Rënia e LSI
Nga Frrok Çupi
Në momentin kur të gjithë po vështronin frikshëm ngjitjen e LSI, ajo ra. Frikshëm po e shikonte ngjitjen edhe vetë lideri i LSI.
Kjo është arsyeja që Ilir Meta, deputet në moshën 21 vjeç dhe kryeministër 25 vjeç, nisi të ngrejë zërin dhe të shfaqet kërcënues në mitingjet e partisë së tij. Veçanërisht në mitingun përmbyllës në Vorë, një ditë para heshtjes zgjedhore, ai u pa se kishte kapur orët e fundit.
LSI (Lëvizja Socialiste për Integrim) ra pikërisht në qytetin e vogël mes kryeqytetit dhe aeroportit, aty ku u mbajt fjalimi "Marshimi mbi Vorë".
… Vora i hyri në zemër vonë liderit të LSI, madje shumë vonë.
Meta nuk ishte ndaluar kurrë në Vorë gjatë periudhës kur aty kalonte një rrugë dredha- dredha e ku ndanin kryqëzimin të gjithë: Njerëzit, delet, makinat dhe karrocat. Socializmi i kishte lënë rrugët në gjendje të mjerë. Por kjo e kishte një të "mirë" për disa qyteza çiban si Vora. Në Vorë, p.sh., bëheshin byrekë shumë të shijshëm, dhe, të gjithë nëpunësit e ministrive kur merrnin rrugën jashtë Tiranës, gëzoheshin për byrekun në Vorë. Të paktën qyteza e kishte një famë… Por as këtë nuk e arriti djaloshi, lideri i LSI, Ilir Meta.
Çfarë tjetër, vallë do t'i shijonte Meta qytetit të Vorës?
– Vorën e dua ta fitoj për LSI-në- tha në ekran,- sepse aty kaloj për te vila në Gjirin e Lalzit!
Sigurisht, kjo thënie ishte një koperturë "borgjeze", e tepruar sigurisht; por e vërteta qëndron ndryshe. Lëvizja Socialiste për Integrim, sidomos lideri, e donte Vorën me çdo kusht, si një nyje kalimi për gjithçka. Në Vorën e byrekëve të socializmit, tani kalon gjithë lëvizja; madje jo vetëm inter-albania, por edhe lëvizja nga Perëndimi në Lindje e nga Jugu në Veri të rajonit. Porti i Durrësit shkarkohet këtu; aeroporti i Rinasit këtu; terminali i trenave që do të jetë shpejt këtu; qendra e doganave këtu; rrugët drejt Lezhës, Kukësit dhe Serbisë- po këtu.
LSI, e njohur si një parti që bazohet jo mbi idetë ose filozofinë, por mbi paratë dhe rekrutimin e njerëzve përmes materialit, e donte me patjetër Vorën. Me Vorën do të çimentonte pushtetin për shumë vjet dhe për një pushtet shumë të fryrë.
Para se të synonte Vorën, LSI kishte futur në dorë Lezhën. Tetë vjet Lezha ishte administruar nga kjo parti. Edhe deputetët më të shumtë i kishte nga Lezha. Edhe një deputet të blerë, LSI e bleu po në Lezhë…
Por edhe Kukësin e kishte shtënë në dorë prej katër vjetësh. Kukësi ka thuajse tërë sasinë e hekur-nikelit të vendit, rreth 45 milionë tonë rezerva. Përveç kësaj, edhe pozitën gjeografike, aeroportin dhe zonat doganore me Kosovë, Serbi, Bullgari, Rumani… deri në Drakula.
Kjo do të ishte forca e vërtetë e LSI.
… Por pikërisht këtu ra. Ra duke u ngjitur në majë. LSI humbi Vorën, Lezhën dhe Kukësin. Gjithçka ka fituar, 9 bashki të tjera, nuk i vlejnë as sa byrekët e Vorës.
LSI-në nuk po e mbante ena e vet, i duheshin shumë pasuri dhe territore. Pasuria për të blerë vota; dmth., për të mbajtur pushtet me çdo kusht; dhe territore për të ushqyer buxhetin dhe famën.
LSI, e lindur në Skrapar, e kulmuar me skraparllinj që nga kryetari te çdo funksionar i lartë, ishte quajtur në fillim "Lëvizja e Skraparllinjve të Inatosur"! Sepse nga një inat pushteti, u nda nga ama- Partia Socialiste…
Por a e mbante, vallë, Skrapari, një qytet i vogël në Juglindje dhe çerdhe rezidente e Enver Hoxhës gjatë Luftës së Dytë? Nuk mund të mbante qyteti aq i vogël sa mbulohet nga një rrap i vetëm, një parti me 23 deputetë, me nënkryetar shteti dhe me pesë ministra.
Atëherë lideri synoi Veriun me territore pa fund. Veriu e priti dhe iu fal me bujari. Por Ilir Meta, me të tijët, i bleu njerëzit, ua bleu votat me nga dy ose pesë mijë lekë secilit. Kjo ndodhi një herë, në vitin 2013.
Kësaj here, në zgjedhjet lokale 2015, iu shkuan përsëri me thasë lekësh derë më derë malësorëve. Ata u fyen, u fyen rëndë. … Këtu ra LSI
Pastaj rënia vazhdoi përmes kancelarive perëndimore. Perëndimi ka mësuar se, të paktën një parti e pasur blen votat në Shqipëri. Ky është një rrezik për njerëzimin.
Tregu më i madh do të ishte Vora dhe Lezha. Ambasadori i SHBA u vendos gjatë ditës së votimeve në Vorë. Edhe zëvendës- ambasadori në Lezhë- këmbë e dytë e trekëndëshit të LSI. Shqiptarët e varfër kanë pasur gjithnjë aleat të madh. Nuk mund tu blihej më vullneti, shpirti e vota.
… Këtu ra LSI.
Me këtë rënie ka rënë vetë koalicioni i Majtë, aq shumë i lavdëruar prej socialistit Rama dhe Lsi-stit Meta. Kur të vijë vera e vitit 2017, për zgjedhje parlamentare, nuk dihet nëse do të ketë mbetur gjë nga LSI, apo jo. Ose do të jetë strukur në PS, ose do të jetë kapur në ndonjë aferë tjetër. Pa territore dhe pa shumë para, nuk mund të ketë një parti pa ide dhe me emër kundravers, si Lëvizja Socialiste për Integrim.
Këtu ra LSI