Aleksandër Frangaj: Përherë kam punuar me “gjeneralë”

Aleksandër Frangaj është personazh në botën e medias. Filllestar në vitin 1991 në “Koha Jone” në Lezhë, por më pas u rrit deri në “mbret” të botës së medias televizive shqiptare. Mbrëmë, në një emision në një prej kanalëve të shumtë televiziv, prona të tija private, Aleksandër Frangaj foli për 20 vjetorin e TV Klan. Ndër të tjera, ai tha një fjali se “përherë kam punuar me “gjeneralë” në media e jo me ushtarë”. Dhe realisht ashtu është. Nuk ka shtuar apo zmadhuar gjë, Sandri. Aftësia e një drejtuesi në media është te përzgjedhja e stafit të gazetarëve me të cilët punon. Ky është kyçi i suksesit. Emrat që përmendi mbrëmë zoti Frangaj, me të cilët bëri të parin televizion privat kombëtar janë Armand Shkullaku, Andi Bushati, Andi Bejtja, Sokol Balla, Alfred Peza, Mentor Kikia  e disa të tjerë, që të gjithë “made in Koha Jone”. Edhe vetë “kryegjenerali”.

Në foto: (nga e djathta) Andi Bushati, Aleksandër Frangaj, Armand Shkullaku dhe Nikoll Lesi ( Koha jone, viti 1994) 

Por në atë çka theksoi Frangaj se “përherë kam punuar me “gjeneralë” në media e jo me ushtarë”, mbetet epokale nëse duhet të lartësosh një media serioze dhe të madhe kombëtare. TV Klan është pasuri kombëtare, duam apo nuk duam. Siç është dhe “Koha Jone” e para gazetë e lirë dhe e pavarur në Shqipëri, e cila bëri epokë e nga ku dolën edhe “gjeneralë’, edhe “ushtarë”.

Duke iu rikthyer aksiomës së Aleksandër Frangajt realisht sot ka shumë media të shkruara dhe radiotelevizive, pa numëruar shumëllojshmërinë e mediave sociale, ku daravitesh të lexosh apo shikosh, por me shumë turullosesh se sa mëson gjë. Por gjithsesi është një botë e re mediatike sociale, e cila duhen vite të futet në shinat e ligjshmërisë. Mes numrit stërmadh të medias televizive, TV Klan, ngrihet si një diell ndriçues profesional, natyrisht edhe me yje të tjerë rrotull, të cilët janë “diejë” në botën e tyre. Sandri tha mbrëmë se me “gjeneralët” e medias është vështirë të urdhërosh, dhe ka të drejtë. Tha se shumë herë edhe nuk pranojnë apo kundërshtojnë të bëjnë çfarë synon pronari i medias dhe ka të drejtë. I mëshoi faktit se me dy ish-bashkëpronarët e TV Klan u nda paqësisht, pasi ata i përkisnin një bote biznesi që nuk i rezistuan dot presionit të pushtetëve të kohës, por që donin që me anë të medias të rritnin kuotat e fitimeve në biznese të tjera; edhe kjo mund të thuhet se shkon kah realitetit. Njeri  ish-bashkëpronar francez i Sandrit foli mbrëmë. Tjetri ish-bashkëpronar, heshti. Por pronari i TV Klan nuk tha se kjo kategori apo një risi tjetër biznesi presionbërës apo edhe pazarbërës ka mbuluar median e sotme, kudo. Në botën radiotelevizive dhe atë të medias së shkruar. Natyrisht që konkurenca e lirë duhet të vendos edhe në këtë treg mediatik. Por në realitet nuk është kështu. Sandri nuk e tha, pasi ishte fokusuar te përvjetori i 20-të i mbretërisë së tij televizive. Duhej ta thoshte derisa punon me “gjeneralë” të medias e jo me ushtarë. Apo se “gjeneralët” e “Koha Jonë” kanë shkuar edhe në media të tjera? Ai tha se nuk njeh dhe nuk ka asnjë konkurent që i del përpara Tv Klan. As Top Channel. Asnjë. Kjo duhet menduar pak. Media ka nevojë për konkurent.

Ndërkohë në media ka pasionantë e profesionistë, njëkohësisht, sikurse ka edhe shumë aventurierë parash, që me një media duan gjysmën e Tiranës me leje ndërtimi apo që maunet t’ju kalojnë pa doganë duke bërë shkrime apo kronika lavdëruese e mikluese për qeverinë e kryeministrin.

Gjithsesi urimi mbetet nga “Koha Jonë” për 20 vjetorin e TV Klan, i bardhë dhe njerëzor: Urime, edhe 100!

“Koha Jone”

SHKARKO APP