Rikthehen fajdet, prokuroria fillon arrestimet!

(Ky editorial mund të shikohet si video ndaj kliko)

Rikthehet fajdet, prokuroria fillon arrestimet!

Fajdet ishin harruar që prej vitit 1997. Ato morën qindra milionë dollarë kursime në atë kohë nga qytetarët shqiptarë dhe shumëkush humbi shtëpinë, familjen, pasuritë, jetën dhe u rrënuan.

Ai fenomen si fajde është kthyer pas 25 vite e kusur në Shqipëri. Dhe këtë e ka lejuar Banka e Shqipërisë, e cila me licensat e saj dhe mos kontrollin e normave të interesit për kreditë e vogla ka kthyer në krizë sociale, ku shumë familje po humbin shtëpitë dhe pronat, kur kanë marrë fjala vjen për momentin 200 mijë lekë të vjetra dhe detyrohen të paguajnë 20 milionë apo të lenë shtëpitë nga përmbarimi gjyqësor sepse shoqëritë e mikrokredive iu marrin shpirtin.

E gjitha kjo se i ka lejuar Banka e Shqipërisë. Mësohet se edhe vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë po hetohet nga SPAK.

Ndërkohë, siç raporton edhe VOA, Prokuroria e Tiranës arrestoi sot nëntë persona të dyshuar për veprën penale “Skema mashtruese dhe piramidale” nga subjektet Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, administratorë dhe përmbarues të tyre.

Në dyshimin për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, gjykata vendosi arrest me burg për pesë prej tyre, Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Arben Meskuti, Alban Kote, si dhe arrest në shtëpi për katër të pandehurat Kejda Seferi, Elda Ibro, Jorsida Dervishi dhe Alketa Tanushi.

Prokuroria bëri të ditur se këto shoqëri morën nga Banka ProCredit 3 mijë e 999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe “përdorën një skemë shtrënguese të kredimarrjes, ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat”.

Subjekti MCA dyshohet se ka përdorur vjedhjen për likuidimin e këtyre kredive të blera, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e zotëronte po kjo agjenci.

Pas marrjes së një kredie të re pranë saj, zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë MCA u kërkonte atyre likuidimin e shumave të tjera.

Një numër kreditorësh janë viktima të kësaj skeme që vidhte pasuritë e tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Pjesë e skemës abuzuese këto institucione financiare kishin edhe kamatë vonesa nga 2% deri në 8% për çdo vit, veprim që thellonte ndjeshëm vjedhjen e shumave të konsiderueshme.

Prokuroria solli si një shembull të abuzimit të skajshëm rastin kur një shtetasi iu sekuestruan nga MCA 14 pasuri të paluajtshme për një detyrim të prapambetur afro 3 mijë e 500 dollarë.

Ky është një nga rastet e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme, që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Sipas prokurorisë, të dyshuar për vjedhje janë administratorja e MCA-së Elda Ibro dhe administratorët e shoqërisë përmbarimore Star-FS Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, ndërsa të dyshuar për shpërdorim detyre u arrestuan Arben Meskuti, Alban Kote, Alketa Tanushi.

Për këtë veprimtari kallzimin e kishte bërë ministria e Drejtësisë më shumë se katër vjet më parë.

Ndaj duhet hetuar se kush i lejoi dhe kush ka përfituar prej tyre, cili zyrtar i lartë ka marrë norma interesi apo para nën dorë nga kjo veprimtari.

Fajdet sollën një rrëmujë, dikur, në Shqipëri. Ndërsa këto vitet e fundit ky fenomen po bën kërdinë nëpër Shqipëri.

Nëse në vitet 1995-1997 fajdet i lejoi pushteti i kohës me urdhër politik, sot kush i lejoi? Pse Guvernatori i bankës së Shqipërisë nuk jep shpjegime publike për këtë gangrenë që po shkatërron mijëra familje shqiptare.

Është flagrant rasti që denoncoi emisioni Fiks Fare ku një qytetar mori 70 mijë lekë të vjetra kredi të shpejtë, por shoqëria që ia dha i mori 14 milionë lekë!

Kjo çmenduri kërkon jo vetëm pranga, por një analizë se si u krijua.

SHKARKO APP