Referendum për detin me Greqinë ose çdo veprim tjetër mbetet TRADHTI kombëtare!
Akademikë, profesorë të njohur dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur dje në Tiranë për të kërkuar nga institucionet e shtetit shqiptar që të mos lejojnë faljen e hapësirës detare, Greqisë. Aktivistët si profesor Sazan Guri, profesori i së drejtës së detit, Osman Metalla, admirali i njohur Vladimir Beja dhe emra të tjerë të së drejtës deklarojnë se vendimi i qeverisë “Rama” për të zgjidhur problemin detar me Greqinë në Hagë është noterizim i humbjes dhe faljes apo shitje e detit shqiptar. Në një rezolutë të miratuar në fund të takimit, aktivistët kërkojnë nga Presidenti i Republikës, Parlamenti, Kryeministri që të lejojnë shqiptarët të shprehen me referendum për marrëveshjen me Greqinë. Përfaqësuesit e shoqërisë civile argumentuan me teza shkencore dhe juridike se përse dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare mund të prodhojë efekte të dëmshme për interesat kombëtare të Shqipërisë. Profesori Sazan Guri deklaroi se klasa politike dhe qeveria kanë treguar këto vite se nuk kanë këllqe për të trajtuar me seriozitet dhe në mënyrë të ndershme çështjen e integritetit territorial të vendit. “Presidenti i Republikës, Kryeministri, Parlamentit Shqiptar dhe opozita duhet t’i japin mundësi popullit shqiptar për t’u shprehuri për këtë çështje me referendum specifik, vota e të cilit do të quhet VOTË SOVRANI, për aq kohë sa asnjë prej klasave politike nuk ka ‘këllqe’ ose janë shumë të vegjël për të mbajtur përgjegjësira kaq të mëdha”,- deklaroi Sazan Guri.
Nisma e shoqërisë civile vjen pak kohë pasi kryeministri Edi Rama bëri fakt të kryer dërgimin e çështjes së detit me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare. Vendimi i kryeministrit Edi Rama është marrë pa u konsultuar me asnjë institucion tjetër të vendit, përfshirë edhe vetë ministrat e tij. Opinioni publik në Shqipëri u njoh me aktin e fundit të kryeministrit vetëm gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias në Tiranë. Që pas vitit 2013 kur erdhi në pushtet, Edi Rama ka deklaruar se po bëheshin negociata me palën greke për marrëveshjen e ndarjes së detit. Ndërkohë dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare ngre jo pak pikëpyetje në lidhje me mbrojtjen e interesave të Shqipërisë. Kjo për faktin se para se çështja të shqyrtohet nga drejtësia ndërkombëtare, Shqipëria ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi marrëveshjen e parë në vitin 2009. Gjykata jonë Kushtetuese ka përcaktuar jo vetëm pavlefshmërinë e marrëveshjes së parë, por edhe mënyrën sesi duhet të kryhej marrëveshja e re. Dilema kryesore e ekspertëve vendas mbetet se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare mund të bjerë në kundërshtim me atë që ka vendosur Gjykata jonë Kushtetuese. Në këtë situatë, Shqipëria mund të ndodhet para situatës kur duhet të pranojë vendimin e drejtësisë ndërkombëtare edhe nëse ai bie hapur në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe me vendimet e drejtësisë tonë.
Nga ana tjetër, dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare ka dhe një rrezik që nuk duhet nënvleftësuar. Greqia është një shtet me shumë më tepër lobime të fuqishme ndërkombëtare sesa Shqipëria. Ka përvojë në përballjen me gjykatat ndërkombëtare dhe ndikim në gjithë çështjet që kanë të bëjnë me të drejtën e detit. Ndërsa Shqipëria në gjyqet ndërkombëtare ka humbur sistematikisht edhe çështje të thjeshta dhe jo më gjyqe që lidhen me territor kombëtar dhe pasuri miliarda dollarëshe në naftë dhe gaz.
Për këto arsye, nisma e një grupi intelektualësh në Tiranë, që për më tepër janë dhe ekspertë të së drejtës së detit, është një lëvizje që tregon se ku janë dobësitë e shtetit tonë përballë negociatave me Greqinë dhe si duhet reaguar. Referendumi kombëtar për këtë çështje është zgjidhja më e mirë dhe më e pranueshme. Edi Rama nuk kish besim të institucionet e shtetit që ka ndërtuar vet dhe e dërgoi çështjen në Hagë. Që të largoi dyshimet dhe akuzat e rënda për shitje, blerje dhe tradhti kombëtare, le të lërë shqiptarët të vendosin.
Mili Xhani