Reformë ose zgjedhje !
Nga Qamil Xhani/ Java që vjen do të jetë më vendimtarja në situatën politike. Partitë ndodhen para sfidës për të miratuar reformën në drejtësi ose atë që quhet si kryereforma e 25 vjetëve të fundit. Alternativat këtë javë janë vetëm dy. Ose PS-PD-LSI miratojnë draftin përfundimtar të reformës duke i hapur rrugën pastrimit të sistemit gjyqësor nga ndëshkimi i politikanëve që kanë abuzuar, ose vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Si rrallë herë ndërkombëtarët po ushtrojnë presion për votimin e dokumentit në Kuvend. Drafti është në diskutim në Komisionin e Posaçëm të Reformës, por opozita ka kërkuar më shumë kohë. Afati për kthimin e një përgjigjeje nga ana e Partisë Demokratike është lënë dita e hënë. Pas kësaj, pritet të vendoset se çfarë do të ndodhë me miratimin ose rrëzimin e draftit në seancën e së enjtes.
Lëvizjet e një javë të ethshme politike kanë nisur që dje. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi pasdite gjithë juristët e Partisë Demokratike për të diskutuar mbi dokumentin. Por edhe pas tre orësh mbledhje, nga selia blu nuk pati asnjë reagim se cili do të jetë fati i qëndrimit të Partisë Demokratike. Ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili është aktiv në çdo zhvillim publik, prej disa javësh ka preferuar të heshtë për dilemën që ka sot opozita: Do e votojë PD-ja apo jo reformën në drejtësi?
Deri dje, opozita është justifikuar me argumentin se jemi për reformë, por jo me draftin e ekspertëve të Komisionit të Posaçëm. Sipas PD-së, varianti i mëparshëm i reformës garantonte kontrollin e pushtetit gjyqësor nga qeverisja aktuale. Tashmë në tavolinë kanë një dokument të riformatuar, të hartuar nga ekspertë të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përpara se PD-ja të thotë jo për këtë dokument duhet të ketë jo pak argumente bindëse. Këtë herë nuk kanë përballë maxhorancë, por edhe ndërkombëtarët. Në mënyrë të qartë ambasadorët kanë lënë të kuptohet se nëse reforma nuk kalon, politikanët që e pengojnë do të ndëshkohen. Dhe ndëshkimi në media është folur se do të jetë ekzemplar, deri në shpalljen non grata të ndonjë politikani që do të dalë hapur kundër miratimit të reformës. Për këtë qëllim në fillim të javës ambasadorët e SHBA-ve, Donald Lu dhe ajo e BE-së, Romana Vllahutin do të zhvillojnë një tur takimesh me grupet parlamentare. Takime që janë të padëgjuara në skenën politike dhe që kanë sjellë jo pak reagime mbi faktin se deri ku i lejohet një ambasadori të huaj të ndikojë në punët e brendshme të vendit. Por a i lejohet vetëm një grupi politikanësh të mbajë peng interesat e vendit për të shpëtuar veten nga ndëshkimi? Dhe nëse ambasadorët detyrohen të bëjnë diçka të padëgjuar më parë duke marrë pjesë në mbledhje grupi, a nuk është faji i kësaj politike që deri më sot ka dështuar?
Por veç ultimatumit ndërkombëtar dështimi i miratimit të reformës ka kosto edhe më konkrete për klasën politike. Nëse të enjten, pas takimit me ndërkombëtarë dhe negociatave që mund të zhvillohen nuk ka vota konsensuale për kalimin e reformës atëherë maxhoranca ndodhet para një problemi jo të vogël. Detyra kryesore e kësaj legjislature ka qenë reforma në drejtësi. Nëse nuk kalon reforma, a ka më kuptim që Parlamenti të vazhdojë të merret me reformat e tjera. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zgjedhjet janë plani rezervë i maxhorancës. Këtë javë zgjedhjet janë më afër se kurrë.
Ka dhe një tjetër variant që po gatuhet brenda maxhorancës. Nëse PD-ja refuzon reformën, një pjesë e deputetëve të saj pritet të bashkojnë votat për kalimin e draftit. Një skenar edhe pse shpëton reformën, mund të sjellë një tjetër problem. A mund të quhet legjitime dhe të zbatohet një reformë e tillë pa opozitën zyrtare?!