Reforma si fortunë!
Derisa nuk kishte folur Komisioni i Venecias për reformën në drejtësi gjithë debati ishte mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Me vendimin e Venecias që ktheu pas rreth 70 për qind të dokumentit, tashmë ka një produkt real mbi të cilin duhet të diskutohet pa ngarkesa politike. Kritikat tani nuk janë politike, por vijnë nga ekspertët dhe drejtuesit e institucioneve të drejtësisë. I pari drejtues institucioni kushtetues që ka shprehur rezervat në mënyrë direkte për draftin e reformës në drejtësi është Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Kreu i organit të akuzës tha se reforma në drejtësi është e domosdoshme, por jo në mënyrën sesi është prezantuar dokumenti mbi të cilin po diskutojnë palët.
Në takimin e zhvilluar dje me prokurorët e rretheve, Lalla ka shprehur qëndrimin si Kryeprokuror, por edhe si jurist profesionist mbi atë çka parashikon reforma. Dy janë kritikat që Llalla ka shprehur në mënyrë direkte dhe që sipas tij tregojnë se drafti ishte i nxituar.
E para, ka të bëjë më mospërfshirjen e gjithë faktorëve të drejtësisë në këtë dokument. Në mënyrë indirekte Kryeprokurori la të kuptohej se jo të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, duke përfshirë dhe Prokurorinë, u pyeten lidhur me reformën. “Tashmë të gjithë jeni në djeni, ju dhe të gjithë kolegët prokurorë lidhur me konkluzionet e Komisionit të Venecias për reformën në sistemin e drejtësisë. Ashtu siç është bindja e të gjithëve, sistemi i drejtësisë ka nevojë reformim. Por dalja në konkluzione kaq të shpejta, pa u diskutuar, me gjithë elementët, me gjithë faktorët që punojnë përditë në sistemin e drejtësisë, në bindjen tonë ka qenë një veprim i nxituar”,- tha dje Llalla. Për pasojë, për prokurorin e Përgjithshëm, reforma duhet, por dokumenti që u paraqit nuk ishte në cilësinë që pritej. “Në të njëjtin konkluzion arriti dhe Komisioni i Venecias, që reformimi i sistemit të drejtësisë është i nevojshëm, por drafti i përgatitur nuk ishte i mirë, pra jo në cilësinë e që pritej”,- tha Llalla.
Kritika e dytë e Prokurorit të Përgjithshëm lidhet me përgjithësimin e gjithë njerëzve që punojnë në sistemin e drejtësisë si të korruptuar. Sipas tij, perceptimet se të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët janë të korruptuar çojnë në përfundime të gabuara.
“Duke përfshirë të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët si elementët më problematikë dhe kur të gjithë kishin të njëjtin status, pra të korruptuarit. Të gjithë kemi bindjen e plotë se ky është një argumentim jo i drejtë, jo i bazuar në prova apo në ligj”,- tha Llalla. Për ta përforcuar këtë, Kryeprokurori solli shembullin e arrestimeve vetëm muajt e fundit nga Prokuroria, ku në pranga kanë rënë dy prokurorë për korrupsion. Në këtë pikë, Llalla kërkoi nga drejtuesit e prokurorive në rrethe që të tregojnë se organi i akuzës ka aftësinë të vetëpastrohet nga individët me probleme. “Ne kemi kapacitetet e duhura për t’u vetëpastruar nga këta lloj individësh dhe kërkoj nga ju që të përcillni përbrenda strukturave që drejtoni këtë mesazh që këta individë të cilët nuk përmbushin në mënyrë korrekte apo abuzojnë me detyrën apo nuk i zbatojnë në mënyrën e duhur Kodin e Etikës së prokurorit në mënyrë sa më të shpejtë do të largohen nga radhët tona. Por kam bindjen se institucioni i Prokurorisë dominohet nga prokurorë profesionistë, të aftë dhe me integritet të lartë moral dhe profesional”,- vijoi Llalla.
Ekspertët e mazhorancës mund të kenë dhjetëra arsye se përse paraqitën një dokument të tillë, por kur ky draft kundërshtohet në disa pika nga kreu i organit të akuzës dhe profesionistët, tregon se jo çdo gjë të lihet në vullnetin e partive politike.
Përveç rezervave të shprehura dje nga Kryeprokurori, një pjesë e dokumentit të mazhorancës ka marrë kritika serioze nga Komisioni i Venecias. Është pika që ka të bëjë më ndërprerjen e mandatit të kreut të akuzës. Thjeshtëzimi i reformave me ndërrim individësh, aq më tepër kur këta individë drejtojnë institucione kyçe, zbeh dhe gjithë qëllimin e nismave të mazhorancës. Madje vë në pikëpyetje qëndrimet e palëve politike për reformë të paanshme. Në këtë pikë reformat duken si lobime të një mazhorancë për të kapur institucionet, sesa qëllim për ndryshime pozitive. Sepse nuk është Prokuroria ajo që ka problemet kryesore në sistemin e sotëm të drejtësisë. Megjithë mëkatet që mund të ketë, sistemi i organit të akuzës, korrupsioni galopant, pazaret politike dhe vrasja e drejtësisë bëhet në gjykatat. Ta kthesh reformën në një proces që ndërron titullarët duke u bazuar tek shumicat në Kuvend nuk të jep asnjë garanci se drejtësia do të reformohet.
Sigurisht që reforma në drejtësi duhet, madje është e vonuar, por duhet një reformë për drejtësinë dhe jo për politikën. Rezerva ka shprehur edhe ministri i drejtësisë Ylli Manjani që është shprehur se nuk mund të ndërrojmë çatinë e drejtësisë pa ditur se ku pikon tamam çatia e ndaj duhen pyetur njërëzit që janën nën këtë çati, pra vetë njërëzit e drejtësisë.
Reforma e sistemit të drejtësisë nuk ndalohet më, edhe sikur të bëhet bashkë krejt politika kundër, sepse rri mbi krye Donald Lu. Por çështja nuk është se duhet bëhet si fortunë e më pas pendohemi. Fortuna shkatërron gjithçka , por ku të shikojmë se sa “ndertesa” drejtësie ka shkatërruar duhet shumë kohë për ti rindërtuar e kthyer në stabilitet atë që synojnë, natyrisht nisur nga një qëllim i mirë. Debati mes specialistëve të drejtësisë, politikës, shoqërisë civile, etj do ti sillte një pozitivitet reformës derisa produkti që do të dalë ti shërbejë Shqipërisë për të paktën 30 vjet apo me shumë.
Nuk kemi luksin të bëjme një reformë urgjente, të pa debatuar e konsultuar në të gjitha nivelet. Në fund do të jetë parlamenti që do të përfshihet në seanca pambarim debati, derisa palët të bien në konsensus siç bënë për ligjin për dekriminalizimin. Kështu reforma i reziston dekadave. Në të kundërt parti i opozitës sapo të fitojë zgjedhjet do të fillojë nga e para reformën e drejtësisë.
Më mirë zihemi e debatojmë sot se sa nxitojmë për të realizuar “planin socialist të kohës së Enver Hoxhës” brenda tre muajve të parë të vitit 2016 !