtarëve. Sërish monolog I manekinëve dhe një faleminderit që mbyll komunikimin.
Sot që po shkruaj këto radhë ju ndoshta nuk e dini, por nga foltoret e partive politike mesazhieriët flasin përpara kamerave televizive sepse edhe operatorët e rregullojnë me njëri tjetrin dhe mjafton njëri të jetë në detyrë dhe të tjerët mund të pijnë ndonjë cigare poshtë. Në fund të fundit c’të rrinë kot aty. Me të mbaruar leximi I shfryrjes mbyllet transmetimi dhe pritet përgjigja nga partia e sulmuar, për të cilën nuk pritet shumë, zakonisht rreth gjysëm ose një orë.
Kjo që ka ndodhur nuk është as qesharake dhe as rastësore. Është një zgjedhje e qëllimshme e bërë nga partitë politike dhe e disa mediave për të mos luftuar për gjëra kaq të parëndësishme, sic është komunikimi përmes dialogut dhe sqarimit të argumentave apo akuzave që ata rëndom ngrenë.
Kujt I duhet në fund të fundit t’i sqarojë vërtet gjërat. E gjithë dita politike në selitë partiake është një teatër që fik dritat në darkë dhe i ndez në mëngjes për të përsëritur të njëjtën shfaqje me të njëjtët aktorë dhe shpeshherë edhe të njëjtën përmbajtje.
Ata që nuk ndryshojnë janë spektatorët të cilët po trajtohen gjithnjë e më shumë si të tillë pavarësisht se si qytetarë kanë të drejtë të kërkojnë shpjegime e sqarime nga zëdhënësit e opinionit të tyre gazetarëve, por që fatkeqësisht politika ka vendosur ti shpallë të panevojshëm përderisa kanë dalë në modë recituesit partiakë.