Rrëzimi i Marrëveshjes për Reformën Zgjedhore një akt anti-BE dhe anti-SHBA
Më 5 qershor opozita reale e vendit dhe Partia Socialiste firmosën në Ambasadën e SHBA në Tiranë paktin për reformën zgjedhore. Të dyja palët e dinë se nuk ishte marrëveshja më e mirë, por e vetmja që mund të realizohej në kushtet ekstreme të degradimit të pushtetit dhe të uzurpimit të institucioneve kushtetuese prej Rilindjes. Opozita u detyrua të bëjë lëshime thuajse 90 % të kushteve të saj nga marrëveshja që kërkonte e ku kishte një vit në protestë kundër kryeministrit Rama. Qeveria nuk kishte dëshirë për asnjë marrëveshje, por iu bë presion i hapur nga ndërkombëtarët për të bërë një gjest normaliteti, pas zgjedhjeve moniste që kreu dhe pas kapjes së gjithë pushteteve. Pavarësisht llogarive që bëri secila palë, efekti i parë i marrëveshjes është hapja e rrugës së integrimit të vendit. Pakti plotëson 1 nga 15 kushtet e BE-së dhe rikthimi i normalitetit politik u mbështet, si asnjëherë më parë nga figurat kryesore të politikës dhe diplomacisë në Uashinton dhe në Bruksel.
Pasi Damian Gjiknuri firmosi marrëveshjen në zyrën e Ambasadës së SHBA, Edi Rama ka bërë llogaritë dhe ka kuptuar se zhvillimi normal i ngjarjeve nuk është në favor të qeverisjes së tij. Në çfarëdo date të zhvillohen zgjedhjet, bashkimi i votave PD-LSI dhe aleatëve të tjerë të opozitës sjellë automatikisht humbjen. Edhe sikur bandat e rilindjes të përgatiten për masakrën e radhës elektorale, rilindja përballë opozitës së bashkuar e ka të pamundur të fitojë. Edi Rama nuk fitonte dot vetëm më 2013, pa LSI, kur nuk ishte provuar në qeverisje dhe jo më pas 8 vitesh keqqeverisje dhe shkatërrim të ekonomisë dhe institucioneve. Ndaj llogaritë me apo pa vjedhje votash e nxjerrin në opozitë qeverisjen e sotme, kurdo që të jenë zgjedhjet. Në këtë mënyrë, shpëtimi i vetëm i Edi Ramës është bllokimi i marrëveshjes dhe vazhdimi i lojës së kaosit politik dhe qeverisjes korruptive me opozitën gjasme parlamentare. Ideja e ndalimit të koalicioneve me ndryshime në Kushtetutë nuk është propozim i një grup deputetësh të opozitës parlamentare, por realisht është i PS. Një pjesë serioze e deputetëve që kanë kuptuar se po përdoren nga rilindja me këtë projekt janë distancuar dhe kanë hequr dorë nga mbështetja e ndryshimeve kushtetuese. Duke parë ikjen e një pjesë të deputetëve nga marrëzia që kanë dorëzuar në Kuvend, Edi Rama ka urdhëruar deputetët e PS për ta mbështetur këtë projekt në publik. Adnor Shameti ishte i pari në listë dhe sot mund të dalin të tjerë socialistë që bëjnë sikur nuk pyesin Ramën dhe deklarohen kundër koalicioneve. Në këtë mënyrë, nga një karagjozllëk politik po zyrtarizohet si qëndrim politik i vet Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Të gjithë e dinë se është lojë e Edi Ramës që po vihet në skenë me anë të ferrave dhe shkurreve që ka mbledhur në Parlament dhe i quan “opozitë”. Problemi me këtë nismë është se duan ta sheshin si kërkesë të qytetarëve dhe ndërkombëtarëve. Që të dyja këto justifikime janë mashtrime. Qytetarët mund të jenë pro dhe kundër listave të hapura, madje mund të duan dhe ndryshim sistemi dhe është diçka normale, por nuk ka asnjë rast në botë kur qytetarët kundërshtojnë koalicionet politike. Nuk ka logjikë që në një sistem demokratik të bësh zgjedhje dhe tu ndalosh partive të bashkojnë votat për të realizuar programet.
Ndërsa mashtrimi që po bëhet më ndërkombëtarët është dhe me flagrant dhe më i rrezikshëm për vendin. SHBA foli me anë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, “zbatoni marrëveshjen që u nënshkruat”. BE po ashtu ka reaguar në thuajse gjithë instancat e saj për votimin e marrëveshjes në Kuvend. Nuk ka ndonjë ndërkombëtar ambasador apo dhe zyrtar tjetër që të deklarojë nëse duhet ndryshuar sistemin apo duhen ndaluar koalicionet. Ndërkombëtarë që punuan për marrëveshjen detyruan palët ta firmosin dhe tani duan zbatimin e saj. Lojërat që po bëhen këto ditë në Tiranë nuk kanë lidhje me asnjë ambasadë, por vetëm me qëllimet e Edi Ramës.
Ndryshimi i tekstit të marrëveshjes nuk është kërkesë e partnerëve, por një akt që duhet parë si qëndrim kundër Bashkimit Europian dhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sepse rrëzimi i paktit politik në Kuvend, për të miratuar variantin që do Edi Rama do të sjellë pasoja direkte te zgjedhjet, të acarimi i situatës, kaosi politik dhe deri në djegie të shanseve për integrimin. Nuk ka asnjë ndërkombëtar dhe as qytetarë shqiptarë që mbështet pazaret e disa deputetëve të shitur dhe që i shërbejnë qeverisë.