Serbia drejt Durrësit

 

Afrimi i marrëdhënieve Serbi-Shqipëri ka bërë që mes dy vendeve të jenë gati projektet e para strategjike. Në muajin qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të nënshkruajnë protokollin për realizimin e projektit të autostradës Nish- Durrës. Informacioni i parë për një projekt që mes dy qeverie aktuale ka gjashtë muaj që diskutohet u bë i ditur dje nga zv/kryeministrja, njëkohësisht ministrja serbe e Infrastrukturës, Zorana Mihajloviç. Kostoja e projektit llogaritet 1 miliard euro dhe pritet të shërbejë si një urë lidhëse mes Durrësit, Serbisë, por edhe vendeve të rajonit. Bëhet fjalë për një projekt që e vendos Shqipërinë në nyjen e kryqëzimit të rrugëve tregtare me veriun e gadishullit Ballkanik, duke u përkthyer në më shumë të ardhura dhe fitim për vendin tonë.Një lëvizje strategjike e Edi Ramës.

Autostrada Durrës-Nish, përveç termave të transportit rrugor dhe llogarive ekonomike, ka dhe një tjetër simbol. Kjo autostradë do të thotë se serbët do të kenë një dalje në det. Një fakt që ka bërë dje të ketë reagime edhe me tone nacionaliste lidhur me hapësirën që Shqipëria po i lë Serbisë. Por ato nuk llogarisin se kështu frocohet Shqipëria. Zanafilla e sherrit mes dy kombeve nuk dihet se kur ka nisur, por një gjë është e sigurt, deti dhe këmbëngulja e Serbisë për të pasur një dalje në Adriatik është një nga motivet kryesore të luftës mes serbëve dhe shqiptarëve. Një pjesë e historisë së Luftës së I-rë Botërore dhe zbarkimit të ushtrive serbe në Shqipëri lidhet me detin dhe konkretisht, Durrësin. Tashmë me këtë autostradë, serbët zbresin në Durrës. Por jetojmë në kohë të tjera, në Ballkan s’ka më konflikte dhe rruga vjen si një pakt interesash ekonomik mes dy vendeve dhe jo imponim në pozitat e më të fortit. Veç kësaj, ka dhe një fakt domethënës, autostrada nuk përjashton Kosovën, por vjen si pjesë e projektit që lidh Shqipërinë me Kosovën. Për pasojë, jashtë interesave ekonomik nuk mbetet Kosova, pasi mallrat që do të hyjnë në tregun serb, apo atë të vendeve të tjera, do të kalojnë në këto territore. Nëse një projekt i tillë do të ketë standardet europiane edhe Shqipëria mund të jetë pjesë e infrastrukturës rajonale që me Serbinë lidh dhe vendeve të tjera si Rumania, Bosnja, apo edhe Hungaria. Ose më saktë, një rrugë drejt zemrës së Europës.

Veç mallrave, ndërtimi i një rruge të tillë hap turizmin shqiptar për një treg me rreth 7.5 milionë banorë siç është ai i Serbisë. Pas Malit të Zi dhe Kroacisë, bregdeti shqiptar do të jetë një tjetër pikë e turistëve të huaj, e arritshme me anë të rrugëve tokësore më të shpejta. Duke llogaritur përfitimet që vijnë nga hapja e një aksi të tillë rrugor rezulton se përfitimet, nuk do të jenë të pakta për Shqipërinë.

Një projekt i tillë është ideuar shumë vite më parë, por asnjë qeveri nuk ka pasur dëshirën konkrete për ta realizuar. Zhvillimet në rajon, konfliktet, statusi i papërcaktuar deri në vitet 2000 i Kosovës kanë bërë që një projekt i tillë të shihej me skepticizëm. Është dashur vetëm një angazhimi i qartë i dy kryeministrave aktualë Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç për ta kthyer një ide të hershme në projekt konkret. Nëse ka një rezultat në takimet mes dy kryeministrave duket se ky i ndërtimit të rrugës Nish-Durrës është i pari. Dalja nga notat dhe sjelljet nacionaliste është një meritë e të dy kryeministrave, duke parë më shumë interesin ekonomik që sjellë zhvillimin e vendeve respektive.

Në gjithë këtë projekt ka një shqetësim që mund të quhet kombëtar dhe ka të bëjë me mënyrën sesi bizneset tona, apo ekonomia jonë do të arrijë të depërtoj në tregun serb. Në tre muajt e fundit, biznesi serb ka eksportuar në Shqipëri rreth 40 milionë euro mallra, ndërsa biznesi shqiptar ka arritur të çojë në tregun serb vetëm rreth 4 milionë euro. Diferenca është e madhe dhe është një sinjal alarmi që ekonomia dhe prodhimet tona duhet të jenë më konkurruese, në Serbi por dhe në vendet e tjera. Ky po është një debat, nëse mund të quhet “patriotik” dhe ministritë apo qeveria shqiptare duhet të shohin mënyrën sesi bizneset dhe prodhimet shqiptare të hyjnë në rajon duke sjellë më shumë para’ në vend.

Firmosja e këtij megaprojekti mes Shqipërisë dhe Serbisë është një hap i madh strategjik dhe tregon se si dy kryeministrat janë krejtësisht europianë e larg nacionalizmit fals. Ky është nacionalizëm patriotik dhe europian; firmosja e këtij projekti. Shton zhvillim për dy vendet dhe ofron popujt me shumë duke iu larguar historisë së vjetër.

 

SHKARKO APP