Revista “Monitor” dhe realiteti i medias së shkruar

Mediat online dje i kishin kushtuar një rëndësi të madhe një shkrimi të revistës “Monitor” për gjendjen e shtypit të shkruar në Shqipëri. Duhet thënë që në fillim se “Monitor” është një revistë prestigjoze, e cila tashmë ka krijuar një besueshmeri në analizat që bën. Prestigjoze edhe për faktin që ka botuesin e saj njeri me kulturë dhe që ka mision thënien e së vertetës nga revista e tij. Por nuk do të thotë se edhe “prestigjozët” nuk bëjnë gabime, faktet nuk i servirin mirë, nuk hulumtojnë deri në fund për analizën apo nuk njohin mirë historinë e medias së shkruar në Shqipëri.

Media e shkruar është në gjendje të vështirë, edhe për arësyet që shkruante “Monitor”, edhe nga disa minianaliza të atyre që kishte intervistuar, të cilët në të vertetë nuk kanë bërë ndonjë gjë të madhe për median e këtyre 25 viteve, përjashtuar njerin prej tyre. Kur bën një analizë, aq me tepër për pushtetin e katërt, një reviste si “Monitor” do t’i duhen shumë fakte, analizë reale, historiku i medias së shkruar, prononcime të atyre që e njohin mirë median, ulje-ngritjet e gazetave ndër vite, arësyet pse ka ardhur kjo gjë ndër 25 vitet, etj.

 “Monitor” ka konstatuar disa probleme, sipas saj, për situatën e rëndë në shtypin e shkruar shqiptar. Ka radhitur një numër arësyesh pse gjendet në këtë situatë dhe deri diku edhe ka të drejtë, porse nuk ka thënë që një pjesë e pronarëve të medias se si kanë hyrë dhe pse janë në botën e medias, pra që bëjnë media për lexuesit apo për të mbrojtur interesat e tyre private, pse mbajnë tirazhe të larta , ndërkohë që nuk iu shitet, apo për të thënë në mëngjez tek ish-blloku se “unë e kam kaq e aq tirazhin”.Tregun e medias së shkruar, përveçse e spostoi media online, në Shqipëri e dërmuan botuesit të cilët janë edhe pronarë të firmave të ndërtimit, etj dhe që merrnin  apo edhe marrin miliona euro tenderime nga buxheti i shtetit dhe natyrisht kanë prishur konkurencën e lirë në median e shkruar. Pikërisht këta pronarë mediash e devijuan rolin e medias së shkruar duke e kthyer median në pazare në sherbim të qeverive të ndryshme dhe spostuan deri diku mediat tradicionale dhe serioze. E natyrisht në këtë varferi ekonomike nëse një pronar gazete, që ka vjedhur milionat e dollarëve nga buxheti i shtetit, e ul çmimin e shitjes se një gazete nga 40 lekë si çmim me kosto reale në 10 lekë, radha e lexuesve shkon tek 10 lekshi !

E padrejtë, por e vertetë  kjo që po themi. Për të bërë analizën e medias së shkruar janë një sërë treguesish, porse mbi të gjitha sa e besueshme është një gazetë, sa peripeci duelesh ka kaluar me pushtetet e këtyre 25 viteve, sa emra i ka dhënë medias dhe kulturës kombëtare, a ka qenë sherbëtore tenderimesh, lejesh ndërtimi apo privatizimesh, etj. Gjatë këtyre 25 viteve kanë dalë e ikur disa gazeta, për shumë arësye. Ka patur gazeta edhe që kishin tirazh falas, por që ikën nga tregu, ashtu sikurse ka media të krijuar nga qarqe financiare të dyshimta. Në fund çdo analizë e njeriu që njeh median shkruan se iks gazetë ka kaq vite në treg mes “dallgëve” dhe nuk mbytet, sepse ka mision të vertetën dhe kurajon e jo lejet e ndërtimit apo milionat e eurove nga qeveritë e rradhës në tenderime me fondet e buxhetit të shtetit.

Në Shqipëri ka gazeta e gazeta në treg, por ka media që kanë histori e cila është dhe historia reale e medias së shkruar në Shqipëri.

Por edhe revistat e njohura ndërkombëtare gabojnë në analiza. Ndaj “Monitor” nuk bën përjashtim!

Alban Prulli

SHKARKO APP