Nga Lu-Vlahutin:”Rrup –Sup”!
Pas më shumë se dy vite debatesh, partitë kryesore politike ranë dakord që të miratojnë një draft final të reformës në drejtësi. Dokumenti i miratuar dje në mënyrë unanime mund të pësojë ndryshime gjatë miratimit nen për nen. Por faza e parë serioze e procesit, dje u kalua me një votë “pro” nga të gjitha kampet politike.
Si rrallë herë në një proces politik u angazhuan të gjithë juristët e partive, ku dukej se gjërat që i ndanin ishin më shumë sesa ato që i bashkonin. Gjithë debati publik këto vite u përqendrua te reforma, edhe pse realisht qytetarët u pyetën vetëm me sondazhe pa ditur thelbin e saj. Beteja ishte dhe është politike. Deri në votimin e djeshëm reforma prodhoi debate, sulme, bojkote, sharje, grushte dhe kërcënime. Të gjitha palët ishin për ndryshime në sistemin e drejtësisë, por një reformë që duhet bërë sipas variantit të tyre. PS propozoi draftin e ekspertëve të saj. PD-ja, gjithashtu, hartoi draft të posaçëm me variantin që kundërshtonte PS-në. Në Komisionin e Venecias u dërguan dhe propozime të LSI-së. Të gjitha palët dyshonin te njëri-tjetri. U gjetën justifikime nga më të çuditshmet për mosvotimin e saj. Që nga përbërja e ekspertëve të pavarur, qëllimi real i reformës dhe deri tek emrat e juristëve që janë projektuar për të drejtuar institucionet e reja. Parimisht palët nuk kanë qenë dhe nuk janë kundër reformës, por frika se drejtësia do të përdoret nga pala tjetër për të futur në burg kundërshtarët ka bërë që procesi deri dje të ishte i bllokuar. Dyshimet nuk janë larguar as tani që drafti kaloi parimisht. Të dyja palët rrinë me frikë se “mos ia fut tjetri’!
Por çfarë ndodhi që palët dje çuditërisht u dorëzuan dhe gjetën konsensus? Ajo që i bashkoi partitë në një mendje është vetëm presioni i shtuar i ndërkombëtarëve për të mos dështuar me reformën. Nëse nuk do të ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin, ka shumë mundësi që palët të ishin ende duke bërë vajte-ardhje në Komisionin e Venecias. Pa këmbënguljen e diplomatëve, as PS-ja nuk do të kishte hequr dorë nga varianti i parë, madje, do kishte blerë dhe ndonjë votë nga PD-ja për ta kaluar draftin dhe as vetë opozita nuk do hiqte dorë nga kërkesat e saj.
U kritikua dhe nisma e ambasadorëve për të marrë pjesë në mbledhjet e grupeve parlamentare si një kalim i “vijës së kuqe”. E drejtë apo e gabuar, kjo nismë ekstreme i shkon për shtat një politike ekstreme si kjo jona, me politikanë që tjetër gjë thonë në takime private dhe tjetër gjë deklarojnë publikisht. Në fund të fundit kemi një klasë politike të pabesueshme, ndaj duhej presioni ndërkombëtar. Miratimi i djeshëm i draftit është dëshmi se pa ambasadorët në këtë vend nuk miratohet asnjë reformë me konsensus. Nëse ambasadorët nuk ngrenë pak zërin, politika jonë e shkel çdo ditë “vijën e kuqe” në dëm të interesit kombëtar.
Në tavolinë tashmë janë miratimet konkrete të ligjeve, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe çështje shumë e debatueshme e shumicës, e cila duhet për drejtuesit e këtyre institucioneve. Pra me 2/3 apo 3/5 – ky do jetë sherri i radhës. Sherrnaja nuk do të mungojë. PD-ja ka listuar një sërë kërkesash që nuk do ta bëjnë të lehtë gjetjen e konsensusit deri në fund. Nga ana tjetër, mazhoranca pasi ka bërë disa lëshime mund të mos tregohet më aq zemërgjerë me opozitën. Telashet për Lu dhe Vllahutin do të vazhdojnë në vitet në vijim. Por tashmë u kuptua edhe një herë sesi funksionon skema. Nëse ndërkombëtarët nuk ua bëjnë “rrup-sup”, siç ndodhi këto ditë, partitë do të vazhdojnë të japin spektakël me justifikime dhe bllokime.
Nëse situata lihet në dorë të PS-së dhe PD-së reforma mund të zgjasë edhe 4 vite të tjera. PD bëri gati që dje kushtet e reja për votimin e ligjeve të reformës. Ekspertët e partive janë në gjendje të gjejnë kleçka juridike që ta bllokojnë reformën në Kuvend, siç edhe bënë këto tre vite.
Në fund duhet “dajaku” i ndërkombëtarëve për t’i bërë që të votojnë. Do dalë prapë Donald Lu dhe do të tundë ndonjë dosje politikani apo do arrestojnë një tjetër dhe të gjithë me vrap në radhë për të votuar. Ky është vend qesharak prej politikës e jo prej njerëzve, të cilët e duan njëmijë herë më shumë vendin e tyre dhe Europën se sa këta që udhëheqin politikën.
Qamil Xhani