Reforma:40,100 apo mbi 320 milion euro ?

 

Reforma në drejtësi është cilësuar si një proces që do të sjellë efekte pozitive në ekonominë e vendit për shkak të shmangies së korrupsionit. Por vetë reforma ka kosto jo të vogla në vetë buxhetin e shtetit. Miratimi i paketës ligjore të reformës do të hap rrugën e ngritjes së strukturës së institucioneve të reja. Bëhet fjalë për institucione që do të ngrihen nga fillimi. Veç kësaj, pagat e punonjësve të sistemit të drejtësisë do të rriten ndjeshëm, krahasuar me ato aktualet. Në trajtimin që do të kenë punonjësit e drejtësisë, veç pagës janë përfshirë bonuse dhe shpërblime. Duke shtuar këtu dhe kostot që ka infrastruktura, rritja e sigurimit, rojet personale, makinat dhe gjithë shpenzimet e tjera, pra reforma në drejtësi do t’u kushtojë jo pak shqiptarëve.

Në një llogaritje të parë që bërë Ministria e Financave rezulton se vetëm vitin e parë janë rreth 40 milionë dollarë shpenzime që do të kërkohen për drejtësinë nga buxheti i shtetit, raportonte dje “Top Channel”. Kjo shifër paraprake llogarit vetëm institucionet e reja dhe rritjen e pagave. Paga mesatare e një gjyqtarit nga 130 mijë lekë që është aktualisht do të shkojë deri në 380 mijë lekë të reja. Megjithatë, 40 milionë dollarë është vetëm një pjesë e shpenzimeve. Veç pagave, për rreth 1 mijë gjyqtarë do të rritën kontributet e sigurimeve shtetërore dhe trajtimi i pensioneve speciale. Gjë që do të thotë se pensionet e ardhshme të njerëzve që do punojnë në sistemin e drejtësisë mund të arrijnë deri në 200 mijë lekë të reja.  “Vizion Plus” citon burime nga Ministria e Financave të cilat llogarisin se “vetëm deficiti që do të krijohet në skemën e re të pensioneve si rezultat reformës në drejtësi, do të krijojë një kosto prej 320 milionë dollarësh në vit”.  Një shifër jashtëzakonisht e madhe për buxhetin e shtetit. Gjithsesi kjo nuk është fatura përfundimtare ndaj Ministria e Financave ende nuk ka një shifër reale të kostos që do të ketë drejtësia. Ligji për statusin e juristëve të sistemit të ri nuk ka kaluar ende në Kuvend. Varianti i parë i tij propozonte që juristët e institucioneve të reja dhe gjykatave të kenë paga me standarde ndërkombëtare. Nga Ministria e Financave është kërkuar që shifrat të modifikohen dhe të përshtaten në realitetin shqiptar. Burime thonë se shifra në vitet e para të zbatimit të reformës mund të arrijë në rreth 100 milionë euro.

Përballë një drejtësie të korruptuar dhe një mungesë të vendimeve të drejta në gjykata, ky investim i buxhetit të shtetit nuk është asnjëherë i madh. Nëse kërkojmë nga gjyqtarët që të jenë të pakorruptuar, sigurisht që ata duhet të kenë rroga dhe trajtim shumë herë më të mirë sesa sot.

Disa qindra milionë që duhen për ngrehinën e re të sistemit të drejtësisë, nuk janë asgjë përballë miliardave që ka humbur ekonomia e vendit dhe qytetarët në këto vite nga drejtësia e korruptuar.

Shqetësuese është mënyra sesi Ministria e Financave mendon që të gjenden këto para. Një variant i diskutuar është ai që të rritet kostoja e proceseve gjyqësore. Gjë që do të thotë se fatura u shkon prapë qytetarëve, të cilët do të paguajnë më shumë për shërbimet që marrin nga drejtësia. Në vend të kësaj, mund të gjendet një tjetër mënyrë. Përderisa thuhet se një pjesë e gjyqtarëve kanë bërë miliarda lekë më vendime të korruptuar, rruga më pak e kushtueshme për të ngritur institucionet e reja është sekuestrimi i pasurive të korrupsionit. Qytetarët nuk kanë pse paguajnë gjithmonë. Një herë për korrupsionin në gjykata dhe një herë për të ngritur institucionet e reja që do të luftojnë korrupsionin.

Gjithsesi buxhetit të shtetit do ti ikin të paktën 100 milionë euro në vit nga Reforma.

SHKARKO APP