Rilindja, banda që po mban peng vendin dhe kërcënon BE

Me urdhër të Edi Ramës, Komisoni i Ligjeve rrëzoi dje dekretin e Presidentit Ilir Meta për ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor duke i hapur rrugën votimit formal në Kuvend ditën e enjte. Vendimi u mor nga socialistët pa i lexuar fare 81 faqe me argumente ligjore të kreut të shtetit dhe pa marrë parasysh se për këtë çështje është dërguar një kërkesë zyrtare në Komisionin e Venecias. Deputetët rrëzuan dje edhe traditën 30 vjeçare të Parlamentit, ku si rregull kur një çështje është dërguar në Komisionin e Venecias procedurat parlamentare ndërpriten derisa kthehet përgjigja nga ekspertët ligjorë ndërkombëtarë. Në aktet e PS nuk ka logjikë, nuk ka normalitet politik dhe as bazë ligjore. Çdo veprim i ndërmarrë dje dhe i paralajmëruar për ditën e enjte, bazohet vetëm në urdhrat e Edi Ramës. Pas votimit të turpshëm, përpjekja e PS për të shpjeguar aktet antikushtetuese ishte fajësimi i presidentit. Kryeministri në fillim dhe më pas Ulsi Manja, Adnor Shameti dhe Taulant Balla thanë se dekreti i Presidentit është nxitur nga opozita dhe nuk duhet marrë parasysh. Aktet idiote në Kuvend mund t’i justifikojnë si të duan, por gënjeshtrat publike nuk mund të kalojnë si diçka normale. Dje socialistët nuk rrëzuan vetëm dekretin e Presidentit dhe as kërkesat e opozitës. Vendimi antiligjor shkon përtej qëndrimeve të Presidentit dhe të opozitës, pasi kërkesa për të pritur Komisionin e Venecias nuk është e Ilir Metës dhe as e Lulzim Bashës dhe partive të tjera. Kjo kërkesë, si rrallë herë ju bë Edi Ramës personalisht nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, Zv/Presidenti i PPE, Andrey Kovatchev, Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, David Lega, Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme në PE, Michael Gahler dhe deri te Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero. Qëndrimi i tyre ishte i qartë; Edi Rama duhet të presë Komisionin e Venecias për votimin e dekreteve dhe të mos marrë asnjë hap që prek standardet e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Si rrallë herë për një çështje politike në Shqipëri janë vënë në lëvizje autoritetet më të larta të Bashkimit Europian që mbulojnë çështjet e integrimit. Në mënyrë direkte ndërkombëtarët po thonë se aktet e njëanshme të qeverisë do të dëmtojnë hapjen e negociatave dhe standardet e zgjedhjeve. Ndërkohë përgjigja që kanë marrë nga Edi Rama zyrtarët e BE është e njëjta me sloganet e kohës së diktaturës që thoshte se të huajtë nuk duhet të merren me punët e brendshme të Shqipërisë.
Refuzimi me arrogancë që kryeministri po u bënë zyrtarëve të BE-së është një sjellje që nuk ka asnjë rast të ngjashëm në qeveritë e 30 viteve. Kryeministrat janë munduar ndonjëherë të mos zbatojnë rekomandimet e BE, por qëndrime të tilla refuzuese më kokëfortësi nuk ka mbajtur askush. Në mënyrë të ngjashme zyrtarët e BE sot vetëm dy politikanë i sulmojnë dhe i refuzojnë, Erdogan në Ankara dhe Rama në Tiranë. Stili i refuzimit të BE mund të bëj sens për Turqinë si superfuqi rajonale, por për Shqipërinë e shkatërruar nga çdo drejtim duket si një vetëvrasje. Kryeministri mbase ka vendosur të ndryshojë kurs dhe të heq dorë nga negociatat e integrimi në Bashkimin Europian, por shqiptarët jo. Kur Edi Rama u votua në 2013 ju besua dhe për të çuar para integrimin në BE, jo për ta kthyer Shqipërinë në një kurs politik që nuk ka lidhje me Brukselin dhe Europën. Sepse aktet e fundit të kryeministrit dhe qeverisë së tij vetëm më BE-në nuk kanë lidhje. Fakti që mazhoranca merr guximin dhe përplaset me institucionet kryesore të BE nuk duhet parë si vetëm si pjesë e luftës politike në Tiranë. Mesazhi që po u jepet partnerëve tanë strategjikë nga Rilindja është i rrezikshëm dhe me pasoja të rënda për vendin dhe qytetarët. Prej kohësh Rilindja ka kohë që sillet si bandë me vjedhjen e zgjedhjeve dhe korrupsionin. Me aktet e fundit, banda po kërcënon në mënyrë të rrezikshme jo vetëm zgjedhjet e radhës, por të ardhmen dhe drejtimin strategjik të vendit.
Vendimi për të kundërshtuar BE mbetet një veprim prej bande dhe opozita duhet ta trajtojë si një bandë që duhet rrëzuar me votë dhe me forcën e popullit.
Mili Xhani

SHKARKO APP