Revolucioni “i butë” i PD
Partia Demokratike ka ndryshuar dje skemën e saj për qëndrimin ndaj mazhorancës. Pas thirrjeve se “mazhoranca do të përballet me popullin”, apo “t’i hedhim qelbësirat”, Berisha ka prezantuar një skemë tjetër. “Dua t’u bëj edhe një herë apel qytetarëve shqiptarë, kurajës së tyre, përgjegjësisë së tyre, të vendosim për një revolucion paqësor, si rruga e vetme për të hapur horizontet e të ardhmes. Përveç një revolucioni demokratik paqësor, asgjë nuk do shkulë dot krimin që ka pushtuar Parlamentin, qeverinë dhe këtë administratë”, – tha dje ish-kryeministri. Duke krahasuar deklaratat e disa ditëve më parë, ky është një hap pozitiv në moderimin e toneve dhe thirrjeve për përdorjen e protestuesve për të bllokuar Parlamentin. Në këtë ndryshim gjuhe politike, duket se ka ndikuar takimi i zhvilluar dy ditë më parë me ambasadorin e SHBA-ve, Donald Lu.
Megjithatë, skenari i ri i propozuar dje nga ish-kryetari i PD-së është jo pak kontradiktor. Fjala ‘revolucion’ nënkupton rrëzimin e një sistemi apo një qeverie dhe zakonisht, këto ndryshime bëhen me dhunë. Sidomos në Shqipëri, revolucionet gjithmonë janë nënkuptuar me sulmet e armatosura. Revolucioni i Qershorit i vitit 1924, apo edhe siç i pëlqen ta quajë ndonjëherë e djathta, “Revolucioni i Komunistëve” i vitit 1997. Në këtë vend, revolucione “të buta” duket se nuk ka pasur ndonjëherë. Ndaj dhe thirrja e djeshme e Berishës ngre shumë pikëpyetje. Interesant është fakti se ndryshimi i kursit politik të PD-së nuk bëhet nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, por nga ish-kryetari i dorëhequr dhe që gjithmonë thotë se është një anëtar i thjeshtë i partisë. Protestat e përditshme të Partisë Demokratike u cilësuan si një dominim i linjës së ashpër të opozitës ndaj linjës më të moderuar të PD-së të drejtuar nga Basha. Pavarësisht kësaj, efekti i tyre në javën e parë nuk mund të thuhet se ishte ai që pritej. Pjesëmarrja dje ishte më e ulët se një javë më parë dhe ra në sy edhe mungesa e fjalimit të ish-kryeministrit Sali Berisha,i cili në vend të simpatizantëve, zgjodhi të flasë për revolucion paqësor.
Teksa sulmonte kreun e Kuvendit për çështjen “Doshi”, ish-kryeministri zgjeroi dhe rrethin e personave që sipas tij kanë lidhje me krimin në mazhorancën aktuale. Berisha foli për një ministër që ka rreth 200 telefonata me një emër që vjen nga bota e krimit. Zhvillimet e muajve të fundit kanë treguar se deklaratat e Berishës nuk kanë qenë gjithmonë diversione. Në jo pak raste, qëndrimet e tij, sigurisht të bëra sipas interesit politik, kanë rezultuar se kanë pasur diçka të vërtetë. Berisha tha se në kohën e duhur do të bëhet publik edhe emri i këtij ministri. Mesa duket, pas çështjes “Doshi” për të elektrizuar dhe më tepër situatën, mund të kemi dhe një histori të re të ndonjë ministri. Dhe një histori të tillë, Berisha dhe PD-ja duket se nuk do ta përdorin në mënyrë paqësore ndaj mazhorancës, siç pretendon se do të jetë revolucioni.
Një tjetër arsye që nuk përputhet me revolucionin e butë ka të bëjë pikërisht me skenarët e protestave. Dje demokratët kishin planifikuar bllokimin e hyrjes së Parlamentit me qëllim “izolimin” e deputetëve dhe të kreut të Kuvendit. Diçka e tillë ishte e panevojshme dje, pasi kreu i Kuvendi ndodhej për një vizitë zyrtare në Zvicër dhe protesta e demokratëve edhe pse e pakët në numër, e humbi qëllimin. Të enjten tjetër, e njëjta skemë pritet të organizohet sërish nga Partia Demokratike dhe e gjitha kjo, duket se vetëm me një revolucion paqësor nuk ka të bëjë.
Po presin të zenë Ilir Metën brenda në Parlament, kur të jetë duke e drejtuar seancën parlamnetare, ndaj duket si lojë e Berishës që të qetësojë mazhorancën dhe sidomos Policinë e Shtetit dhe në momentin e duhur të futen në parlament. Skemat e PD-së ndërrojnë në çdo moment ndaj ky “revolucioni i butë” mund të kthehet në çast në revolucion dhune.