Refugjatët çajnë mazhorancën e PS, ministri kundër Kryeministrit
Prej disa javësh mediat serioze në Gjermani, Austri dhe Francë shkruajnë se Shqipëria mund të jetë vendi ku do të grumbullohen rreth 600 mijë refugjatë që vijnë nga zonat e luftës në Siri dhe Irak. Ky projekt pritet të shqyrtohet edhe në mbledhjen radhës së krerëve të vendeve të BE të cilët do mblidhen në Bullgari me datë 28 qershor.
Në çdo raportim ndërkombëtar për problemin më serioz dhe problematik që ka sot Europa me emigrantët, Shqipëria përmendet si vendi i mundshëm për kampe masive refugjatësh. Me sa duket qeveria shqiptare duhet ta ketë pranuar këtë ofertë të Brukselit, i cili synon ti heq nga shtetet anëtare të BE krejt morinë e refugjatëve, aq më tepër që Hungaria e Italia po tregohen të ashpra ndaj tyre. Edhe në Gjermani ka plasur sherri mes kancelares dhe ministrit të brendshëm. Pra të gjithë në BE duan tia lenë në derë një shteti jo anëtarë i BE. Mundet që vetë qeveria shqiptare të jetë vetofruar për ti marrë në këmbim të dhënies së statusit në BE. Por tani që po zien kazani politik dhe shoqëror në Tiranë ndaj ardhjes së tyre, mund të shpërthejë protestat si në rastin e armëve kimike. Ndaj qeveria po jep në publik përceptimin sikur nuk di gjë. Qeveria “Rama” gjoja nuk merr seriozisht as zëvendësministrin e Brendshëm, Julian Hodaj, i cili të martën në media gjermane sqaroi se “Shqipëria mund të presë 600 mijë emigrantë”. Dje Ministria e Brendshme mohoi deklaratën e zyrtarit të saj, duke deklaruar se është nxjerrë nga konteksti dhe deklarata ishte thënë për një “situatë hipotetike”. Nisur nga këto qëndrime, dikush po mashtron opinionin. Ose mediat e vendeve të BE janë kthyer të gjitha në “kazan”, siç thotë kryeministri, ose në Tiranë shqiptarëve po u mbahet e fshehtë një negociatë me pasoja për të ardhmen e tyre. Diplomatë të rëndësishëm nuk e mohojnë që vizitat e shpeshta të muajve të fundit të zyrtarëve të qeverisë në Bruksel dhe në vendet e BE kanë pasur si temë diskutimeve dhe kampet e refugjatëve. Por deri më sot, Edi Rama nuk ka pranuar të komentojë se cili është qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj këtij projekti.
Një pjesë e mjegullnajës dhe debatit për refugjatët e ka zbardhur dje ish-kryeministri dhe ministri për Diasporën, Pandeli Majko. Në një reagim publik, Majko që në fillim del kundër idesë për pritjen e refugjatëve, duke shkaktuar dhe çarjen e parë të mazhorancës. Ish-kryeministri konfirmon se “ndonjë politikan i BE” i ka ofruar Shqipërisë çeljen e negociatave në këmbim të marrjes së refugjatëve që kërkojnë azil në vendet e BE. Majko është zyrtari i lartë, i pare, i qeverisë “Rama” që pranon se një skenar i tillë është hedhur në diskutim. Por gjithashtu është dhe ministri i parë i Ramës që del hapur dhe thotë se nëse ky është “pazari” për në BE, më mirë të mos i marrim fare negociatat.
“Grumbullimet e refugjatëve në sasi sfiduese për vendasit do të krijojë situatë shpërthyese për të cilën duhet të bëhen mirë llogaritë. Shqipëria ka gatishmëri për të huajt, por askush nuk mund të bëjë “humor” nisur nga nevojat e saj. Në se ka ndonjë politikan europian i cili diskuton “ftesën” për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo “ftesë” më mirë të mos vijë… Pasi ajo nuk do të ishte ftesë, e aq më pak ftesë europiane”,- shkruan ministri për Diasporën dhe ish-kryeministri Paneli Majko.
Në qeveri, duke kërkuar me çdo kusht hapjen e negociatave, janë gati të bëjnë çdo lëshim që u kërkohet nga disa vende të BE. Në presionin e dështimit të negociatave, që mund të sjellin më pas dhe zgjedhje të parakohshme, qeveria “Rama” duket se është gati për çdo skenar me ish-luftëtarë të ISIS, apo sirianë dhe refugjatë të Afrikës së Veriut. Në këtë klimë, duket se qeverisë “Rama” i janë ofruar ose është vetë ofruar për variante që sjellin probleme me terrorizimin dhe kaos social në vend. Heshtja e qeverisë shpjegon gjithë zhurmën që po bëhet në median ndërkombëtare. Ndërkohë që Ministria e Jashtme hesht, ministria e Brendshme një ditë pranon dhe ditën tjetër e përgënjeshtron pritjen e refugjatëve, dje u dha shenja se nëse Rama e ka vendosur zbatimin e një skenari të tillë, nuk do ta ketë të lehtë. Edhe brenda vetë qeverisë ka zëra të fortë që janë kundër “pazareve” të tilla. Ndërkohë që shumë deputetë të PS pritet të mos e mbështesin ngritjen e kampeve për refugjatët.
Nëse ndodh ky skenar i bie që ikin në një vit jashtë Shqipërisë 500 mijë shqiptarë dhe po na mbërrijnë 600 mijë sirianë e irakenë!
Q.Xhani