Rilindja ra në Kukës
Nga Frrok Çupi/
Askush nuk mund të predikonte se ditën që do të binte Rilindja, kjo do të ndodhte në Kukës. Por ja që ndodhi pardje. Rilindja (një emërtim propagande i koalicionit të majtë qeverisës, huazuar nga shekulli i 15), ra në qytetin e vogël verior. Qeveria e konsideruar "e Rilindjes" nuk i kontrolloi më nervat e veta dhe nxori armën kundër popullit protestues.
Një malësor kuksian, (e mbani mend?) u dëgjua që tha: "Kuksiani nuk nxjerr armë kundër kuksianit! Këta nga na kanë ardhur?". Domethënë qeveria Rilindja është tjetër gjë, larg prej popullit të Kukësit- tha filozofia e malësorit.
Kaq ishte. Rilindasit ranë.
Këta vijnë drejtpërdrejt prej të majtës ekstreme që e sundoi Shqipërinë me dorë të hekurt afër gjysmë shekulli. Të paktën ministrat vijnë drejtpërdrejt si bij të njerëzve më të zellshëm të nomenklaturës; dhe e veshën komunizmin e vjetër me emrin e Rilindjes së vjetër. Vetë diktatori Hoxha, një agjitator dhe demagog klasi, nuk kishte guxuar ta përdorte armën në mes të ditës kundër njerëzve në sheshe. Kundërshtarët i vrau, por natën. I vinte në një makinë të zezë teksa të gjithë flinin, dhe i tretëte diku rrëzë Dajtit. Kukësi ishte shumë larg për shpejtësinë komuniste, se ndryshe në Kukës do t'i kishte hupë armiqtë. Kur Enver Hoxhën e vizitoi Nikita Hrushovi, udhëheqës i Bashkimit Sovjetik, (1959) gjatë rrugës sovjetiku pa shqiptarë të armatosur. Ky iu drejtua Hoxhës me sarkazëm: "Eeej mik- i tha- ç'janë këta njerëz me armë në dorë?! A nuk keni frikë se një ditë do tua kthejnë ju?…". Hoxha demagog i pandreqshëm, i tha mysafirit të lartë, të cilin pas pak e shpalli armik: "Bash për këtë arsye ua kemi dhënë armën, që po ta meritojmë të na e kthejnë ne!".
Rilindasit e qeverisë post- hoxhiste nuk guxuan të bëjnë ironi deri në këtë pikë. Menjëherë pas frikës që ngjalli Kukësi ku nxorën armën, dje në varrezat e dëshmorëve kontrolluan çantat e grave dhe tufat e luleve se mos kishin fshehur armë. Rilindja ra nga frika e popullit të vet. As sa diktatori Hoxha nuk mundi të bëjë. Të paktën të mos nxirrte armën, të paktën të lejonte protestën, të paktën të fliste si diktatori se "armët për popullin janë". As diktatura nuk i kontrolloi kurrë lulet e varrezave.
Rilindja, alias, ra që në çastin kur nuk pranoi popullin e Kukësit që të protestonte kundër qeverisë në emër të varfërisë së tyre. Është një zonë me male, me liqenin më të madh artificial në rajon, me hidrocentralet e vetme që ka Shqipëria, me kontakte të drejtpërdrejtë më tregun e Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë. Duhej të ishte zona më e pasur e vendit, por në fakt nuk po mban njerëzit me bukën e gojës. Qeveria kërkon t'u marrë shtëpitë dhe nuk i lejon të protestojnë. Policia mblidhet nga anë e anës dhe armatoset mes protestuesve paqësor.
A mund të ketë më Rilindje?
Kështu kanë rënë regjimet e ngarkuara me barrën e fajit. Është dukur sikur "Kukësi na e kishte fajin", por në fakt vetë regjimet e këqija bien aty ku nuk ta pret mendja. Kukësi, ç'ne?! Qeveria post- hoxhiste as e ka përfillur ndonjë herë në hartë. Kryeministri, teksa ishte rrugës për në fronin e lartë, vizitoi Kukësin dhe tha se "kur vij këtu më neveritet atdheu".
Vetë regjimi komunist, i hekurt e i bunkertë, ra më 20 shkurt 1991 kur forcat e armatosura përdorën armë kundër popullit në sheshin e Tiranës teksa zvarritej monumenti i diktatorit. Me parë, vetë Partia Komuniste (e Punës) kishte rënë në vitin 1967 kur përdori dhunën kundër kishave e xhamive, kundër besimit dhe kultit të familjes. Atë ditë diktatorit iu desh të zëvendësonte Zotin. Domethënë kishte rënë. Periudha e keqe e skemave piramidale ra në Vlorë në çastin kur u hap lajmi se një avion ushtarak po fluturonte andej.
Ka rënë Sparta, e famshme dhe e fuqishme, në çastin kur Likurgu, ligjvënësi i fortë, vendosi të mos lejojë që të shiheshin gruaja me të shoqin; burrë e grua duhej të lindnin fëmijë por pa parë njëri tjetrin. Sa mburravece dhe të ngrefosura kanë qenë qeveritë, regjimet dhe diktatorët që kanë rënë "në Kukës". Domethënë aty ku nuk ta pret mendja. Të ngrefosur si këta të Rilindjes, që fjala "shëndet" iu duket "plaç".
Në fakt, pozicioni i Kukësit është i tillë sa duket sikur është ndërtuar posaçërisht si plastdarm ku pritej të binte Rilindja. Por askush nuk e priste kaq shpejt…. Si plastdarm për rënie… shikoni Kukësin. Një qytet mes dy lumenjve; mes Drinit të Zi dhe Drinit të Bardhë. Si një kompas lumenjsh që kanë matur përjetësisht gjatësinë e ngritjeve dhe të rënieve. Kur këta i vunë emrin demagogjik "Rilindja", kishin huazuar pikërisht këtë pamje vizuale: Mes dy krahësh; ose mes dy lumenjsh, ose mes një kompasi…
Njësoj siç ishte vizualitei i Rilindjes Europiane të shekullit 15, mes rënies së dy perandorive: Romës dhe Bizantit.
Këta "baballarët" e Rilindjes së ngrefosur pas pesë shekujsh, a e kishin menduar vallë se rënia e parë e Mesjetës krijoi këtë sajesë që tashmë është propagandë. Rënie ishte që prej fillimit
Kjo e Kukësit është e fundit