Rruga e Kombit apo supervjedhja e Kombit

 

Ka gjashtë vite që është prerë shiriti i inaugurimit të rrugës “Durrës-Kukës”, por ende kjo autostradë do të vazhdojë të marrë makina me para nga buxheti i shtetit. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj në prezantimin e buxhetit gjatë ditës së djeshme tha se duhen edhe të paktën 160 milionë euro të tjera për ta kthyer në standardet e kërkuara këtë rrugë. Ndërsa deri më sot, ky projekt u ka kushtuar xhepave të qytetarëve shqiptarë 1.4 miliardë euro. “Ka një tender në proces, i cili parashikon investime modeste për mirëmbajtje intensive. Nuk e dimë sesi do të dalë, por po ju them se edhe sikur tenderi të mbyllet me sukses, përsëri ajo rrugë është e papërfunduar dhe e theksoj, kërkon edhe 160 milionë euro të tjera së paku, të cilat nuk i kemi”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Rruga Durrës-Kukës është një ndër veprat më të rëndësishme në infrastrukturë të realizuar në vend. Ishte një investim i domosdoshëm që duhet të ishte kryer më parë, pasi lidh Shqipërinë me Kosovën dhe zhvillon tregjet ekonomike jo vetëm mes dy vendeve, por dhe me rajonin. Është një rrugë më interes ekonomik, por edhe kombëtar. Por pikërisht, pse ka një simbolikë të tillë, duhet të ishte edhe modeli i një investimi serioz të shtetit shqiptar. Deri më sot rezulton se nuk është i tillë. Pasi projekti dhe realizimi i kësaj rezulton më shumë si vjedhje e kombit.

Së pari, sepse është një fiasko dhe gropë e hapur ku janë zhdukur shumica e fondeve të financave të vendit. Në 170 kilometra rrugë janë hedhur deri më sot 1.4 miliardë dollarë, si në asnjë rrugë tjetër. Kostoja për kilometër është më e shtrenjta se në çdo vend tjetër në botë. Të gjitha këto kosto të ndërtimit të këtij projekti paguhen nga xhepat e qytetarëve shqiptarë. Në vitin 2008 kur nisi projekti, qeveria “Berisha” përballoi gjysmën e punimeve me kredi të kripura për buxhetin e shtetit. Më pas, ndërtimi i saj u përballua nga fondet shtetërore, që në fakt janë taksat e qytetarëve. Për investimin e kësaj rruge ka edhe një akuzë publike ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili gjatë kohës që ishte ministër i Transporteve e shtoi koston e kësaj rruge edhe me 220 milionë euro të tjera, veç parashikimit. Edhe këto para nga xhepat e qytetarëve u morën.

Por  hedhja e makinave me euro nuk mbaron me kaq. Nëse i kthehemi pak historisë, në vitin 1998, ish-kryeministri Pandeli Majko vendosi një taksë për të gjithë ata që kishin automjete. U cilësua si taksë patriotike që do të përdorej për ndërtimin e rrugës e cila do të lidhte Shqipërinë dhe Kosovën. Për disa vite qytetarë paguan, por edhe sot nuk dihet se ku i çoi qeveria “Majko” lekët e Rrugës së Kombit, sepse ndërtimi i saj nisi nga Berisha 10 vjet më pas. Pas “vjedhjes” se Majkos dhe të Bashës, qytetarëve iu kujtua dje nga ministri i Ekonomisë se ende nuk kanë mbaruar punë me këtë rrugë. Në kohën që ky projekt duhet të ishte në funksion të plotë qeveria aktuale deklaron se duhen dhe 160 milionë euro të tjera. Me kaq para do të ndërtoheshin shumë rrugë e shkolla nëpër Shqipëri. Në të gjitha rastet, lekët do merren nga xhepat e shqiptarëve. Sigurisht, qeveria “Rama” nuk ka gisht në investimin e bërë nga Berisha, por gropat që ka lënë hapur ish-kryeministri në buxhet me paratë tona do t’i mbushë.

Arsyeja e dytë pse ky projekt tregon mungesën e seriozitetit dhe vjedhjen e qeverive shqiptare ka të bëjë me standardet e saj. Veç Shqipërisë, edhe Kosova ka kohë që ka nisur projektin për bashkimin e rrugës në Morinë. Në ndryshim nga rruga Durrës-Kukës, rruga Morinë-Prishtinë është në nivele shumë herë më cilësore sesa projekti në zonën shqiptare. Diferenca dhe cilësia e rrugës vihet re nga udhëtarët, pa u hyrë detajeve teknike që kanë të bëjnë me gjerësinë, cilësinë e asfaltit dhe veprat që janë realizuar përgjatë saj. Shqipëria me 1.4 miliardë euro ka bërë një rrugë pa standarde. Ndërsa në Kosovë me shumë herë më pak euro sesa ne kanë bërë një autostradë që nuk ndryshon nga ato të vendeve të BE-së. Dhe si për çudi, realizimi i projektit u bë nga e njëjta firmë. Këtej nga ne është bërë një punë sa për të prerë shiritin për fushën elektorale të Berishës, kurse në Kosovë rruga është me standarte europiane. Mund të ketë dhjetëra arsye teknike se përse cilësia nuk është e njëjtë, por sidoqoftë, dyshimet e vjedhjes nuk hiqen kollaj.

Por nuk mjaftojnë vetëm këto renditje abuzimesh dhe mungesë serioziteti. Vjedhja, në mënyrë më të zbutur do të vazhdojë ende për shqiptarët. Veç 160 milionë eurove që duhen sërish, një tjetër projekt i qeverisë, i cili është lënë pezull për momentin, synon që rruga të bëhet me pagesë. Çdo qytetar që do kalojë do paguajë një shumë të caktuar për firmën private që do të mirëmbajë rrugën. A nuk mjaftojnë taksat kombëtare që paguajnë personat të cilët kanë një makinë për rrugët, por duhet një tjetër taksë specifike? Një herë qytetarët u vodhën nga “Majko” për rrugën që nuk u bë, një herë nga Berisha për ndërtimin shkel e shko, një herë nga Basha me rritjen e çmimit, tani do vidhen nga qeveria e re dhe më pas do vidhen sërish nga privati? Sa herë duhet të paguajnë për një rrugë që nuk ka përfunduar ende?

 Me të drejtë ka filluar të quhet si “Rruga e Kombit” apo “Vjedhja e kombit”?

Qamil Xhani

SHKARKO APP