Selia blu, shumë zhurmë për asgjë

Pas 167 ditësh nga nisja e bojkotit, opozita është kthyer dje në Kuvend. Rezoluta e negociuar nga eurodeputetët arriti të afrojë qëndrimet e palëve, por miratimi i saj nuk ka ndryshuar gjë në situatën politike në vend. Bojkoti nisi si pretekst ndaj dhunës së deputetit Gent Strazimiri dhe përfundoi me një dokument, si pretekst për të shpëtuar mandatet e deputetëve të PD-së. Ndaj i vetmi rezultat i fituar dje është që deputetët e opozitës nuk humbën mandatet. Nëse kjo mund quhet fitore, atëherë opozita ka nevojë të qartësohet në objektivat e saj. Kryetari i Partisë Demokratike dhe deputetët e selisë blu e cilësuan si një sukses të aksionit opozitar miratimin e dokumentit të djeshëm në Kuvend. Në fakt, në projekt-rezolutë kishte mjaft teka të PD-së, të cilat u hoqën vetëm pas qëndrimit të prerë të ndërkombëtarëve. Hartimi rezolutës u pa si e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën parlamentare që mund të vinte djegia e mandateve të deputetëve të selisë blu. Marrëveshja nuk mund të cilësohet si sukses i negociatorëve të PD-së edhe për një tjetër fakt. Ishin rreth 15 deputetë të Partisë Demokratike që kishin vendosur të hynin në Kuvend, sido që të shkonte fati i negociatave. Astrit Patozi, Mesila Doda, Arben Imami, Genc Ruli ishin të parët që kërkonin kthimin e opozitës në Kuvend, si e vetmja mënyrë për të bërë politikë. Përballë përçarjes së partisë, si Basha dhe Berisha, zgjodhën të bënin një marrëveshje me mazhorancën për të justifikuar kthimin në Kuvend. Por në fund nuk ka rëndësi sesi arrihet marrëveshja, rëndësi ka rezultati. Dokumenti që mori dje 126 vota nga të dy kampet duhet të krahasohet me pretendimet e Partisë Demokratike dhe realizimin e tyre. Partia Demokratike kërkoi barazimin e minutazhit të kohës që ka kryeministri në Kuvend, me kohën e kreut të grupit parlamentar të opozitës. Kjo kërkesë dhe pse është përsëritur shumë herë nga PD-ja, rezulton se është plotësuar më parë nga mazhoranca. Nuk ka pasur nevojë për një marrëveshje për këtë pikë, kur ka qenë vetë mazhoranca ajo që e ka pranuar dhe iniciuar diçka të tillë. Ndaj nuk ka kuptim të quhet një sukses i PD-së negocimi për këtë pikë, aq më tepër që ndryshimin e raporteve të minutazhit e ka miratuar PD-ja gjatë kohës kur ishte në mazhorancë.

Pika për të cilën u debatua më shumë në rezolutë është ajo mbi mospërdorimin e shumicës së cilësuar nga ana e mazhorancës. Edhe në këtë çështje asgjë s’ka ndryshuar, pasi në tekst thuhet se “mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e saj të cilësuar (3/5) për të anashkaluar opozitën, por do të kërkojë konsensus me opozitën për reforma të rëndësishme, kurdoherë që është e mundur”. Në çdo demokraci dhe vend parlamentar, gjëja më minimale që bën një mazhorancë e përgjegjshme është kërkimi i konsensusit nga opozita. Por konsensusi nuk është i detyrueshëm dhe shumë rrallë arrihet, pasi nuk ka opozitë që voton çdo nismë të mazhorancës. Por edhe këtu nuk kanë fituar asgjë, pothuaj, pasi tek pjesa e shkruar në rezolutë ku thuhet se “…Kurdoherë që është e mundur…” do të thotë nëse ia do qejfi Edi Ramës dakord, në të kundërt, PD-ja nuk ka se çfarë bën. Pra, asgjë! Ndonëse kryeministri ka mundësi të jetë i kujdesshëm në këtë pikë, por në mënyrë kushtetuese nuk e detyrojnë Ramën, këta që dje thanë “fituam se u kthyem!”.

Pika e tjetër e rezolutës, e cila u trumbetua si një sukses i PD-së dhe kreut të saj, është dekriminalizimi i Kuvendit. Për ironi të gjithë kauzës së PD-së, kjo rezolutë mori 126 vota të deputetëve, pra dhe votat e atyre që selia blu i cilëson si “kriminelë”, apo deputetë me precedentë penalë. Paradoksi është se teksa akuzonte Kuvendin si institucion të mbushur me “kriminelë”, PD-ja kërkoi votën e tyre për të pastruar administratën nga “kriminelët”. Por kjo nuk është vetëm çështja e parë e mungesës së seriozitetit në këtë nismë. Kushtetuta dhe ligjet e parashikojnë se kush nuk mund të zgjidhet në poste publike. Nëse PD-ja do ta kishte seriozisht këtë kërkesë, duhet të paraqiste një projekt sesi mund të ndryshohet Kushtetuta dhe si t’u hiqet e drejta për të pasur detyra zyrtare apo për të kandiduar personave me precedentë penalë. Por diçka e dillë nuk është në dokument, pasi aty shprehet vetëm dëshira për të pastruar administratën, por jo mënyra sesi. Pra, asgjë e re!

Pika tjetër është ajo ku palët bien dakord të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe që dialogu politik të zhvillohet kryesisht në Kuvend. Nëse rezoluta nuk do të mbante datën 24 dhjetor 2014, do të dukej sikur kjo pikë është shkëputur nga rregullorja e parë e parlamentit të parë shqiptar. Kuvendi miraton dhe ligje e është e pakuptueshme të mos zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që kanë të njëjtën peshë juridike njëlloj si Kushtetuta.

Natyrisht që parlamenti nga të dyja krahët ka elementë të kriminalizuar dhe duhen larguar nga politika, por duhej të bëhej me ndryshime kushtetuese, gjë që nuk e bëri PD. As PS. As LSI. Por opinioni publik i njeh mirë dhe e di se ka nevojë për ndryshime radikale në këtë drejtim.

Por një gjë e arritën PD-ja dhe Lulzim Basha. Konfirmoi gjatë kësaj kohe autoritetin në rritje në PD të Bashës, pastroi partinë dhe po përgatitet të spastrojë edhe listën e deputetëve në zgjedhjet e radhës. E gjitha mbetet një lojë fine e Bashës për të marrë me dorë të hekurt partinë. Dhe e mori. Ndërsa për ato çka votuan dje ishin kot, pasi asgjë nuk do të realizohet. Ruajtën mandatet e deputetit dhe festojnë të qetë në shtëpi ose jashtë shtetit Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.

Pra, shumë zhurmë për asgjë!

 

SHKARKO APP