SHBA kundër kryeministrit Rama, s’ka falje për Tahirin

Ambasada Amerikane në Tiranë ka dalë dje hapur kundër qëndrimit të kryeministrit Edi Rama lidhur me procesin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në një deklaratë për mediat, duke komentuar vendimet e fundit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Ambasada ka dhënë një mesazh direkt edhe për kreun e qeverisë shqiptare, i cili pak ditë më parë kërkoji që akuzuesit t’i kërkonin ndjesë ish-ministrit.

Në pak rreshta, selia diplomatike amerikane ka përmbledhur gjithë zhvillimet e fundit për drejtësinë në vend. “Gjykata e Krimeve të Rënda të Shqipërisë dënoi Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, por presim përparim të vazhdueshëm në rrugën e Shqipërisë drejt sundimit të fortë të ligjit. Dje, Gjykata e Apelit të Tiranës dëgjoi argumentet e prokurorëve lidhur me masën e sigurisë për Ervis Martinaj. Ne presim hetimin e plotë të tij, ashtu siç presim që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj së ardhmes së Shqipërisë. Kush e ka radhën”,- deklaroi dje ambasada e SHBA në Tiranë. Një qëndrim dinjitoz që vjen nga supërshteti i botës, është një sinjal i fortë për kryeministrin Rama. Përveçse një inkurajim ndaj Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila ndodhet këto kohë në presionin më të madh që nga ekzistenca e saj, mesazhi i Ambasadës së SHBA bie në sy për dy elementë të tjerë.

Së pari, emri i ish-ministrit Saimir Tahiri që po hetohet për trafik droge renditet bashkë me Emiljano Shullazin, i dënuar me 14 vjet burg për drejtimin e një bande kriminale dhe me Ervis Martinaj, biznesmeni i lojërave të fatit që hetohet për tentativë vrasje. Emri i Shullazit është lakuar shpesh nga Ambasada e SHBA si përfaqësues i krimit të organizuar në vend. Madje tentativat për të mbyllur procesin janë kritikuar hapur nga ana e Ambasadës së SHBA gjatë dy viteve të fundit. Përfshirja e ish-ministrit të Brendshëm që po hetohet për trafik droge në këtë liste me personazhe të njohur të krimit të organizuar në vend nuk është e rastësishme. Ndërkohë, edhe më parë, Ambasada e SHBA ka lënë të kuptohet se ka ndërhyrje politike në procesin kundër ish-ministrit. Ndaj apeli i djeshëm ishte një sinjal që prokurorët dhe gjyqtarët që kanë në hetim këtë process, të vazhdojnë pa frikë dhe pa asnjë presion që vjen nga PS dhe sidomos nga Edi Rama.

Së dyti, deklarata e djeshme e Ambasadës së SHBA ishte një mesazh direkt për kryeministrin Edi Rama. Prej më shumë se dy javësh kreu i qeverisë dhe më pas zyrtarë të tjerë të PS kanë nisur një fushatë për “pastrimin” e figurës së Saimir Tahirit. Kjo fushatë nis kur ende hetimet nuk janë mbyllur dhe nuk ka një vendim të drejtësisë që e nxjerrë të pafajshëm apo fajtor ish-ministrin. Fillimisht Edi Rama deklaroi se opozita dhe mediat duhet t’i kërkojnë falje Saimir Tahirit pasi e kanë akuzuar për trafik droge duke u bazuar vetëm në bisedat telefonike të dy kushërinjve të tij të largët. Dhe për sa kohë nuk u dënua në Itali, sipas Ramës, ish-ministri Tahiri është i pafajshëm. Të njëjtën gjë përsëriti më pas edhe numri dy i PS, Taulant Balla, duke deklaruar se opinioni duhet t’i kërkonte falje ish-ministrit. Balla shkoi edhe më tej kur tha se Tahiri ishte i lirë të kthehej në Partinë Socialiste, nëse ai vet do ta shihte të arsyeshme. Bile nga burime brenda qeverisë u fol se Edi Rama do ta emëronte zv/kryeministër.

Pra në PS ka kohë që Saimir Tahiri është shpallur i pafajshëm edhe pse drejtësia ende nuk ka folur. Si provë për këtë argument Edi Rama dhe Taulant Balla, njëlloj si Saimir Tahiri, përmendin faktin se ndaj ish-ministrit nga Italia nuk nisi hetim penal. Por Tahiri nuk mund të hetohet në Itali për një vepër penale që dyshohet se e ka kryer në Shqipëri. Në Itali u hetuan dhe dënuan kushërinjtë e ish-ministrit dhe kaq do mjaftonte për të kuptuar se akuzat duhet marrë seriozisht. Natyrisht që nuk mund të thuhet se Tahiri është i fajshëm pa një vendim gjykate, por insistimi kryeministror, edhe me disa media pranë qeverisë, për ta nxjerrë të pafajshëm ka nxitur reagimin amerikan.

Nxitimi për ta mbyllur sa më parë dosjen e ish-ministrit, madje dhe duke i kërkuar falje për shqetësimin, dje ka marrë një përgjigje të prerë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edi Rama nga halli i provave që ka ish-ministri apo nga dashuria politike mund dojë që Tahiri të jetë sa më shpejtë në PS. Por edhe nëse e fal Rama, Tahirin nuk e fal SHBA.

Dje ambasada e SHBA tregoi se mbetet korrekte e parimeve të saj demokratike për një shtet ligjor dhe nuk pranon asnjë pazar që mund të ofrojë Kryeministri në këmbim të shpalljes të pafajshëm të ish-ministrit. Burime konfidenciale nga prokuroria e krimëve të rënda tregojnë se ishin në prag të mbylljes së hetimit penal dhe shpalljen të pafajshëm të ish-ministrit të brendshëm si pasojë e presionit kryeministror dhe frikës nga ndërhyrjet e PS-së, të cilët e shpallën të pafajshëm. Por nga dje pasdite ka ndryshuar reagimi i prokurorisë.

Mësohet së mbrëmë vonë prokuroria e krimëve të rënda ka shtuar numrin e prokurorëve në dosjen e ish-ministrit Sajmir Tahiri dhe po përgatiten për një vendim të madh gjatë dhjetorit.

Q.Xhani

SHKARKO APP