Edi Rama dhe Rusia

Muajt e fundit çështja e ndikimit rus direkt ose indirekt ka qenë tema e ditës në politikën shqiptare. Në gjithë këtë histori ka një politikan që po përfiton mjeshtërisht në politikën e brendshme dhe në atë rajonale. Kryeministri Edi Rama po e përdor rreshtimin e Shqipërisë proBE kundër Rusisë për të rregulluar imazhin qeverisë së tij te ndërkombëtarët dhe për ‘larje hesapesh’ me opozitën në Tiranë.

Edi Rama po bën namin në Bruksel dhe në mediat ndërkombëtare se Rusia ka blerë liderin e PD-së Lulzim Basha dhe se Moska po afrohet drejt Shqipërisë, ndaj na hapni dyert për në Bashkimin Europian ose ndryshe…

Si fillim është përfitimi politik i Ramës te ndërkombëtarët, gjë që nuk është e gabuar, përkundrazi tregon zgjuarsi politike. Gjatë dy viteve të fundit, përballë refuzimit të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave, kryeministri shqiptar ka zgjedhur të kërcënojë me rrezikun rus në rajon. Sa herë që shkon në Bruksel dhe sa herë që jep intervista në mediat perendimore, Edi Rama kujdeset që të jap një mesazh të qartë. Bashkimi Europian duhet të shpejtojë me integrimin e Ballkanit dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, pasi në rajon rrezikon të shtrihet ndikimi i fortë rus. Një qëndrim i tillë i një kryeministri të Ballkanit ngacmon atje ku duhet zyrtarët e Brukselit. Nga ndikimi rus dridhen të gjithë në Bruksel. Mali i Zi një vit më parë kaloi thuajse një grusht shteti për shkak të ndikimit rus, të paktën kështu u tha në mediat botërore. Në Maqedoni ndikimi i Kremlinit në politikën e ditës është i dukshëm akoma, pasi Presidenti mbetet i linjës ruse. Ndërsa Serbia pranon se do të hyjë në BE, por edhe do të ruajë raporte tejet speciale ushtarake me Rusinë. Në këtë situatë, Edi Rama merr rolin e atij që shantazhon duke i bërë presion BE-së që ose na pranoni në Union ose erdhi Rusia! Sigurisht në Shqipëri nuk ka gjasa që kjo të ndodhë, pasi integrimi në BE është një projekt kombëtar i gjithë partive dhe qeverive, por Rama e përdor me mjeshtëri këtë kartë duke treguar gogolin rus në Bruksel.

Në foto: Kryeministri Rama dhe ambasadori rus në Tiranë

Nga ana tjetër edhe rreshtimi te vendet që përzunë diplomatët rusë nga Shqipëria, veç interesit të Shqipërisë si vend i NATO ka brenda edhe interesin pragmatik të qeverisë “Rama”. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm pranuan menjëherë kërkesën e SHBA dhe BE për dëbimin e diplomatëve rus. Arësyet pse e pranuan nuk ka të bëjë me ndjeshmërinë për çështjen “Skripali” dhe Britaninë dhe as me shqetësimin e Edi Ramës për ndikimin rus. Përzënia e diplomatëve ishte një rast i mirë për qeverinë të përmirësonte marrëdhëniet dhe imazhin e saj te BE dhe SHBA. Qeveria “Rama” ka jo pak probleme me imazhin e saj gjatë mandatit të parë, kur e ktheu vendin në eksportuesin më të madh të hashashit në Europë e ku bandat kriminale shqiptare po bëjnë terror në disa shtete perendimore.

Edi Rama ka probleme edhe me votimet e pamenduara kundër SHBA në OKB. Ka probleme dhe me nivelin e korrupsionit dhe mosndëshkimin e krimit. Janë çështje që kanë jo pak peshë në diplomacinë shqiptare dhe merren në konsideratë në momentin që do votohet për integrimin. Për të joshur BE-në qeveria shqiptare nuk u mendua gjatë në përzënien e diplomatëve rus, madje shkoi edhe më tej duke publikuar identitetin e tyre duke tejkaluar edhe praktikën ndërkombëtare. Si rregull emrat e diplomatëve nuk publikohen nga qeveria. Sigurisht askush nuk kritikon qeverinë për pozicionim e saj në krah të SHBA dhe BE, pasi mbi 95 % e shqiptarëve janë pro amerikanë.

Loja e Ramës mbi rrezikun rus në rajon është taktikë që jep efekt dhe duhet njohur si meritë diplomatike e kryeministrit. Ajo që është e gabuar dhe e dëmshme në këtë histori është “sallata ruse” me opozitën. PS dhe personalisht Edi Rama ka futur në skenarin e tij me Rusinë kryetarin e  PD-së Lulzim Bashën. Në panoramën e madhe të zhvillimeve gjeopolitike ky sulm i politikës së ditës në Tiranë duket i parëndësishëm, por në fakt efekti mund të jetë i madh për opozitën dhe vendin. Në fushatën ndaj Rusisë në gjithë kancelaritë evropiane dhe SHBA, prezantimi nga PS-ja për Lulzim Bashën si politikan i financuar nga rusët mund të sjellë pasoja në zhvillimet politike. Nuk është çudi që Edi Rama të justifikojë nesër gjithë problemet e vendit me zgjedhjet, krimin, korrupsionin etj me faktin se qeverisja e tij nuk është e mirë, por të paktën nuk është pro ruse si opozita. Një strategji e tillë, edhe pse naive, ka më shumë se një muaj që është qëndrim zyrtar i përditshëm i deklaratave të PS dhe Qeverisë.

Në mënyrë paradoksale, rreziku rus po e “ndihmon” Edi Ramën për integrimin, por edhe për të qeverisur i qetë, ndërkohë që ka njëmijë probleme varfërie, krimi, korrupsioni, ku oligarkët përcaktojnë lejet, koncensionet, fitimet,etj.

Edi Rama është konvertuar në një antirus i madh, ndonëse brenda vetes “vdes” të shkojë në Moskë si kryeministër.

Dit Bushatlliu

SHKARKO APP