Rilindja dogji Shpëtim Idrizin

Përveç humbjes së thellë të Partisë Demokratike, zgjedhjet e 25 qershorit kanë prodhuar edhe disa rezultate të tjera që ngrenë shumë pikëpyetje. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU) u rendit e katërta në vota, pas PS, PD dhe LSI. Në gjithë vendin PDIU ka marrë rreth 75 mijë vota dhe ka arritur të nxjerrë vetëm 3 deputetë në siglën e saj, dy në Elbasan dhe një në Dibër. Ajo që bie në sy është fakti se në Tiranë, PDIU renditet po parti e katërt me 12 347 vota dhe nuk ka arritur të nxjerrë fitues kryetarin e saj, Shpëtim Idrizi. Për shkak të sistemit, PD dhe PS, kanë marrë mandate me nga 11 mijë vota, ndërsa PDIU edhe pse me më shumë vota nuk mori dot as mandatin e kryetarit. Por veç këtij problemi që ka sistemi proporcional rajonal që tregon një mungesë të thekuar përfaqësimi të votës, në rastin e Shpëtim Idrizit kemi të bëjmë dhe me një skemë manipulimi të votash nga Rilindja.

Deputetja aktuale e PDIU, Mesila Doda foli dy ditë më parë për manipulime. Ajo përmendi të paktën 40 vota që nuk janë përfshirë në rezultat. Ndërkohë që në total, sipas vëzhguesve të PDIU, janë rreth 20 raste ku votat e PDIU nuk janë numëruar, ose janë shpallur të pavlefshme. Numëruesit e PS-së dhe ekspertët e KQZ-së janë justifikuar se kemi të bëjmë me gabime në sistemin elektronik të hedhjes së të dhënave, që në fund nuk ndikojnë në rezultatin final.

Ajo që kuptohet nga këto manovra është se vetëm ndaj Shpëtim Idrizit ka pasur parregullsi në numërim. Dhe kjo ka ndodhur vetëm në Tiranë. Sepse në Dibër dhe në Elbasan ku kandidatët për deputetë  janë shpallur hapur që në fillim se do ishin me Edi Ramën dhe PS, numëruesit dhe komisionarët e Partisë Socialiste kanë qenë shumë të saktë numërimin e votave dhe nuk kanë bërë asnjë gabim. Po pse vetëm në Tiranë u bënë “gabime” ndaj PDIU? Apo nuk duhej në sallën e Kuvendit kreu i saj Shpëtim Idrizi dhe e orientuan numërimin në kahun e kundërt, njerëzit e Rilindjes. I prishën votat, ia zhgarravitën gjatë numërimit që të dilnin të pavlefshme,etj tregojnë burime pranë PDIU, por jo vetëm. Edhe nga shtabi I Rilindjes flasin për këto veprime. “ E kishim frikë se mos kalonte me LSI në koalicion dhe na digjte”, thonë burimet rilandase. Dhe e sakatuan në vota Shpëtim Idrizin.

Nëse ndiqet gjithë procesi i numërimit të votave në Tiranë shihet se ka pasur projekt për të nxjerrë nga Parlamenti kryetarin e PDIU. Me “parregullsitë” në numërim dhe qëndrimin e PS-së ndaj këtij manipulimi kuptohet se Rilindja dhe Edi Rama e kanë pasur strategji eliminimin politik të Shpëtim Idrizit. Dhe mund të thuhet se ja arritën, pasi edhe pse mori vota u gjet mekanizimi për ta lënë jashtë Kuvendit.

Por përse Rilindja e donte Shpëtim Idrizin jashtë Kuvendi? Shpëtim Idrizi është përfaqësuesi i vetëm një partie politike që në programin e saj ka çështjen kombëtare dhe konkretisht çështjen çame si pikë kryesore. Si drejtues i kësaj partie, Idrizi është i vetmi që e vendosi problemin çam në axhendën e politikës së Tiranës. Interesi i PDIU dhe i Shpëtim Idrizit, që është dhe interes kombëtar dhe detyrim kushtetues i Shqipërisë, ishte kthyer në një problem për Rilindjen dhe Kryeministrin Edi Rama. Kryeministri nuk e do çështjen çame në rendin e ditës të politikës së tij me Greqinë. Mjafton të kujtojmë se edhe në postet që i dha kësaj partie, asnjë nuk kishte lidhje me diplomacinë apo përfaqësimin e kësaj çështje në institucionet ndërkombëtare. Edi Rama këto vite ka pasur marrëdhënie të tensionuar me Athinën. Kjo ka ndodhur, kryesisht për shkak të ndryshimeve politike në skenën greke, ku PASOK-u dhe ish-miqtë socialistë të PS në Greqi nuk janë më në pushtet. Retorika për minoritetin grek dhe daljen e Vangjel Dules nga koalicioni me PS e thelloi dhe më tej problemin e Edi Ramës me Athinën. Në Greqi politikanët nacionalistë shpesh herë kanë akuzuar Edi Ramën se me futjen e PDIU (çamëve) në qeveri ka dëmtuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Në këto zgjedhje Edi Rama vendosi tu bindet këshillave të partive nacionaliste greke. Në rastin më të parë “dogji” Shpëtim Idrizin duke e nxjerrë nga Kuvendi. Parregullsitë në numërimin e votave në Tiranë tregojnë se nuk ishte rastësi. Politika e jashtme e Ramës do orientohet me shumë pas këtyre zgjedhjeve drejt Greqisë për të krijuar një trekendësh Beograd-Tiranë-Athinë. Natyrisht për interesa rajonale, por kryesisht për interesa pragmatiste personale pasi e dijnë shumë se BE kërkon stabilitet rajonal, paçka se shkelet demokracia në vendet përkatëse. Në këtë Europë të rrëmujshme duan qetësi në Ballkan.

Ndaj pasi rregulloi marrëdhëniet me Serbinë, sidomos në planin personal me Aleksandër Vuçiç, Edi Rama ka marrë përsipër që në mandatin e dytë të jetë një Lider Rajonal dhe me Greqinë. Kryeministri që bëri fushatë me flamurin kuqezi,  ka tradhtuar të parën çështjen çame për të rregulluar marrëdhëniet personale me kryeministrin grek, Aleksis Cipras. Kreu i PDIU ishte autoriteti politik që ja bënte të pamundur vizitën e tij në Athinë, sepse do t’i duhej të fliste për çështjen çame. Me “djegien” e Idirizit nga Kuvendi, mbetën vetëm “çamët” e rinj Dibrës që duhet të shqetësohen për çështjen çame.

Natyrisht që është dhe një deputet që punon për çështjen çame në Elbasan, Aqif Rakipi, por ai ndjehet vetëm pa Shpëtim Idrizin në sallën e Kuvendit. PS-ja nuk kishte ç’ti bënte zotit Aqif Rakipi pasi ka forcë dhe autoritet në zonën e tij, por kreun e çamëve e palosi duke e lenë jashtë sallës ku bëhet politika.

Qamil Xhani

SHKARKO APP